Identitetin e trashëgojmë dhe ruajmë, entitetin e ndërtojmë

Një popull mund të ketë identitet të fortë, por të mos ketë ndërtuar ende një entitet të fortë ekonomik, institucional dhe zhvillimor. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston si popull apo komb, por potenciali i tij kolektiv nuk është organizuar dhe shndërruar plotësisht në fuqi reale

Robert Camaj

Pas përpjekjes sime që të jap një vështrim mbi “etnosin” dhe “etosin” e shqiptarëve, kam pjekur një mendim lidhur me entitetin e shqiptarëve ose hallkën që mungon për ndërlidhjen e duhur. Entiteti në kuptimin shoqëror dhe kombëtar është një bashkësi e organizuar që ka identitet, karakteristika të përbashkëta, territor, institucione, interesa dhe aftësi për të vepruar si një tërësi. Për një popull ose komb, entiteti nuk është vetëm fakti që njerëzit kanë të njëjtën gjuhë, kulturë apo prejardhje. Ai përfshin disa shtresa si identitetin që karakterizohet me gjuhën, kulturën, traditat, historinë dhe kujtesën kolektive, pastaj territorin apo hapësirën me të cilën populli ka lidhje historike dhe shoqërore. Entiteti nuk mund të nënkuptohet apo mbikuptohet pa institucionet, strukturat përmes të cilave organizohet jeta shoqërore, kulturore dhe ekonomike, por as pa peshën që rri mbi ekonominë, prodhimin, biznesin, industrinë, tokën, turizmin dhe mënyrën e krijimit të pasurisë. Entitet nuk ka pa burimet natyrore – lumenjtë, liqenet, detin, malet, pyjet, tokën dhe pasuritë e tjera natyrore. E tashmja jonë, e ardhmja e nesërme krijohet me kapitalin njerëzor, arsimin, profesionistët, dijen, aftësitë dhe sipërmarrjen. E të gjitha këto duke pasur kujdes të veçantë lidhur me organizimin dhe vizionin, aftësinë për t’i përdorur këto elemente për të krijuar zhvillim dhe mirëqenie.
Identiteti tregon se kush jemi, kurse entiteti tregon kush jemi, çfarë kemi dhe çfarë kapaciteti kemi për të vepruar e zhvilluar veten si një tërësi. Një popull mund të ketë identitet të fortë, por të mos ketë ndërtuar ende një entitet të fortë ekonomik, institucional dhe zhvillimor. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston si popull apo komb, por potenciali i tij kolektiv nuk është organizuar dhe shndërruar plotësisht në fuqi reale, sepse një popull mund të ketë histori, gjuhë, kulturë, tradita, zakone, territor dhe një trashëgimi të pasur, por kjo nuk do të thotë automatikisht se ka krijuar një entitet të plotë në kuptimin e shtruar më lart. Identiteti është ajo që trashëgojmë dhe ruajmë, entiteti është edhe ajo që ndërtojmë.
Një popull e merr identitetin nga paraardhësit, gjuhën, kulturën, kujtesën historike, traditat, emrat e vendeve, mënyrën e jetesës, këngët, veshjet, zakonet dhe lidhjen me territorin, por këto janë vetëm baza mbi të cilën mund të ndërtohet diçka më e madhe. Nëse një brez vetëm e ruan atë që ka marrë dhe nuk krijon struktura të reja ekonomike, kulturore e institucionale, atëherë ai është kryesisht një trashëgimtar, jo një ndërtues i entitetit të vet. Sipas mendimit tim, trashëgimia nuk është pasuri vetëm sepse ekziston, ajo bëhet pasuri kur dimë ta zhvillojmë dhe ta shndërrojmë në vlerë.
Para disa kohësh në një emision televiziv në Rai Uno, në “Linea Verde”, një reportazh i kushtohej një lloj universitetit rural bujqësor në Manziana, i cili kishte mbi një shekull që ishte thëmeluar dhe aty njerëzit nuk shkonin për ligjërata dhe diploma, por dije konkrete, ose më mirë të them për përvoja lidhur me kultivimin, mbarështimin, rritjen e bimëve, teknikat e përpunimeve bujqësore, ushqimet dhe gatimet tradicionale etj. Ne shpesh lavdërohemi për resurset tona natyrore dhe i paraqesim si avangardë e zhvillimit tonë, themi se kemi male dhe bjeshkë, por pyetja është: çfarë kemi ndërtuar mbi këtë potencial dhe a kemi zhvilluar turizëm malor, qendra sportive, shtigje, agroturizëm dhe produkte lokale?! Kemi lumenj dhe liqene, por pyetja është: a i kemi shndërruar ato në burime të kontrolluara të zhvillimit ekonomik, energjisë, bujqësisë, peshkimit, rekreacionit dhe turizmit. Kemi det, por pyetja nuk është vetëm nëse kemi dalje në det, por sa ekonomi kemi ndërtuar rreth tij, turizëm, peshkim, përpunim ushqimor, transport, porte, shërbime dhe industri të lidhura me detin. Dhe deti nuk zhvillohet me resorte; ato janë oaza të rrethuara me mjerim. Kemi tokë pjellore, blegtori dhe produkte tradicionale, por nëse prodhimi shitet si lëndë e parë dhe vlera e madhe krijohet diku tjetër, atëherë ne posedojmë burimin, por nuk e kontrollojmë zinxhirin ekonomik të vlerës. Kjo është një nga dobësitë kryesore të një komuniteti që nuk ka arritur të ndërtojë plotësisht entitetin e vet, ka pasuri, por nuk ka ndërtuar mekanizmin për t’i kthyer ato pasuri në fuqi ekonomike.
Një entitet i vërtetë nuk ndërtohet vetëm me simbole! Flamuri, gjuha, kultura dhe tradita janë shumë të rëndësishme, por ato duhet të shoqërohen me arsim cilësor, profesionistë, sipërmarrje, institucione, prodhim, kapital, organizim ekonomik dhe strategji zhvillimore. Nëse një popull ka shumë biznese të vogla por nuk ndërton kompani më të mëdha, nëse prodhon produkte të mira por nuk krijon marka, nëse ka pasuri natyrore por nuk ka industri për përpunimin e tyre, nëse ka bukuri natyrore por të ardhurat kryesore nga turizmi i marrin të tjerët, atëherë problemi nuk është mungesa e pasurisë. Problemi është mungesa e organizimit dhe e vizionit për ta kthyer pasurinë në zhvillim. Përmes entiteteve lokale krijohen edhe raporte në nivel kombëtar në krejt arenën kombëtare, ashtu edhe futemi në bashkëpunim të imponuar.
Liqeni i Shkodrës duhet ta lidhë Tuzin me Shkodrën, Krajën, lumi Cem Kelmendin me Tuzin, liqeni i Rikavecit Tuzin me Rugovën, dhe kësisoji zinxhir derisa entiteti të konsumohet me etnitetin. Ne duhet të insistojmë që të bashkohemi përmes resurseve, të krijojmë interaksion që shtigjet e bashkëpunimit me arealin kombëtar që deri tani janë diskrete, të jenë të shpeshta, ndërthurura, nënkuptueshme, të ndërvarura, sa të nënkuptohet se Gucia nuk e ndanë bjeshkën me Kelmendin por e kanë të përbashkët, se Plazhi i Madh përfundon në Shëngjin, jo në grykëderdhjen e Bunës.
Prandaj, zhvillimi ekonomik duhet të shihet si pjesë e ndërtimit të entitetit. Thirrja është se një popull që dëshiron të forcojë pozitën e vet duhet të krijojë një ekonomi që mbështetet mbi avantazhet e territorit të tij. Turizmi mund të lidhet me kulturën dhe natyrën, bujqësia mund të lidhet me industrinë ushqimore, blegtoria mund të lidhet me markat tradicionale, malet mund të lidhen me turizmin dhe sportin, lumenjtë dhe liqenet mund të lidhen me energjinë, bujqësinë dhe rekreacionin, deti mund të lidhet me turizmin, peshkimin dhe ekonominë detare dhe kështu bashkohen shqiptarët. Në këtë mënyrë krijohet një ekonomi e lidhur me identitetin, e cila për të funksionuar imponon që edhe cilësinë dhe përmbajtjen e sistemit arsimor ta kemi të përafërt dhe të ngjajshm. Nëse nuk e bëjmë Shqipërinë në realitet, duhet ta bëjmë në entitet dhe kjo nuk është thirrje për irredentizëm. Çdo gjë bazohet mbi traditën, sepse shpirti dhe mendja jonë pushon mbi të përbashkëtat dhe kjo nuk pengon që bashkëpunimin real ta kemi edhe me sllavët fqinjë, bile jam më se i bindur që do t’i ndihmonte shuarjes së barrierave dhe paragjykimeve.
Trashëgimia shndërrohet në ekonomi, por jo me shfrytëzimin pa kontroll dhe pa planifikim, sepse ndërtimi i entitetit nuk do të thotë të shfrytëzosh çdo burim deri në fund. Do të thotë të krijosh kapacitetin për ta përdorur në mënyrë të mençur, duke krijuar vlerë sot dhe duke ruajtur mundësinë për brezat e ardhshëm, por ky nuk është preokupimi për momentin.
Asnjë popull nuk e ndërton entitetin e tij vetëm duke kërkuar njohje nga të tjerët. Ai duhet ta ndërtojë atë edhe përmes punës së vet. Entiteti krijohet kur identiteti shndërrohet në organizim, trashëgimia në kulturë të zhvilluar, territori në ekonomi, resurset në vlerë të shtuar, dija në institucione dhe puna në mirëqenie. Nëse kemi histori por nuk kemi vizion, nëse kemi pasuri por nuk kemi industri, nëse kemi territor por nuk kemi zhvillim, nëse kemi kulturë por nuk e shndërrojmë në vlerë, atëherë kemi një bazë të fortë identitare, por ende nuk kemi ndërtuar potencialin e plotë të entitetit tonë. Dhe pikërisht ky duhet të jetë objektivi i një brezi të ri – jo vetëm të trashëgojë atë që kanë krijuar të parët, por të krijojë diçka që brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë prej nesh. Ky është kalimi nga identiteti tek entiteti, nga ajo që jemi dhe që kemi trashëguar, tek ajo që jemi të aftë të ndërtojmë.

Të fundit

më të lexuarat