
Zgjedhja e presidentit ka nxjerrë në pah edhe një herë dobësitë e sistemit juridik në Kosovë dhe papërgjegjshmërinë e klasës politike, e cila për interesa personale dhe partiake është në gjendje të krijojë kriza politike, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Asnjë kushtetutë, sado e përparuar të jetë, nuk mund t’i parashikojë të gjitha rastet e mundshme që ofron praktika. Por në rastin e Kushtetutës së Kosovës, disa përcaktime ligjore lënë shteg për keqinterpretime dhe keqpërdorime, siç ishte rasti me shpërndarjen e Kuvendit nga ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu. Po ashtu, përcaktimi kushtetues që parashikon kuorumin prej 80 deputetëve në rastin e zgjedhjes së presidentit, pavarësisht qëllimit të mirë që mund të ketë pasur nga hartuesit e kushtetutës, duket i palogjikshëm, sepse krijon hapësirë dhe mundësi për bllokimin e vazhdueshëm të shtetit nga pakica. Sepse kushtetuta si akti më i lartë juridik i një shteti duhet të ofrojë zgjidhje dhe të mos lërë dilema.
Këto boshllëqe kushtetuese kanë rezultuar me precedente të rrezikshme nga Gjykata Kushtetuese, anëtarët e së cilës në emër të pavarësisë së pushtetit gjyqësor i kanë dhënë vetes lirinë që jo rrallë të dalin edhe mbi kushtetutën e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me krizë të tillë institucionale, por në të kaluarën ato shpeshherë janë zgjidhur me kompromise ndërmjet forcave politike, me ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesit e së cilës ndonjëherë edhe kanë imponuar zgjedhjen e presidentit. Por mbase kjo është hera e parë që përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk kanë qenë të përfshirë në zgjidhjen e krizës politike. Prandaj dështimi i zgjedhjes së presidentit, përveçse ishte një sprovë, tregon papjekurinë dhe paaftësinë e klasës politike në Kosovë për t’i zgjidhur vetë problemet. Pasojat e krizës së re politike bëhen akoma më të ndjeshme në kontekstin e situatës së brishtë në rajon dhe marrëdhënieve konstante në tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pjesën më të madhe të fajit në krijimin e krizës politike pa dyshim që e kanë vetë aktorët politikë shqiptarë në Kosovë, por nga ana tjetër as institucionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar në shtetndërtimin e Kosovës dhe institucioneve të saj nuk mund të shfajësohen, sepse duke eksperimentuar me Kosovën kanë krijuar në disa aspekte një shtet jofunksional.
Për këtë arsye, ndryshimet kushtetuese, përfshirë edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit, janë jo vetëm të domosdoshme por edhe të pashmangshme. Sistemi juridik i Kosovës ka kohë që e njeh institucionin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli. Prandaj është krejt e natyrshme që kjo të zbatohet edhe në rastin e zgjedhjes së presidentit, duke ndryshuar përcaktimin kushtetues në fuqi sipas të cilit presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Bile është e palogjikshme që zgjedhjet e drejtpërdrejta aplikohen në nivele më të ulëta, siç është rasti i zgjedhjes së kryetarëve të komunave, e jo për zgjedhjen e presidentit!
Kosova nuk guxon të jetë peng e kushtetutës dhe e politikës së papërgjegjshme!
