Në historinë e lavdishme të Plavë-Gucisë, emrat e Jakup Ferrit dhe Ali Pashë Gucisë qëndrojnë si dy shtylla madhështore të qëndresës dhe krenarisë kombëtare. Ata nuk ishin vetëm luftëtarë të shquar, por edhe prijës me vizion, që në kohët më të vështira e vunë jetën e tyre në shërbim të atdheut.
Jakup Ferri, me trimërinë dhe flijimin e tij në mbrojtje të trojeve shqiptare, u bë simbol i qëndresës së pashuar. Heroizmi i tij frymëzoi breza të tërë, duke dëshmuar se gjaku i derdhur për lirinë nuk shkon kurrë dëm.
Ali Pashë Gucia, një diplomat dhe udhëheqës i mençur, u shqua jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat dhe identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ai mishëronte urtësinë e prijësit popullor që dinte të bashkonte njerëzit dhe të ngriste zërin për drejtësi.
Historia e Plavë-Gucisë është e pandarë nga këto dy figura të ndritshme dhe të shquara, të cilët me gjakun, dinjitetin dhe mençurinë e tyre e kthyen këtë trevë në një kështjellë krenare shqiptare. Pavarësisht padrejtësive historike dhe ndarjes nga trungu i atdheut, Plava e Gucia mbetën një vatër e pashuar e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
Sh. Hasangjekaj
