
Dëshmohet se në planetin Tokë ekziston një shpend i cili i kap gacat e zjarrit me sqep dhe e shpërndan zjarrin njëkohësisht në disa vende vetëm në drejtim të erës që fryn, në mënyrë që zjarri të shpërndahet sa më shpejt në gjithë sipërfaqet e mëdha. Mirëpo ky shpend nuk jeton në Evropë. Prandaj mundësia e ndezjes sinkronike të zjarrit nga ky shpend bie poshtë. Pra, problemi qëndron te faktori njeri dhe gazetaria kur informon në këtë situatë, duhet të përgjigjet fillimisht, në tri pyetje thelbësore: ku, si dhe pse ra zjarri? E nga ky kënd po e bëj edhe këtë shkrim.
Sipas tjerëve, por edhe nesh, zjarret në Ulqin medoemos që lidhen me atë që mund të quhet misteri i rënies së zjarreve gjatë verës, që ngjau, për shembull, në bregdetin dhe ishujt grekë, ku si në Ulqin, mafia e ndërtimit para se të niste ndërtimin ua vinte flakën pyjeve, fillimisht në bregdet e pastaj edhe në zona të tjera turistike. Kështu, çdo gjë nisi në emër të turizmit nga të ashtuquajturit partnerë strategjikë, siç na e mësojnë veshin qeveritë, që mbarojnë resorte turistike pasi furnizohen me dokumentacion nga administrata lokale dhe qendrore. Kështu, mbase lloji i tyre apo vetë ata, pasi i përfunduan ndërtimet te grekët e gjetkë, i janë sulur edhe Ulqinit me rrethinë, kuptohet në bazë të projekteve gjoja zhvillimore që qeveritë i miratojnë pa pëlqimin e popullsisë autoktone. Pra, në realitet, shitja e tokës për resorte turistike është bërë brenda kësaj dekade akt korruptiv pasi nuk kalon për miratim as në Kuvendin e Ulqinit dhe as të bashkësive lokale. Prandaj, si veteran politik, por para së gjithash si qytetar të cilit pushteti i dy niveleve po i grabit tokën, po marr mundimin ta trajtoj këtë çështje që në zanafillë.
Kujtoj se kjo çështje ka filluar që në kohën kur unë isha kryetar i Kuvendit të Ulqinit, kurse Gzim Hajdinaga kryetar i Komunës, i zgjedhur nga populli, kur në platformën tonë zhvillimore kishim planifikimin dhe falë këtij angazhimi më ka takuar që të nënkshkruaj për herë të parë pas më shumë se njëzet viteve dështimi, 19 plane urbanistike. Por atëbotë nuk menduam se kjo do të paraqiste rast që sot të shesim gjithë Ulqinin për investime të tilla që po u paraprinë zjarri. E kjo domethënë se në fakt zjarret paraqesin lidhjen ndërmjet politikës dhe investimeve.
E gjithë kjo që thamë filloi në kohën kur derisa isha kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit opozita e asaj kohe, sot në pushtet, pati vendosur dy bilborde para godinës së Komunës së Ulqinit, me thëniet për ta profetike: “Kush na shet dhe kush na blen” dhe “Afër detit, afër mbretit”. Pa çka se atëherë e menduam ndryshe zhvillimin e Ulqinit, për ç’gjë njoftuam edhe të huajt si partnerë strategjikë, që nuk ishin as arabë, as kinezë, por as amerikanë. Më vjen shumë keq që po i humbasim të gjitha pronat, por ndjehem krenar e njëkohësisht edhe fajtor si pjesëtar i komunitetit, sepse më duket se nuk jemi pjekur që ta zhvillojmë qytetin për gjeneratat e ardhshme. Pra, ndihem krenar që, kuptohet bashkë me Hajdinagën, nuk shitëm asnjë pëllëmbë tokë të Komunës, edhe pse e kishim rastin. Për konkretizimin e pikëpamjeve tona, por edhe të deputetit Luigj Shkrela, bëmë planifikimin që të tjerët nuk arritën ta bënin as për 30 vjet, sepse mendonin vetëm për xhepin e vet.
Rasti është të veçoj këtu një vizitë njëditore pune në Ulqin të ambasadorit amerikan Roderik Mur, i cili pasi zhvilloi bisedime në Komunë, sipas agjendës u nis nga Rana me anije drejt lumit Buna. Kur arritëm diku te Guri i Gjeranave, na pyeti: “A do të kishte qenë i mirëpritur kapitali amerikan sikur këtu të ndërtohej një Dubai i ri?!” Hajdinaga iu përgjigj menjëherë me një “JO” të madhe, me arsyetimin se në këtë rast popullsia autoktone vendase nuk do t’i mirëpriste nga droja se do të mbetnim pakicë dhe rrezikoheshim nga ardhacakët, duke shtuar që Plazhi i Ulqinit do të duhej të ruhej si pasuri natytore edhe për brezat e ardhshëm. Hajdinaga shtoi se do të mund t’i jepnim vetëm dy kilometra të Plazhit të Madh për këto lloj investimesh. Dhe si për çudi, ambasadori amerikan u përgjigj se “edhe Amerika mendon njëjtë”!
E sot kur opozita e dikurshme mori pushtetin, ka nxjerrë në shitje tërë Ulqinin, duke shkelur madje edhe vetë Planin Hapësinor në fuqi, që miratohet dhe mbikëqyret nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sa për analogji, Komuna e Ulqinit dhe Qeveria vijojnë t’i ndryshojnë planet urbanistike pa pyetur fare popullin në kohën kur në Shqipëri populli thërret dhe proteston me moton “Rama ik” për shkak të shitjes së Zvërnecit.
Kështu për interesa të ndryshme personale, planifikimi i shtrirjes së qytetit ka ndryshime që prekin autonominë e banorëve të Ulqinit, por edhe të OKB-së. Për shembull, me planin e mëhershëm të OKB-së hapësira e përfshirë në flakë figuron si zonë e mbrojtur zhvillimore e Adriatikut për njëzet vitet e ardhshme, kurse sot në planifikimin e ri nuk figuron më si zonë e mbrojtur e Detit Adrtiatik, por e liqenit të Shkodrës, kupto Tivarit! Kurse ato vende që me planin paraprak ishin monumente të kulturës të klasit të parë, në projektin e ri që ka nxjerrë komuna për investime (shitje) janë toka bujqësore. E Qyteti i Vjetër i Shasit, sipas Forcës, na del si fshtra mesjetare! Si intelektual nuk kam dëgjuar që paska edhe fshat mesjetar si kategori shoqërore! Për këtë skandal (nxjerrjen e tokës në shitje) duhet të reagojë edhe prokuroria. Aq më tepër nëse ti atje nga pozita blen tokë për 5 euro një metër katrore, duke qenë në konflikt interesi dhe përmes institucionit personalisht e bën tokë të urbanizuar, duke e shitur më vonë me 500 euro një metër katrore.
Për fund, nëse edhe këtu ku ra flaka, në Mal të Brisë, na del përsëri si investitor strategjik Alabari, atëherë logjika ta thotë se zjarri qenka i qëllimtë – mbase si kompensim për investimin e paralajmëruar në bregdet, ngase merret vesh nga vetë ai se nuk është i kënaqur me investimet e planifikuara në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi, duke fajësuar këshilltarin e tij nga India.
Tekefundit, urojmë që nga i gjithë ky investim nëse realizohet, të paktën të përfitojnë edhe qytetarët e Ulqinit, sepse sipas OKB-së, 17 për qind e përfitimit nga rryma e prodhuar u takon banorëve të Ulqinit. Por me sa duket, shitblerja po vazhdon sipas recetës së mëparshme të Mozhurit!
