Në organizim të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, të enjten mbrëma (30 korrik 2026), në Pazarin e Suvenireve në Ulqin u mbajt koncerti “Këngët e gjeneratave”, një mbrëmje muzikore që mblodhi një numër të madh qytetarësh dhe vizitorësh, duke dëshmuar edhe një herë interesimin e publikut për ngjarjet kulturore cilësore.
Atmosfera u karakterizua nga emocione, nostalgji dhe duartrokitje të gjata, falë interpretimeve të artistëve të njohur shqiptarë Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka. Dy këngëtarët sollën një repertor të pasur me këngë evergrin shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krijuar një lidhje të veçantë me publikun, i cili i shoqëroi interpretimet me entuziazëm gjatë gjithë mbrëmjes.
Në fjalën e tij para publikut, Ardian Trebicka u shpreh se, megjithëse e kishte vizituar më parë Ulqinin, kjo ishte hera e parë që performonte në këtë qytet.
“Kam qenë edhe më herët në Ulqin, por kjo është hera ime e parë që këndoj para publikut këtu. Edhe pse e kam njohur nga larg publikun ulqinak, falë rrëfimeve të Kastriotit, sonte pata mundësinë ta përjetoj nga afër ngrohtësinë dhe mikpritjen tuaj. Ju falënderoj për praninë dhe mbështetjen, ndërsa një falënderim të veçantë ia shpreh z. Gzim Hajdinaga, i cili e bëri të mundur realizimin e këtij koncerti”, tha Trebicka.
Edhe Kastriot Tusha shprehu mirënjohjen e tij për organizatorët dhe mikpritjen në Ulqin, duke veçuar kontributin e Gzim Hajdinagës.
“Dua ta falënderoj Gzimin për mikpritjen. Ai është mik i shtëpisë sime dhe më lidh një miqësi e kahershme me të. Ftesën e parë për të ardhur e për të kënduar në Ulqin e kam marrë pikërisht prej tij. Me përkushtimin e tij vazhdojmë të ruajmë traditën dhe vlerat tona kulturore. Është njeri që kërkon gjithmonë cilësi dhe përkushtim maksimal; ndonjëherë kërkon perfeksion, por ajo që premton, gjithmonë e realizon”, u shpreh Tusha.
Përmes organizimit të koncertit “Këngët e gjeneratave”, Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi konfirmoi edhe një herë përkushtimin e saj për promovimin e diversitetit kulturor, ruajtjen e trashëgimisë së popujve pakicë dhe forcimin e dialogut ndërkulturor përmes artit dhe muzikës.
Nga ky institucion bëjnë të ditur se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë organizimin e programeve kulturore që promovojnë vlerat artistike, afirmojnë diversitetin kulturor dhe pasurojnë jetën kulturore në Mal të Zi.
D. Teliqi
