Mes mbështetjes dhe skepticizmit

“Ky unifikim do të ishte thelbësor për përfaqësimin e fuqishëm dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Ky model gjithashtu do të synonte maksimizimin e votave, rritjen e ndikimit në vendimmarrje, veçanërisht nëpër ato zona ku jetojnë shqiptarët” shprehet gazetari dhe analisti Salaj

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka paralajmëruar para disa ditësh unifikimin e Forumit Shqiptar në një subjekt të vetëm politik, në një intervistë për televizionin kombëtar “Top Channel”, duke deklaruar se ky proces pritet të realizohet brenda një afati të shkurtër.
Sipas Dukajt, unifikimi i shqiptarëve kudo, jo vetëm në Mal të Zi, përbën themelin për arritjen e objektivave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, si dhe për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët, veçanërisht me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe zhvillimin ekonomik, kulturor, gjuhësor, mirëqenien dhe aspekte të tjera.
Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Koha javore” u prononcuan njohës të zhvillimeve politike – analistë, gazetarë, përfaqësues politikë, të cilët shprehen mendime dhe vlerësime për nismën.
Për më shumë sqarime rreth kësaj teme, tentuam të kontaktojmë fillimisht ministrin Marash Dukaj, të cilit i janë dërguar edhe pyetjet me synim informimin e lexuesve, nëse bëhet fjalë për krijimin e një subjekti të ri politik mbi bazën e Forumit Shqiptar apo për shkrirjen e tri subjekteve që aktualisht e përbëjnë atë, por deri në momentin e hyrjes së gazetës në shtyp, nuk morëm përgjigje prej tij.
Gazetari dhe analisti Ali Salaj vlerëson se unifikimi i partive shqiptare është forma më e mirë e përfaqësimit të komunitetit përkatës dhe e ruajtjes së pushtetit atje ku janë shumicë, siç janë Komuna e Ulqinit dhe ajo e Tuzit.
“Ky unifikim do të ishte thelbësor për përfaqësimin e fuqishëm dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Ky model gjithashtu do të synonte maksimizimin e votave, rritjen e ndikimit në vendimmarrje, veçanërisht nëpër ato zona ku jetojnë shqiptarët”, shprehet ai.
Megjithatë, thotë Salaj, duke ndjekur politikën e partive shqiptare që nga fillimi i pluralizmit në Malin e Zi e deri më sot, shqiptarët në vazhdimësi u ndanë në disa parti “dhe e përdorën si turmë elektorale popullsinë shqiptare, e cila viteve të fundit nga pakënaqësia, iu kthye partive malazeze, kryesisht atyre të ashtuquajtura qytetare”.
“Unë mendoj se kjo praktikë do të thellohet në politikën e partive shqiptare në Malin e Zi dhe në të ardhmen pres një fragmentim edhe më të shtuar të këtyre partive”, thekson Salaj.
Sipas tij, unifikimi i partive politike shqiptare mund të arrihet nëse ata vendosin interesin e elektoratit mbi interesin personal.
“Praktikat e deritashme kanë dëshmuar se egot e liderëve politikë kanë dominuar mbi interesin e përgjithshëm të elektoratit dhe si pasojë e pakënaqësive personale deri sot kanë bërë fragmentimin e këtyre forcave politike. Çdo shkëputje që rezultoi me formimin e partive të reja shkaktoi efekte negative te zgjedhësit shqiptarë në Malin e Zi”, nënvizon Salaj.
Ai, në fund të këtij prononcimi, shton se, duke u nisur nga kjo përvojë e hidhur dhe, siç thotë, hileqare e partive politike shqiptare, “nuk besoj se mund të ndodhë ndonjë unifikim i sinqertë kuptimplotë mes tyre”.
Ndërkaq, nga Rilindja Shqiptare, një subjekt i ri politik i themeluar vitin e kaluar, e që pritet të marrë pjesë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme, theksojnë se unifikimin eventual të Forumit Shqiptar në një subjekt të vetëm politik nuk e shohin si një zhvillim thelbësor që ndryshon realisht skenën politike në Malësi.
“Dihet se këto subjekte kanë bashkëpunuar vazhdimisht në procese të ndryshme zgjedhore dhe, në njëfarë mënyre, kanë funksionuar si një trup i përbashkët politik. Për këtë arsye, një bashkim formal nuk përbën ndonjë risi substanciale për qytetarët, por më tepër një riorganizim të brendshëm të së njëjtës strukturë politike”, thotë mes tjerash Prelë Ujkaj, themelues i Rilindjes Shqiptare.
Ai më tej shton se, pavarësisht formës organizative që mund të marrë, qoftë si koalicion apo si një subjekt i vetëm, “në thelb bëhet fjalë për të njëjtët individë dhe për të njëjtën qasje politike që ka qenë prezente ndër vitet e kaluara”.
I pyetur për ndikimin që do të kishte unifikimi i Forumit Shqiptar në pozicionimin dhe performancën elektorale të subjektit të tij në rast të unifikimit, duke qenë se është hera e parë që do të marrin pjesë në zgjedhje, Ujkaj thotë se Rilindja Shqiptare hyn në këtë garë me një qasje krejtësisht të ndryshme dhe, sipas tij, sido që të ndodhë, kjo nuk i prek idetë dhe planprogramin e veprimit dhe rezultatin e tyre të punës.
“Ne përfaqësojmë një alternativë të re, të pavarur, me një program të qartë politik, të fokusuar në zhvillimin real të Malësisë, mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe rikthimin e besimit në institucione”, theksoi Ujkaj.
Analisti dhe juristi Robert Camaj vlerëson se ideja e unifikimit të partive nacionale shqiptare përbën një domosdoshmëri politike e cila, sipas tij, vjen si rezultat i një përvoje të gjatë fragmentimi.
“Deklarata e ministrit Dukaj pasqyron një moment të vonuar, por të nevojshëm pjekurie politike. Ajo nuk duhet parë si një projekt individual, por si një thirrje kolektive për vetëdijesim”, mendon ai.
Camaj më tej thekson se segmentimi ka dëshmuar se e dobëson përfaqësimin, ndërsa “bashkimi ka treguar se e shumëfishon fuqinë tonë politike dhe publike në Mal të Zi”.
“Në këtë kuptim, unifikimi nuk është vetëm strategji politike, por edhe përgjegjësi ndaj vetes dhe votuesve”, thotë ai.
Për të, një subjekt i unifikuar krijon hapësirë që energjitë të mos harxhohen në ndarje, por të kanalizohen në avancimin e të drejtave, zhvillimit dhe integrimit pa humbur identitetin.
“Çdo arritje, sado e vogël, bëhet më e qëndrueshme kur mbështetet mbi unitet, sepse unifikimi i spektrit nacional në një subjekt të vetëm – në Forumin Shqiptar, krijon ndjenjën e përkatësisë, se nuk jemi të ndarë por pjesë e një qëllimi të përbashkët”, shton ai.
Camaj mendon se sfida më e madhe nuk është bashkimi në letër, por në mendësi.
“Egoja politike, ambicia për lidership dhe frika nga humbja e rolit kanë qenë shpesh pengesat kryesore, jo vullneti i njerëzve apo i elektoratit shqiptar. Po ashtu, kërkohet një kulturë e re bashkëpunimi, ku secili gjen vendin e vet pa u ndier i anashkaluar, sepse bashkimi kërkon individë të fortë por edhe të gatshëm për kompromis, sepse forca e vërtetë nuk është të jesh i pari por të ecësh bashkë”, thekson Camaj.
Unifikimi, sipas tij, nëse ndërtohet mbi sinqeritet, respekt dhe vizion të përbashkët, jo vetëm që është i mundur, por edhe i qëndrueshëm, “madje edhe gjithëpërfshirës, edhe ndaj subjekteve që qëndrojnë momentalisht jashtë Forumit Shqiptar”.
Për gazetarin Musa Gjoka, deklarata e ministrit Dukaj për unifikimin e Forumit Shqiptar në një subjekt të vetëm politik është vazhdimësi e një ideje të filluar që nga zgjedhjet e fundit.
“Ideja e unifikimit në parim është pozitive, nëse është e sinqertë, dhe do të përcjellë mesazh të mirë për komunitetin shqiptar. Mirëpo jam skeptik se do të ndodhë duke e njohur strukturën në krye të këtyre subjekteve dhe të kaluarën politike të tyre”, shprehet ai.
Në skenën politike në Mal të Zi, shton Gjoka, aktualisht kemi shtatë parti politike shqiptare që janë pjesë aktive e jetës publike.
“Kjo mori e subjekteve politike nuk ka lindur si nevojë e trupit zgjedhor shqiptar, por si rezultat i ambicieve apo orekseve, kryesisht të disa individëve për kolltukë”, thekson ai.
Duke folur për mundësinë e realizimit të një procesi të tillë unifikimi, Gjoka shprehet skeptik edhe për motivet që mund ta shtyjnë atë.
“Nëse kjo ndodh, nuk e shoh si rezultat të një qëllimi të mirë që ka dalë nga interesi i përgjithshëm por si një manipulim dhe taktizim që është rezultat i një frike nga dështimi në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare që do të mbahen kah mesi i vitit të ardhshëm”, thotë ai.
Gazetari Musa Gjoka shton se ai nuk e përkrah idenë e një subjekti të vetëm politik për shqiptarët.
“Mendoj se pluralizmi politik edhe brenda shqiptarëve është i domosdoshëm, sepse jep hapësirë dhe mundësi për të zgjedhur. Ajo që për mua ka më shumë rëndësi e që brengos, është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve”, shprehet Gjoka.
Unifikimi në përfaqësimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi është cilësuar vazhdimisht si një mundësi e rëndësishme për fuqizimin e zërit të tyre politik dhe rritjen e ndikimit në skenën politike.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat