Me një pritje solemne në Hotelin Hilton në Podgoricë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vendore, korit diplomatik, sektorit joqeveritar, mediave etj., Ambasada e Republikës së Kosovës shënoi të mërkurën e kaluar (11 shkurt 2026) 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën përshëndetëse, ambasadorja e Republikës së Kosovës, Ariana Zherka – Hoxha ka thënë se kjo datë shënon fillimin e një epoke të re në historinë e këtij vendi.
“Data 17 shkurt ka një domethënie të thellë për ne, duke shërbyer si një moment reflektimi dhe krenarie teksa kujtojmë rrugëtimin e vështirë drejt lirisë. Sot, teksa nderojmë të gjitha gjeneratat që sakrifikuan për lirinë, kujtojmë viktimat e luftës, themeluesit e shtetësisë sonë dhe luftëtarët e lirisë. Duke i nderuar sakrificat e tyre, ne kuptojmë çmimin e lartë që kemi paguar për të arritur këtë moment vendimtar. Prandaj, ne jemi të përkushtuar për të ruajtur lirinë tonë të fituar me mund dhe për të ecur përpara drejt një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike, të integruar në familjen euroatlantike”, ka theksuar ajo.
Ambasadorja Zherka – Hoxha ka thënë se gjatë këtyre viteve, Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie të fortë demokratike, të bazuar në parimet e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe drejtësisë sociale.
“Ne kemi ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, kemi forcuar median e pavarur dhe kemi zhvilluar një shoqëri civile dinamike. Mbi të gjitha, kemi promovuar diversitetin kulturor dhe tolerancën, duke pranuar rëndësinë e shoqërisë sonë multietnike dhe multikonfesionale”, është shprehur ajo.
Sipas saj, “Kosova qëndron ndër demokracitë më të suksesshme në rajon, duke zënë një vend të rëndësishëm në skenën globale, si një partner i përgjegjshëm dhe i respektuar, i përafruar fort me parimet euroatlantike”.
Për këto arritje, ambasadorja Zherka – Hoxha ka falënderuar miqtë dhe aleatët, duke thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Duke follur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ambasadorja e Republikës së Kosovës ka thënë se ato kanë një traditë të pasur, të karakterizuara nga lidhje të forta politike, ekonomike dhe kulturore.
“Së bashku, kemi punuar ngushtë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë. Prandaj, ne e konsiderojmë Malin e Zi jo vetëm si një mik, por si një aleat të ngushtë. Lidhja jonë forcohet edhe më shumë nga komuniteti shqiptar dhe malazez, të cilët me kontributin e tyre aktiv pasurojnë zhvillimin dhe përparimin e të dyja vendeve tona”, ka thënë Zherka – Hoxha.
Në këtë kontekst, ajo ka shprehur mirënjohje për Malin e Zi dhe popullin e tij, të cilët 27 vjet më parë hapën dyert për mbi njëqind mijë qytetarë të Kosovës, duke u ofruar strehim, dinjitet dhe shpresë në ditët më të errëta të historisë sonë.
“Ky akt fisnik mbetet një simbol i fuqishëm i solidaritetit dhe humanizmit, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të përbashkët”, ka thënë ambasadorja.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, ndër të tjerë, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, nënkryetarët e Qeverisë së Malit të Zi – njëherazi ministri i Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq dhe ministri për Zhvillim Ekonomik, Nik Gjeloshaj, pjesëtarë të tjerë të Qeverisë së Malit të Zi, përfaqësues të korit diplomatik në Malin e Zi, kryetarë të partive politike dhe të komunave, përfaqësues të sektorit civil, mediave etj.
i. k.
