Guci – Delegacioni i Komunës Novi Grad (Qyteti i Ri) – Sarajevë qëndroi në vizitë zyrtare në Komunën e Gucisë, me ç’rast më 26 maj 2026 u nënshkrua Memorandumi i binjakëzimit në mes të këtyre dy komunave.
Memorandumin e nënshkruan Sanell Balliq, kryetar i Komunës së Gucisë, dhe Sefer Efendiq, kryetar i Komunës Novi Grad – Sarajevë, akt zyrtar ky me të cilin është zyrtarizuar fillimi i fazës së re të bashkëpunimit institucional, kulturor dhe ekonomik në mes të dy komunave.
Ky hap i rëndësishëm paraqet vërtetimin e përcaktimit kah fuqizimi i marrëdhënieve miqësore, besimit të ndërsjellë dhe lidhshmërisë së bashkësive lokale përmes projekteve konkrete dhe iniciativës me interes të përbashkët.
Memorandumi parasheh bashkëpunimin në fushat e vetëqeverisjes lokale, zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit, sportit, programeve rinore, si dhe këmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me qëllim të avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të të dy komunave.
Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, në fjalën e rastit ka theksuar se binjakëzimi me Komunën Novi Grad (Qyteti i Ri) – Sarajevë është me rëndësi të veçantë për Gucinë, duke pasur parasysh lidhjet e mira tradicionale, vlerat e përbashkëta dhe afërsinë e qytetarëve tanë. Është theksuar se ky bashkëpunim do të hapë mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta, tërheqjen e investimeve dhe lidhshmërinë rajonale më të fuqishme.
Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të binjakëzimit është bërë me dije se një numër i konsiderueshëm banorësh të komunës Novi Grad – Sarajevë, ka prejardhje nga trevat e Plavës dhe Gucisë, e të cilët kanë dhënë kontribut edhe me rastin e mbrojtjes nga agresioni, me ç’rast shumë sish kanë flijuar jetën në mbrojtje të Sarajevës.
Përfaqësuesit e të dy komunave kanë shprehur bindjen se Memorandumi do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore, fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe krijimin e rasteve të reja për gjenerata të ardhshme.
Nënshkrimi i Memorandumit paraqet edhe një hap të rëndësishëm kah afirmimi i Komunës së Gucisë në nivelin rajonal dhe vërtetimin e përcaktimit të administratës lokale kah ndërtimi i marrëdhënieve partnere me komunat nga rajoni dhe diaspora.
Sh. Hasangjekaj
