Në Ulqin u mbajt Konventa e tretë zgjedhore e Lëvizjes Qytetare URA, një aktivitet që mblodhi anëtarë, mbështetës, qytetarë dhe mysafirë të shumtë në një atmosferë qytetare, kulturore dhe festive. Konventa u organizua të premten mbrëma (15 maj 2025) te Pazari i Suvenirëve, ku përveç pjesës politike dhe organizative, një vend të veçantë pati edhe arti dhe muzika qytetare.
Në hapje të aktivitetit u theksua rëndësia e kësaj konvente si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e deritanishëm të partisë, por edhe si një mundësi për të ndarë vizione dhe ide për të ardhmen. Gjatë mbrëmjes u përçua mesazhi i bashkëpunimit, respektit dhe unitetit.
Konventa u cilësua si një moment i rëndësishëm edhe për vetë organizimin e partisë, pasi përmes procesit demokratik u zgjodh udhëheqësia e re e degës së URA-s në Ulqin. Përveç kryetarit Omer Bajraktari, nënkryetarë u zgjodhën Muho Uruçi (arkitekt i diplomuar), Ivana Karagjinoviq (magjistre e menaxhimit të sektorit publik), Simo Dediq (menaxher në turizëm dhe hoteleri) dhe Fuad Bajri (specialist i ekonomisë), kurse sekretar i ri u zgjodh Besart Hoxha, specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Të pranishmëve iu drejtuan lideri i LQ URA, Dritan Abazoviq, dhe kryetari i degës së partisë në Ulqin, Omer Bajraktari. Në fjalën e tyre ata shprehën bindjen se URA do të rikthehet në pushtet në Komunën e Ulqinit, me synimin që qyteti të hyjë në një fazë të re zhvillimi.
Kryetari i degës së URA-s në Ulqin, Omer Bajraktari, vlerësoi se pas ndryshimeve politike të vitit 2020, Ulqini ka shënuar përparim të dukshëm. Ai përmendi Kriporen dhe Valdanosin, si dhe zhvillimin e projekteve turistike, duke theksuar se “para vitit 2020 Ulqini ishte ndër komunat më të varfra, ndërsa sot situata është ndryshe”.
Sipas tij, këto ndryshime janë rezultat i bashkëpunimit me qeverinë e udhëhequr nga Abazoviq.
Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, shprehu bindjen se URA do të rikthehet në pushtet në Komunën e Ulqinit, me synimin që qyteti të hyjë në një fazë të re zhvillimi.
“Ne do të rikthehemi në pushtet me këngë”, u shpreh Abazoviq.
“Këtu gjyshërit e mi mbollën farën e vjetër, amanetin më të bukur që më lanë, që këtu të plakem edhe unë”, u shpreh Abazoviq.
Ai shtoi se është i gatshëm të çojë deri në fund këtë amanet dhe “ta mbrojë Ulqinin dhe ta shndërrojë atë në një qendër turistike evropiane dhe vend investimesh me të cilin do të krenohen qytetarët”.
Duke folur për gjendjen politike dhe zhvillimore të qytetit, Abazoviq kritikoi mungesën e vëmendjes institucionale ndaj Ulqinit.
“Ulqini në hartën shtetërore nuk ekziston prej dy vitesh, nuk ka as baba as nënë, as krye të shtëpisë që të kujdeset për të”, deklaroi ai, duke shtuar se qyteti shpesh përmendet vetëm kur, sipas tij, ka interesa për shfrytëzim të burimeve të tij.
“Por mos u brengosni, në vitin 2027 do të kthehemi me këngë dhe me buzëqeshje”, tha ai para të pranishmëve, duke theksuar rikthimin politik të URA-s.
Mbrëmja u pasurua edhe me program artistik, ku interpretuan artistë dhe këngëtarë të njohur nga Ulqini. Publiku pati rastin të shijojë muzikë qytetare dhe interpretime që krijuan një atmosferë ndryshe nga konventat klasike politike.
Nga LQ URA vlerësuan se ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë e kulturës, qytetarisë dhe bashkimit në jetën publike të Ulqinit, duke e kthyer “Natën e Ulqinit” në një mbrëmje të veçantë për të gjithë të pranishmit.
D. Teliqi
