Bashkërisht për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Bjeshkëve të Nemuna

Manifestimi i tretë rajonal dimëror - Trekufiri 2026 “Një ditë, një majë, një skiator - tri shtete” ka tubuar përfaqësuesit e gjashtë komunave – tri të Kosovës (Pejë, Deçan e Junik), dy të Malit të Zi (Plavë e Guci) dhe një të Shqipërisë (Tropojë)

Plavë – Në qytetin e Bajram Currit të Rrethit të Tropojës, të premten më 13 mars 2026, është organizuar manifestimi i tretë rajonal dimëror – Trekufiri 2026 “Një ditë, një majë, një skiator – tri shtete”, i cili ka tubuar përfaqësuesit e gjashtë komunave – tri të Kosovës (Pejë, Deçan e Junik), dy të Malit të Zi (Plavë e Guci) dhe një të Shqipërisë (Tropojë).
“Takimet e tilla konfirmojnë se viset tona janë natyrisht të lidhura dhe se bashkërisht mund të bëjmë dhe kontribuojmë në zhvillimin e turizmit, promovimin më të mirë të Bjeshkëve të Nemuna dhe të fuqizojmë bashkëpunimin e komunave dhe qyteteve”, ka thënë në fjalën e rastit kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Në vazhdim ai ka theksuar se “mu përmes ngjarjeve të këtilla, hapim hapësirë për përmbajtje të reja, më shumë vizitorë dhe lidhshmëri më të fuqishme të njerëzve në të dyja anët e kufirit. Falënderim i sinqertë Enes Dreshkoviqit për iniciativë dhe bashkorganizim vërtet të qëlluar dhe me vlerë të lartë të kësaj ngjarjeje”.
Kryetari Canoviq e ka përmbyllur fjalimin e tij inspirues duke thënë se “Trekufiri në fjalë le të na bashkojë në ardhmëri”.
Ceremonia solemne e manifestimit është shënuar me program të begatë kulturor, artistik e muzikor nga shoqatat kulturore-artistike të Rrethit të Tropojës, i përcjellë nga një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve nga të gjitha komunat pjesëmarrëse.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat