Buxhet zhvillimor dhe investues

Plavë – Në seancën e pestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur më 29 dhjetor 2025, në të cilën ishin të pranishëm 27 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh, programesh e planesh të punës së organeve të qeverisjes lokale, institucioneve e ndërmarrjeve publike dhe të organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës. Në qendër të kësaj seance ishin Propozimi i vendimit të Buxhetit të Komunës së Plavës dhe Plani i investimeve për vitin 2026.
Para fillimit të punës së seancës, këshilltarët miratuan njëzëri procesverbalin nga seanca e katërt e rregullt, e mbajtur më 13 tetor 2025.
Puna e seancës vazhdoi pastaj me shqyrtimin dhe aprovimin e rendit të ditës prej 17 pikash, të propozuar nga kryetari i Kuvendit Allen Balliq, i cili me kërkesë të organeve të qeverisjes lokale pësoi ndryshime dhe plotësime. Nga rendi i ditës u tërhoq Propozimi i Vendimit mbi kompensimin për përmirësimin urban të Komunës së Plavës, ndërsa u shtua pika e re – Pyetjet e këshilltarëve, të cilat këshilltarët i miratuan me shumicë votash. Rendin e ditës së seancës, të ndryshuar dhe plotësuar, këshilltarët e miratuan njëzëri.
Në fillim të seancës sipas rendit të ditës, këshilltarët me 26 vota “për” dhe një “të përmbajtur”, në propozim të kryetarit të Kuvendit dhënë Këshillit për zgjedhje e emërime, bazuar në vendimin e inspeksionit të Ministrisë së Administratës Publike që të mënjanohet parregullsia që ka të bëjë me vendin e punës së sekretarit të Kuvendit, kanë shkarkuar nga kjo detyrë sekretarin Rijad Markishiq. Kryetari i Kuvendit theksoi se ndaj vendimit të organit relevant të Ministrisë së Administratës Publike është paraqitur ankesë, derisa për ushtrues të detyrës së sekretarit të Kuvendit propozoi sërish Rijad Markishiqin, propozim i cili u miratua me 24 vota “për” dhe 3 vota “kundër”.
Në vazhdim të seancës, këshilltarët u pajtuan që dy pikat: Propozimi i vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2026 dhe Plani i investimeve për vitin 2026, të shqyrtohen së bashku.
Propozimin e Vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2026 е parashtroi dhe e argumentoi sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Sullejman Deshiq, i cili ndër të tjera theksoi se buxheti në fjalë, i planifikuar në shumën 8.2 milionë euro, vërtet është përmbajtësor, zhvillimor e investues. Buxheti është i ndarë në shpenzimet rrjedhëse në shumën 3.832.900 euro, shpenzimet kapitale 3.909.300 euro, pagesën e borxhit 407.800 euro dhe për shpenzimet rezervaë 50.000 euro.
Sekretari Deshiq theksoi sidomos faktin se madje 48 për qind e buxhetit është i destinuar për investime kapitale: për infrastrukturë, rrugë lokale, avancim të shërbimeve komunale, të objekteve dhe projekteve publike që drejtpërdrejt e rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve.
Planin e investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2026, në shumën prej 3.773.300 euro, të cilat financohen nga buxheti kapital, e elaboroi drejtori i Drejtorisë për Investime dhe Rregullim Hapësinor, Fazllija Krciq.
Në trajtimin dhe shqyrtimin e buxhetit dhe planit të investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2026, që zgjati rreth dy orë, morën pjesë kryesisht këshilltarët e subjekteve politike në opozitë: Ervin Kandiq, Mirza Medunjanin, Boris Turkoviq, Sabina Kollashinac, Ranko Stijoviq, Esad Bajraktareviq, Rasim Osmançeviq dhe Aida Kollashinac, të cilët shprehën mirësi, por edhe vërejtje, sugjerime dhe kritika në përpilimin e tyre.
Në fund të shqyrtimit dhe para miratimit, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, nënvizoi se buxheti vërtet është zhvillimor e investues dhe shprehu bindjen dhe besimin se do të realizohet siç është planifikuar, duke shtuar se ai është buxhet përgjegjësie e vizioni, buxhet i cili qartë porosit: Plava me hapa të sigurt shkon përpara.
Edhe për Planin e investimeve Canoviq tha se do të mundësojë realizimin e zhvillimit të projekteve të infrastrukturës, por edhe të planeve e projekteve të tjera të qeverisjes lokale.
Me votim të hapur, buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2026 u miratua me 21 vota “për” dhe 5 “kundër”, kurse Plani i investimeve me 23 vota “për” dhe 4 vota “kundër”.
Gjatë punës së mëtejme të seancës së Kuvendit, e cila zgjati më se tri orë, këshilltarët me shumicë votash ose njëzëri, me ose pa pjesëmarrje në diskutim, shqyrtuan 13 pikat tjera të rendit të ditës. Janë shqyrtuar dhe miratuar planet dhe programet bashkë me planet financiare të institucioneve, të organizatave dhe ndërmarrjeve publike që veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës, për vitin 2026.
Në seancë u konstatua se hap i veçantë është themelimi i stacionit emetues “Radio Plava”, si medie e re publike në të dy gjuhët – malazeze e shqipe, e cila do të rrisë transparencën e punës së institucioneve, informimin më të mirë të qytetarëve dhe nxisë dialogun e hapur midis qeverisjes lokale dhe publikut.
Në fund të seancës, këshilltarët u informuan për situatën dhe gjendjen e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm në komunën e Plavës për vitin shkollor 2025/2026, si dhe me programin e punës së Kuvendit të komunës së Plavës për vitin 2026.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat