U miratua Llogaria përfundimtare ebuxhetit përvitin 2025

Plavë – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2026, të mbajtur të martën, më 16 qershor 2026, në sallën e vogël të rikonstruktuar të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku ishin të pranishëm 25 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi i Komunës, u trajtuan, shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh e informatash të punës së organeve të qeverisjes lokale dhe të institucioneve publike që funksionojnë në kuadër të Komunës.
Në seancën që e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, ku ishin të pranishëm kryetari dhe nënkryetarja e Komunës, Nihad Canoviq dhee Bellma Sharkinoviq, si dhe kryeadministratori Adnan Shaboviq, me 19 vota “për”, 3 “kundër” dhe 3 “të përmbajtur” u miratua procesverbali nga seanca e parë e rregullt, e mbajtur më 6 prill 2026, me vërejtjen në përmbajtje të një kapitulli të këshilltares Sabina Kollashinac (PB).
Rendi i ditës prej nëntë pikash, i propozuar nga kryetari Balliq, u miratua njëzëri pa ndryshime dhe plotësime nga ana e këshilltarëve të pranishëm.
Seanca filloi punën me Propozimin e Vendimit mbi Llogarinë përfundimtare të buxhetit të Komunës së Plavës për vitin 2025, e cila ishte pika qendrore e rendit të ditës, prezantuar nga sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Sulejman Deshiq.
Në elaborimin e vet, ai ka bërë të ditur se buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2025 ishte i planifikuar në shumën 8.217.145,78 euro. Të hyrat në shumën 7.450.000,00 euro, shpenzimet në shumën 7.265.228,43 euro, transferimet në shumën 1.931.547,09 euro, pagesa e borxheve në shumën 575.812,05 euro, shpenzimet kapitale në shumën 2.668.988,56 euro, rezerva e përhershme rrjedhëse e buxhetit në shumën 13.881,10 euro dhe gjendja e depozitës, më 31 dhjetor 2025, në shumën 951.917,35 euro, e cila përcillet si hyrje e buxhetit të Komunës për vitin 2026.
Duke qenë se në raportin e parashtruar të Llogarisë përfundimtare në fjalë nuk pati të interesuar për pjesëmarrje në shqyrtimin e tij, këshilltarët e pranishëm me 19 vota “për” dhe 4 vota “kundër” miratuan Llogarinë përfundimtare të buxhetit të Komunës për vitin 2025.
Në punën e mëtejme të seancës, e cila ka zgjatur rreth dy orë, këshilltarët kanë shqyrtuar dhe njëzëri apo me shumicë votash “për” kanë miratuar edhe shtatë propozim vendime që kanë qenë në rendin e ditës: dy propozim vendimet e radhës – Propozim vendimin mbi blerjen e tokës dhe atë mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi shitjen e tokës ndërtimore, të cilat në mënyrë analitike i argumentoi drejtori i Drejtorisë për Investime dhe Rregullim Hapësinor, Fazlija Krciq, pastaj propozim vendimin mbi vërtetimin e Vendimit të kryetarit të Komunës mbi ndryshimet dhe plotësimet e Vendimit mbi tatimin në patundshmëri, të cilin e argumentoi sekretari Deshiq, Propozimin e Statutit të SHPK “Veprimtaritë Komunale” dhe Propozimin e Vendimit mbi dhënien e pëlqimit në Vendimin mbi vërtetimin e çmimit të parkimit në hapësira publike për parkim “Spllavovi”, të cilat i argumentoi drejtuesi i llogarisë së SHPK-së në fjalë, Bujar Hasangjekaj, çështje këto të cilat ndër këshilltarët e pranishëm zgjuan kureshtje dhe interesim të dukshëm, ku dhe në trajtim dhe shqyrtim u kyçen disa këshilltarë.
Këshilltarët miratuan njëzëri propozimin e vendimit mbi emërimin e Rijad Markishiqit sekretar të Kuvendit të Komunës sipas konkursit të shpallur, i cili deri më tani këtë funksion e kreu si ushtrues i detyrës së sekretarit.
Në mungesë të referuesve, informata mbi punën e organeve inspektuese për vitin 2025 (inspektimi i punës, i tregut, për ujë, turistik dhe për të huaj) nuk u shqyrtua.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat