
Prej disa vitesh flasim për përdorimin e gjuhës shqipe në Mal të Zi. Në fillim mund të dukej si një çështje e vogël: një tabelë që mungon, një dokument që nuk ofrohet në shqip, një institucion ku përdorimi i gjuhës sonë shihet si diçka që mund të presë.
Por asnjë e drejtë nuk duhet të presë. Mali i Zi e njeh me Kushtetutë dhe me ligj të drejtën e komuniteteve pakicë për përdorimin e gjuhës së tyre. Në Plavë, shqipja është përcaktuar edhe me statutin e Komunës si gjuhë në përdorim zyrtar. Atëherë, pse duhet të luftojmë ende që një e drejtë e garantuar në letër të bëhet realitet në jetën e përditshme?
Ndoshta problemi ynë ka filluar pikërisht nga ato gjëra që për vite i kemi quajtur “të vogla”. I kemi lënë të kalojnë. Kemi heshtur. Kemi pranuar që disa gjëra të mos zbatohen, sepse menduam se nuk ishin mjaftueshëm të mëdha për të ngritur zërin. Por kur një e drejtë lihet pas dore një herë, pastaj edhe një herë tjetër, mungesa e saj fillon të duket normale. Dhe kjo është ajo që nuk duhet të lejojmë më.
Debati i fundit në Ulqin për drejtimin e një shkolle ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, e ka rikthyer këtë çështje në vëmendjen publike. Ka pasur pretendime dhe kundërpretendime lidhur me njohjen e gjuhës shqipe nga drejtoresha e emëruar, të cilat institucionet i kanë interpretuar ndryshe. Por përtej këtij rasti konkret, pyetja që mbetet është shumë më e madhe:
Sa seriozisht po zbatohet në praktikë e drejta e shqiptarëve për gjuhën e tyre?
Kjo nuk duhet të jetë luftë kundër një personi, një partie apo një kombi tjetër. Është një kërkesë për respektimin e ligjit. Dhe pikërisht për këtë arsye, mendoj se shqiptarët në Malin e Zi duhet të jenë më të bashkuar kur bëhet fjalë për gjuhën, dinjitetin dhe të drejtat e tyre. Jo të bashkuar kundër dikujt, por të bashkuar për atë që na takon me ligj.
Në këtë moment, zëri i Nik Gjeloshajt është një nga zërat politikë që po e ngre publikisht këtë çështje dhe po kërkon një reagim të përbashkët të forcave politike shqiptare ndaj rasteve që ai i konsideron diskriminuese. Por kjo nuk duhet të mbetet vetëm çështje e politikanëve. Është çështje e çdo shqiptari në Mal të Zi. Sepse gjuha nuk është vetëm mënyra sesi flasim. Është mënyra se si një komunitet e njeh veten, si i drejtohet institucionit të vet dhe si ua përcjellë fëmijëve historinë dhe identitetin e tij.
Dhe kur dëgjojmë fraza që një shqiptar duhet “të shkojë në Shqipëri” vetëm sepse kërkon të përdorë gjuhën e vet ose të kërkojë një të drejtë të garantuar, atëherë nuk po flasim më për një debat normal qytetar. Po flasim për një problem që duhet marrë seriozisht. Ne nuk kemi nevojë të largohemi nga askush. Kjo është edhe shtëpia jonë.
Dhe ndoshta ka ardhur koha që të mos presim më që çdo problem të bëhet i madh përpara se të flasim. Sepse problemet e mëdha shpesh fillojnë nga gjërat e vogla që të gjithë vendosëm t’i lëmë për nesër.
Sot duhet të flasim. Jo me urrejtje. Jo kundër askujt. Por me dinjitet, me ligj dhe së bashku. Sepse një e drejtë që nuk zbatohet në jetën e përditshme është vetëm një e drejtë e shkruar në letër.
