Hap i rëndësishëm drejt forcimit tëdialogut institucional

Ministri i Zhvillimit Rajonal-Investues dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare, Ernad Suleviq, zhvilloi të premten (13 shkurt 2026) një vizitë pune në Ulqin, ku u takua me kryetarin e Komunës, Genci Nimanbegu.
Gjatë takimit u diskutua për potencialet zhvillimore të Ulqinit, sfidat me të cilat përballet pushteti lokal, si dhe për nevojën e forcimit të mbështetjes për organizatat e vogla joqeveritare.
Sipas njoftimit zyrtar, një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte problemi i ndërtimeve të shumta dhe shpesh të pakontrolluara, që po ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën ekzistuese të qytetit. U theksua se kapacitetet aktuale të rrjetit rrugor, ujësjellësit, kanalizimit dhe shërbimeve publike janë të kufizuara, prandaj kërkohet planifikim më i kujdesshëm dhe zhvillim i qëndrueshëm urban.
Ministri Suleviq dhe kryetari Nimanbegu u pajtuan se zhvillimi ekonomik i Ulqinit duhet të bazohet në shfrytëzimin racional të burimeve natyrore dhe turistike, duke ruajtur identitetin dhe specifikat e komunitetit lokal. Ulqini, si një nga qendrat më të rëndësishme turistike në vend, ka potencial të madh për investime, por këto investime duhet të jenë në përputhje me kapacitetet infrastrukturore dhe me interesin publik.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit të organizatave joqeveritare në komunë. Në territorin e Ulqinit vepron një numër i konsiderueshëm i OJQ-ve të vogla, të cilat shpesh përballen me mungesë burimesh financiare dhe kapacitetesh administrative. Si pasojë, ato gjenden në pozitë më pak të favorshme krahasuar me organizatat më të mëdha kur aplikojnë për fonde publike apo donacione.
Palët u dakorduan se është e nevojshme të shqyrtohet përmirësimi i kornizës normative dhe financiare, përmes krijimit të linjave të veçanta të mbështetjes dhe sigurimit të mjeteve shtesë buxhetore të dedikuara posaçërisht për OJQ-të e vogla. Qëllimi është që këto organizata të kenë mundësi më të barabarta për pjesëmarrje në projekte zhvillimore dhe për forcimin e kapaciteteve të tyre institucionale.
Në përmbyllje të takimit, ministri prezantoi prioritetet dhe planet e Ministrisë që drejton për vitin 2026, duke theksuar gatishmërinë për të mbështetur Komunën e Ulqinit brenda kompetencave përkatëse. Ai nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal është thelbësor për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut institucional dhe koordinimit më efikas në realizimin e projekteve me interes për komunitetin lokal.

D. Teliqi


Takim me përfaqësues të OJQ-ve nga Ulqini dhe Tivari

Gjatë vizitës së tij në Ulqin, ministri Ernad Suleviq është takuar me një grup të përfaqësuesve të organizatave joqeveritare nga Ulqini dhe Tivari, në mjediset e Qendrës së Resurseve “Horizonti i Ri”.
Në takim është diskutuar për forcimin e partneritetit me shoqërinë civile dhe krijimin e një ambienti më të favorshëm për punën e organizatave joqeveritare në nivel lokal.
“Organizatat joqeveritare janë një partner i pazëvendësueshëm i shtetit. Obligimi ynë është t’ju ofrojmë një kuadër të qëndrueshëm dhe të drejtë, dhe i juaji është të kontribuoni në ndryshime konkrete në komunitet me idetë tuaja dhe zbatimin e tyre”, ka thënë ministri Suleviq, duke shtuar se Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Bashkëpunimit me OJQ-të mbetet
një partner i fuqishëm për sektorin joqeveritar, duke qenë e hapur ndaj dialogut dhe ofruar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e shoqërisë civile.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat