Plavë/Guci – Delegacioni i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, i përbërë nga nënkryetari Bujar Hasangjekaj, sekretari Faik Nika dhe kryetari i Komisionit për Arsim dhe Përdorimin Zyrtar të Gjuhës Shqipe, Ismet Kallaba, ishin të premten në Plavë dhe Guci, me ç’rast Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” – Plavë i shpërndau një numër të konsiderueshëm të lektyrave shkollore, teksteve mësimore dhe veprave letrare në gjuhën shqipe, kurse në dy shkollat fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës dhe “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë nga disa komplete librash për mësuesit e ciklit të ulët, në përbërje: Abetare e përbashkët mbarëkombëtare, Abetare e punës dhe Libër i mësuesit, të cilat ua dorëzuan drejtorëve të këtyre shkollave.
Në sallën e Qendrës mësimore të Shkollës së Mesme të Përzier të Plavës, ku ishin të pranishëm nxënësit e të gjitha paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, me mësimdhënësit Fadil Ulaj, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, Shqipe Kukaj, Bali Rugova dhe Mushak Gjonbalaj, përfaqësuesit e KKSH-së, në emër të shkollës i përshëndeti dhe i falënderoi për donacionin drejtori Rifat Baliq.
Sipas tij, ky donacion do të ndihmojë dukshëm në zhvillimin e mësimit nga lënda e gjuhës shqipe dhe letërsisë, por edhe nga lëmitë e tjera mësimore.
Ndërkaq, në emër të nxënësve dhe mësimdhënësve, mysafirët i përshëndeti dhe i falënderoi për donacionin profesori i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Fadil Ulaj.
“Ju e dini mirë se ne kemi pasur nevojë dhe zbrazëtira për shumë lektyra që na kanë munguar në bazë të plan-programit mësimor për gjuhën dhe letërsinë shqipe, por edhe për limitë e tjera mësimore në përgjithësi, por me përpjekjet tona përmes miqve tanë nga Ulqini, të cilët sot janë këtu me ne, të cilët me vete kanë sjellë edhe shumë lektyra shkollore që ishin vërtet nevojë për të qenë në duart tuaja, e të cilat janë siguruar me përkrahjen e KKSH-së dhe Fondit të Pakicave, të cilëve u shprehim mirëseardhje dhe përshëndetje të ngrohta nga të gjithë ne”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sekretari i KKSH-së, Faik Nika, në fjalën e rastit, pasi i përshëndeti nxënësit, drejtorin, mësimdhënësit dhe të pranishmit tjerë, u shpreh se është i kënaqur dhe ka besim të plotë se librat që i dhurojnë kësaj shkolle do t’u shërbejnë më së miri nxënësve të saj.
Ai ka theksuar se në fillim të mandatit janë njoftuar nga drejtorët e shkollave se një shqetësim të madh për ta përbën mungesa e lektyrave shkollore në gjuhën shqipe.
“Vitin e kaluar kemi bërë të njëjtën punë në shkollat fillore shqipe në Mal të Zi, ku kemi bërë shpërndarjen e lektyrave shkollore. Këtë vit, me mbështetjen e Fondit për Pakica në Mal të Zi, kemi siguruar lektyra shkollore dhe vepra letrare, të cilat janë këtu para jush. Janë 47 tituj nga shtatë kopje për bibliotekën e shkollës suaj, të cilat uroj që t’u shërbejnë për aftësimin tuaj në jetën e mëtutjeshme”, ka theksuar Nika.
Ai ka sqaruar se kohë më parë KKSH ka bërë ndarjen e lektyrave shkollore edhe në shkollat e mesme në Ulqin dhe Malësi.
Ndërkaq, një aktivitet tjetër në Guci dhe Plavë ka qenë shpërndarja e kompletit të librave, të përbërë nga Abetarja e përbashkët mbarëkombëtare, Abetarja e punës dhe Libri për mësuesin, për mësuesit e ciklit të ulët të shkollave fillore në këto dy komuna. Shaban Hasangjekaj