
Para më se një muaj, konkretisht më 9 korrik 2026, në të përjavshmen “Koha javore” (nr. 1218) botova tekstin me titull “Proskripcioni në arsim”. Me atë rast sqarova se çka nënkupton kjo fjalë, paraqita situatën në të cilën, fatkeqësisht, ndodhet arsimi, si edhe keqpërdorimin e pozitës nga disa drejtorë, të cilët, edhe pse nuk e meritojnë pozitën në fjalë pasi që janë emëruar falë militantizmit të tyre politik, nuk ndalen të sillen në mënyrë arrogante, sepse ka mundësi që mendojnë se shkolla dhe ata janë një, prandaj e trajtojnë si pronë private dhe çdo mospajtim me punën apo qëndrimet e tyre merret si sulm ndaj shkollës dhe personalitetit të tyre. Është shumë interesant fakti se, në tekstin në fjalë, ndonjë drejtor duket e ka gjetur edhe veten te tipi i drejtorëve të përshkruar, pasi që, para disa ditësh, konkretisht më 7 gusht 2026, përmes postës më ka ardhur një vërejtje prej disa faqesh, me anë të së cilës më tërhiqet vërejtja se gjoja nuk i kam përmbushur detyrat e parapara gjatë vitit mësimor 2025/2026 dhe mund të ndërmerren masa ndaj meje. Fjala është për mosnotimin në kohë, si edhe për mosmbajtjen e mjaftueshme të orëve shtesë dhe plotësuese. Sa i përket mosnotimit, fjala është për disa maturantë të cilët gjatë gjithë kohës i kanë pasur notat dhe kanë qenë të informuar për të njëjtat, por disa nota kanë munguar në ditar pasi që nuk kam dashur që notat e tyre t’i zbres dhe kam pritur deri ditën e fundit të procesit mësimor, në mënyrë që të kenë mundësi t’i mbrojnë apo t’i rrisin notat. Mirëpo ditën në fjalë (19 maj 2026), e cila ishte dita e fundit për maturantët, drejtori e ka marrë ditarin nga salla e profesorëve dhe e ka mbajtur te vetja në zyrë, ashtu që nuk ka lejuar ta marrë mësimdhënësi që nuk ka pasur orë atë ditë me paralelen e caktuar, pa marrë parasysh, që për hir të nxënësve u kisha mundësuar të pyeten edhe ditën e fundit. Arsyeja, sipas tij: “nuk ke orë sot me ata”. Mirëpo, realiteti është diçka tjetër. Problemi ishte se isha unë në pyetje dhe jo ndonjë i/e përkëdhelur i udhëheqjes së shkollës. Pastaj, në mbledhjen e këshillit të paraleles, ai vetë kërkon që unë të propozoj notat për nxënësit, çka edhe e bëra, pasi gjatë gjithë kohës i kisha në shënimet e mia. Për këtë çështje, pas pak ditësh kishte nisur vërejtjen me shkrim, e cila u shpall e pafuqishme nga inspeksioni i punës. Mirëpo, duket se drejtori është edhe mbi inspeksionin, pasi që këtë çështje të mbyllur edhe nga vendimi që ka sjellë vetë më 12 qershor 2026, e riaktivizon sërish, ashtu që në vërejtjen e fundit, përveç këtij rasti, gjoja shton edhe shkelje të tjera të bëra nga unë. Kjo besoj e dëshmon qartë se çka është në pyetje dhe çka nënkupton, kur riaktivizohet diçka që është mbyllur njëherë. Kësaj i thonë qartë: proskripcion (përndjekje).
Sa i përket akuzës së dytë, lidhur me mosmbajtjen në numër të mjaftueshëm të orëve plotësuese dhe shtesë, duhet potencuar se me dhjetëra kolegë i kanë fituar vërejtjet për të njëjtën gjë, mirëpo, shumica e tyre vazhdojnë të heshtin. Është paraparë që nxënësit të vijnë në orët e lartpërmendura, por, kryesisht, nuk janë paraqitur dhe nëse nuk paraqiten, orët nuk ka logjikë të shënohen pasi që është falsifikim. Mirëpo, një numër i konsiderueshëm i kolegëve i kanë shënuar orët, edhe pse nuk i kanë mbajtur, pasi që nxënësit, siç e potencova, kryesisht nuk kanë ardhur, çka nuk është shqyrtuar fare, por, me rëndësi që orët janë shënuar. Këto orë kanë qenë të parapara të mbahen ditëve të shtuna, me çka u është marrë dita e pushimit si nxënësve, ashtu edhe mësimdhënësve, edhe pse kishte hapësirë të mbahen gjatë ditëvë të punës, pas orëve të rregullta. Ndonjë nga ne i ka kaluar këto orë ditëve të punës, pas orës së shtatë, por nxënësit kanë vazhduar të mos vijnë. Pra, është interesante se si mund të jetë fajtor mësimdhënësi për këtë “mosmbajtje” të orëve?!
Vlen të potencohet se nga ardhja në pozitë, drejtori ndaj mësimdhënësve të caktuar është sjellë në mënyrë jokorrekte dhe është munduar që disa t’i largojë nga puna, çka fatkeqësisht edhe ia ka arritur përmes presionit dhe mungesës së vendimit të përherëshëm të punës, të largojë edhe ndonjë mësimdhënës/e cilësor/e. Po ashtu, ka edhe të tillë, mësimdhënës shumë cilësorë, që për të njëjtat arsye, vetë kanë kaluar në ndonjë institucion tjetër, pasi që nuk kanë dashur që përherë të vazhdojnë punën nën presion. Fatkeqësisht, shkolla jonë me shkuarjen e tyre, në veçanti me shkuarjen e doktorantit të matematikës, ka humbur shumë, pasi që është vështirë të gjendet profesori adekuat i lëndës në fjalë.
Andaj, shtrohet pyetja se sa është legjitime që një drejtor të sillet brenda një institucioni publik sikur të ishte pronë private apo trashëgimi familjare? Si mundet një shtet demokratik që ta lejojë një sjellje të tillë? Si mundet ndonjë përfaqësues politik ta mbështesë një drejtor të tillë? A thua qëllimi i vërtetë është që të shkelet arsimi në mënyrë permanente dhe në punë të mbesin vetëm ata të cilët janë të dëgjueshëm dhe nuk ka rëndësi se sa janë cilësorë? Si mendohet të rritet niveli i arsimit, nëse në krye të institucioneve edukativo-arsimore, nga qarqet politike, vendosen persona të tillë? A mendojnë partitë politike shqiptare për të mirën e arsimit apo bëjnë vetëm pazare, të cilat shpesh mund të jenë edhe në dëm të arsimimit dhe zhvillimit të drejtë të nxënësve shqiptarë? A duhet të jenë mësimdhënësit vetëm skllevër që thonë “po” apo duhet të kenë qëndrimin e vet dhe ta shprehin pa pasur frikë nga pasojat e ndryshme?
Nëse vazhdohet me këtë praktikë, situata do të përkeqësohet dhe mësimdhënësit, të cilët janë profesionistë dhe kanë dinjitet, nuk e di se sa do ta parapëlqejnë punën në arsim dhe nëse këta nuk punojnë në arsim, atëherë arsimin e mori lumi. Andaj, pasi që është e “fshehtë publike” se drejtorët emërohen politikisht, do të ishte mirë që njerëzit e politikës të ndalen dhe të mendojnë pak: A e duan arsimin cilësor dhe a ia vlen që në krye të institucioneve arsimore të vendosen personat jokompetentë, të cilët, duke keqpërdorur pozitën, ushtrojnë dhunë psikike ndaj të tjerëve?! Duhet pasur parasysh se nëse dikush deklaron se është shqiptar dhe, ndonjëherë sa për sy e faqe, e mban edhe flamurin shqiptar në dorë, por në anën tjetër i bën dëm atdheut, mos të mendojë se është atdhetar, sepse historia në fund fare nuk harron dhe secilit ia jep vendin e merituar. Mirëpo, derisa njerëzit profesionistë të mos vlerësohen dhe të lihen nën hije, njerëzit jokompetentë do të vazhdojnë me abuzime, ashtu që proskripcioni në arsim do të vazhdojë dhe mos të befasohet asnjëri sepse arsimi përherë e më shumë është më pak tërheqës për rininë.
P.s. Nëse dikush mendon se me zbatimin e proskripcionit ndaj meje do të më detyrojë të heshtë, e ka shumë gabim!
