
Libri në fjalë është ndër më voluminozët (730 faqe) që është botuar viteve të fundit në letërsinë shqipe. Ka veçori të romanit të personazhit, të romanit politik, romanit policor apo të spiunazhit, romanit social, romanit psikologjik, romanit historik, romanit të dashurisë etj.
- Titulli
Titulli i romanit përbëhet nga dy fjalë: e para – ngjizja – është në trajtën e përbashkët për të dy dialektet, kurse e dyta – e papërlyeme – në gegërishte. Romani është shkruar në gjuhën standarde, ku përjashtim bëjnë pjesët kur flasin disa personazhe nga zonat e “Veriut”, e folmja e të cilëve jepet gegërisht (gegnisht). Titulli i romanit ta përkujton menjëherë topikën kristiane katolike, gjegjësisht dogmën katolike sipas së cilës shën Maria ishte e papërlyer nga mëkati i rrjedhshëm i Adamit dhe Evës në çastin e ngjizjes së saj në barkun e nënës. - Tema
Romani ka për temë fatin e një çifti bashkëshortor sovjetiko/shqiptar, aktores Ljuba Borisovna dhe inxhinierit Martin Gega. Ata ishin njohur dhe dashuruar në periudhën kur Martini studionte në Bashkimin Sovjetik. Paralelisht me historinë e këtij çifti, por me një pikë rëndese më të vogël në roman, zhvillohet historia e çiftit tjetër shqiptaro/sovjetik, Viktor Sallaku dhe Olja Pisareva, miq të Martinit dhe Ljubës qysh në kohën e studimeve.
Këso martesash ka pasur jo pak në Shqipëri. Mirëpo, pas prishjes së marrëdhënieve politike ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, pushteti komunist shqiptar (Partia) priste që shqiptarët të ndahen nga bashkëshortet e tyre ruse-sovjetike, si një akt – dëshmi e patriotizmit, gjë që një pjesë e tyre edhe e bënë, siç bëri për shembull në këtë roman Viktor Sallaku që e “dërgoi” Oljën në atdheun e saj.
Martini dhe Ljuba nuk pranojnë të ndahen, sepse martesën e tyre e shohin si një histori dashurie pa prapavijë politike dhe se ata përfaqësonin vetveten dhe jo shtetet e tyre. Pushteti komunist shqiptar këtë e kupton si mosbindje të Martinit para interesave të pushtetit dhe fillon persekutimin e tyre. Martin Gega kishte edhe “mëkate” të tjera: i ati i tij ishte vrarë duke kundërshtuar në mënyrë aktive instalimin me dhunë të pushtetit komunist pas luftës, por edhe për arsye se, si student, kishte shkruar një roman, të cilin e ruante si dorëshkrim dhe që kishte përmbajtje “armiqësore”. Viktor Sallaku ishte martuar me sovjetiken Olja, mirëpo gjithë kohën ishte i dashuruar në Ljubën, e cila e dashuronte vetëm bashkëshortin e vet, Martinin.
Viktori vepron në përputhje me vijën politike të partisë në pushtet, e kthen gruan e vet në Bashkimin Sovjetik, kurse kushëririt të vet Neshos – që ishte agjent i Sigurimit, i tregon për dorëshkrimin armiqësor të Martin Gegës. Këtë e bën me shpresën se, pasi Martini të binte në burg, do t’ia dalë ta bëjë për vete Ljubën. Punëtorët e Sigurimit, para të gjithëve Neshoja, provojnë metoda të ndryshme për të ardhur te dorëshkrimi i Martinit, por pa sukses. Pas arrestimit të Martinit, Ljuba e vetëdijshme për rrezikun, e djeg dorëshkrimin, pastaj “miellin” nga letra e djegur e thërrmon dhe e përzien me ujë dhe qullin e përftuar e derdh në lavaman. Pikërisht ato ditë Ljuba fillon të ndiejë dhe vërejë ndryshime të panjohura në trupin e vet. Ndodh diçka e çuditshme: “Ljuba vuri instinktivisht dorën në bark, aty ku ajo besonte se gjendet dorëshkrimi i plotë i romanit të Martinit.” (f. 302) Mjekët, gjinekologët i thonë se ato janë simptome të shtatzanisë. Ljuba ishte bashkëshorte besnike dhe e ndershme, nuk kishte pasur marrëdhënie me asnjë mashkull pas arrestimit të të shoqit, megjithatë mbetet shtatzanë – ngjashëm si Shën Mëria e Besëlidhjes së Re. Këtu e ka shpjegimin titulli (alegorik) “Ngjizja e papërlyeme”.
Romani ka disa histori paralele, ku secila prej tyre do të mund të qëndronte si vepër letrare (novelë, tregim, roman) e mëvetësishme, por përmendja e të gjithave do të zinte shumë vend në këtë vështrim. Asnjë interpretim nuk mund ta kompensojë apo zëvendësojë leximin. Libri është i vëllimshëm, por tema interesante dhe narracioni virtuoz e përvetësojnë shpejt lexuesin dhe nuk e lënë t’i shqitet pavarësisht nga koha që kërkon. - Një roman i vogël brenda romanit të madh
Dorëshkrimi i Martin Gegës, preteksti dhe pjesërisht shkaku (pasi ka edhe shkaqe të tjera) i persekutimeve që organet sekrete të shtetit i përgatisin çiftit të ri, me titullin “Pjella”, është gjetje tjetër kreative e autorit – roman brenda romani. Subjekti apo fabula e romanit në dorëshkrim “ka të bëjë me mizoritë e partizanëve diku, në një krahinë të Veriut, mandej për pushkatimet pa gjyqe, sipas listave të zeza, që kanë kryer, sipas tij, ekspeditat e Sigurimit andej, pas lufte.” Inxhinieri shqiptar dhe bashkëshortja e tij sovjetike goditen për shkak të një romani në dorëshkrim, pra për diçka fiktive, që larg e larg ta përkujton “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë – atje përndiqesh për ëndrrat, këtu për librat – që në fakt përshkruajnë të njëjtën atmosferë, të diktaturës komuniste – totalitariste.
Dorëshkrimi i Martin Gegës jepet fragmentarisht, jo i plotë. Viti i saktë kur ndodh ngjarja e romanit nuk jepet në mënyrë eksplicite, por nga konteksti nënkuptohet se ndodh gjithsesi pas kapitullimit të Italisë fashiste, diku kah fundi i Luftës së Dytë Botërore ose menjëherë pas saj. Personazhi kryesor është një djalosh që sapo ka kryer internatin shtatëvjeçar. Në ditën kur mendjen dhe ndjenjat ia ka pështjelluar puthja e parë e shkëmbyer me Luçën, përfshihet në një ngjarje me rrezikshmëri të madhe. I ati i jep për detyrë që një kalë të ngarkuar me furnizime (ushqime) t’ia dorëzojë në mal Jup Ndreut, gjegjësisht çetës së tij që bënte qëndresë kundër instalimit të Pushtetit popullor komunist. Për fatin e tij të keq, djaloshi kapet nga njerëz me uniforma jeshil – kaki, me shalle të kuqe dhe kapa me yllin e kuq pesëcepësh. Vijojnë përshkrimet plastike, sipas estetikës të së shëmtuarës, të torturave, vrasjeve, raprezaljeve që, mbi popullatën e pabindur dhe të pambrojtur, zbatojnë njerëzit me uniformën e shtetit, duke qenë njëkohësisht hetues, gjykatës dhe ekzekutues. Tabllot e terrorit që e përjeton në lëkurën e vet djaloshi, janë tepër rrëqethëse. Aty-këtu feksin komente apo përsiatje kritike të narratorit, si p.sh. “Historia do të vazhdojë të mbetet një bijë bastarde e Kohës, përderisa atë do ta vazhdojnë ta shkruajnë vetëm fitimtarët”, apo “Kujtesa e vetme e lejuar të shkruhet është ajo e fitimtarëve”, ku historia interpretohet si një lloj palimpsesti – “e paprekshme quhet vetëm fytyra e saj e fundit. Fytyrat e saj të mëparshme, me kohë i harrojnë dhe vetë fitimtarët”. (f. 525) Psikologjinë dhe karakterin sadist të instaluesve të pushtetit popullor të ri, narratori e jep edhe nëpërmjet vokabularit të tyre, kur u drejtohen “reaksionarëve” – që janë njerëz të zakonshëm nga populli: “Do t’ua djegim shtëpitë! Do t’ju përvëlojmë me mace e me minj, tradhtarë! Do t’jua qijmë nuset e vajzat ndër sy! Do t’jua vrasim djemtë! Do t’ju plasim birucave! Do t’ju varim për gjuhe! Do të kalbeni burgjeve! Do t’ju internojmë, të vdisni në llucë! “ (f. 529) Një vokabular i tillë ishte i ndaluar, madje i paimagjinueshëm në veprat letrare dhe filmat e realizmit socialist pas lufte, sepse partizanët dhe komunistët prezantoheshin gjithmonë si të mirë, të edukuar, të matur, të ditur, me kulturë, mbrojtës dhe jo terrorizues të popullit. - Kompozicioni
Syzheu apo renditja e ngjarjeve në roman nuk është në përputhje me fabulën, domethënë linja kryesore narrative nuk zhvillohet thjesht nga pika A deri te pika ZH si vijimësi kohore hap pas hapi, por ka lëvizje në kohë, kapërcime nga njëra kohë në tjetrën – një ngjarje që në fabulë ndodh më vonë, në roman rrëfehet përpara, pra si njëfarë makine kohore, ku nganjëherë lexuesi më parë njihet me pasojat sesa me shkaqet. Kjo nuk ndikon në cilësinë e përjetimit as në zbutjen e kureshtjes së lexuesit, sepse moti është thënë se në letërsi nuk ka rëndësi vetëm ajo që thuhet por edhe mënyra si thuhet.
Romani fillon me Prologun, i cili në fakt është një pjesë e zhvendosur e epilogut – është marrë nga fundi, ku e ka vendin logjik, dhe është vendosur në fillim. Pas prologut romani përmban pesë pjesë: Ofelia s’del në skenë, Kushërinjtë, Hell i ngadaltë, Orë pa akrepa (intermexo), Ç’lajme na sjell, Hermes? Pjesa përfundimtare e romanit, e quajtur Prolog, paraqet një shkrirje apo përzierje të fakticitetit dhe fiksionit, ku Romani, që aty shfaqet si fruti i ngjizjes së papërlyeme të Ljubës, por në moshën madhore, tregon se veprën e shkroi gjatë qëndrimit gjashtëmujor në Vjenë, në bazë të dokumentacionit arkivor dhe copave të rrëfimeve të njerëzve që kishin dijeni për ngjarjen kryesore dhe për ngjarjet e tjera, plotësuese. - Narratorët
Romani është kompleks në aspektin rrëfimor. Për shembull, pjesa e parë (OFELIA S’DEL NË SKENË) rrëfehet në vetën e tretë, kurse pjesa e tretë (HELL I NGADALTË) në vetën e parë. Narratori i Prologut, duke folur në vetën e parë, tregon se Ljuba Borisova Preobrazhenskaja është nëna e tij dhe se vetë quhet Roman. Ndërtohet një lojë me shumë shtresa kuptimore: narratori / njeriu me emrin Roman i drejtohet së ëmës me fjalët se duke qenë prej mishi e gjaku nuk mund ta pranojë se është një krijesë prej letre, imagjinate dhe shkronjash… E megjithatë, narratori është një personazh fiktiv, pjesë përbërëse e një romani. - Përfundim
Me temën që shtjellon, stilin e veçantë dhe përdorimin mjeshtëror të gjuhës në leksik, morfologji e sintaksë; me thurjen planimetrike të shumë ngjarjeve e linjave narrative; me përshkrimet analitike të psikologjisë së personazheve dhe zbërthimet e motivuara të veprimeve të tyre; si edhe me lidhjet e shumta ndërtekstore, libri Ngjizja e papërlyeme përfaqëson një ngritje cilësie jo vetëm në krijimtarinë letrare të Agron Tufës, por edhe në letërsinë e sotme shqipe. Penda e Tufës lavron thellë e bukur, duke mbajtur zgjuar interesin e lexuesit nga faqja e parë deri tek e fundit.
