Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njoftoi më 1 janar 2026 se ka ndërruar jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në dy mandate dhe profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Lajmi se akademiku dhe njëri prej figurave më të njohura politiko-shoqërore të Kosovës të viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe dekadës së parë të këtij shekulli ka ndërruar jetë, u prit me shprehje pikëllimi edhe nga udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës.
Unë kam patur nderin ta takoj disa herë të ndjerin Nexhat Daci, në kapacitetin tim si drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) dhe më herët si shef i Drejtorisë së Zërit të Amerikës për Evropën, më vonë Euroazinë. E kujtoj si një njeri shumë të informuar dhe të angazhuar, por shumë të qetë e të urtë në paraqitje, me një kulturë të gjerë evropiane, me vlera të jashtëzakonshme politike, por edhe jashtë fushës së politikës, si njeri i vlerave intelektuale dhe kombëtare. Por edhe si mik dhe bashkëpunëtor të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin me një rast e kishte cilësuar si “personalitetin më të rëndësishëm të historisë së re në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, sepse ai ishte edhe thyes i komunizmit në gjithë Evropën Juglindore”, duke iu referuar themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si partia e parë politike jokomuniste në rajon, në dhjetor të vitit 1989. Me Ibrahim Rugovën në krye dhe me bashkëpunëtorë të ngushtë si Nexhat Daci e shumë të tjerë, LDK-ja ishte forca kryesore e rezistencës paqësore shqiptare kundër regjimit terrorist të Millosheviqit.
Gjatë atyre viteve dhe më vonë, Nexhat Daci kishte marrëdhënie të mira me komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa ka theksuar gjithmonë kontributin e shqiptaro-amerikanëve për çlirimin dhe më vonë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ai kishte marrë pjesë në darkën gala, të organizuar nga NAAC në vitin 2004, për nder të ish-sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker.
Në takimet e mia me të në Prishtinë, unë si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), ndërsa ai si kryetar Kuvendit të Kosovës, gjithmonë shprehte mirënjohjen e tij, veçanërisht për kontributin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, por edhe të grupeve të tjera të diasporës shqiptare në mbështetje të proceseve politike e shoqërore, gjatë viteve, në Kosovë. Roli dhe kontributi i shqiptaro-amerikanëve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës ishte përherë subjekt i takimeve me të.
Në bashkëbisedimet me të ndjerin Daci, ai ishte shumë mirënjohës duke çmuar lart Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan edhe si një urë lidhëse midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe, përfundimisht, si një urë lidhëse midis dy kombeve tona.
Patjetër që historia e Kosovës, por edhe historia kombëtare do ta vlerësojë dhe do ta kujtojë Nexhat Dacin për rolin e tij në politikë, por mbi të gjitha, ai do mbetet edhe një figurë dhe autoritet i padiskutueshëm intelektual ndër shqiptarë, i cili u përpoq të sillte dijen dhe shkencën në politikë, duke i dhënë politikës një fytyrë më njerëzore. Si njeri me integritet të lartë prej intelektuali, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai u përpoq me natyrën e tij të qetë e të urtë, të sillte norma dhe standarde normale për një legjislaturë të re e pa përvojë politike, të një shteti të ri që posa kishte filluar shtetformimin.
Me ndarjen e Nexhat Dacit nga kjo jetë, jo vetëm Kosova por edhe mbarë kombi shqiptar humbi një figurë që la gjurmë historike me rëndësi në rrugëtimin e shtetit të ri dardan drejt lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot. Është nder dhe privilegj për mua që e kam njohur si intelektual të dalluar, akademik të shquar dhe politikan të ditëve të para të shtetformimit të Kosovës, por edhe si njërin prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe një prej burrave shumëdimensionalë më të shquar të Dardanisë dhe të kombit, i cili punoi prej fillimit si akademik dhe si politikan në konsolidimin e shtetit të ri – Republikës së Kosovës, si shtet i lirë dhe i pavarur!
Në këto ditë zie për familjen Daci dhe për Kosovën, u dërgoj ngushëllimet e mia më të përdhimbshme atyre, por njëkohësisht ndaj dhimbjen, vëllazërisht, edhe me të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me akademik Nexhat Dacin, në Nju-Jork dhe në Uashington, por edhe në Kosovë, sidomos me shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët kanë punuar me të ndjerin Nexhat Daci, duke dhënë kontributin e tyre të pakursyer ndër vite e dekada të kaluara për sigurimin e lirisë dhe për pavarësinë e Kosovës – shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
Frank Shkreli
