Pesë vite mall, boshllëk e dashuri për ty Dritan

U bënë pesë vite nga ikja jote! Shkove për të mos u kthyer më, duke na lënë të gjithëve të pikëlluar dhe të përmalluar, saqë nuk përshkruhet dot.
Ndihemi bosh, të vetëdijshëm që s’të kemi afër, se dhimbja ka ndryshuar formë, por kurrë nuk shuhet.
Çdo ditë që kalon, kujtim yt jeton, ende është i gjallë, i freskët, i paharrueshëm.
Të kujtojmë jo vetëm ne, por edhe më gjerë nga Ana e Malit, Ulqini, Kraja dhe Tivari – për çdo vepër të mirë, për respektin, konsideratën, dashurinë dhe mirësjelljen, duke theksuar boshllëkun që na e le në zemrat dhe mendjet tona.
U bënë pesë vite nga ikja jote, duke na lënë të pikëlluar, të trishtuar dhe vuajtje pa fund.
Më së shumti lëndove babain Muzaferin, motrën Jetën, bashkëshorten Vahidën, djalin Dorianin dhe vajzën Erionën. Duan të bëhen të fortë, por loti i tradhton! Në zemrat e tyre malli bëhet zjarr që nuk shuhet. Të mbajnë afër në mendime, se prania jote i shoqëron në çdo hap të jetës.
U bënë pesë vite pa njeriun që na dha gjithçka, shprehet motra Jeta, i cili me ikjen e tij mori pjesë të shpirtit tim. “Vëlla, malli nuk është zbehur, dhimbja nuk është tretur, vetëm është bërë më e heshtur. Mungesa jote është e pazëvendësueshme, por dashuria për ty është e përjetshme”.
Mendja dhe zemra e babait, ditë dhe natë, në heshtje thotë: “Biri im i dashur, megjithatë, ti je gjithmonë këtu në një mënyrë të padukshme, në mendimet e mia, në çdo frymëmarrje, në çdo qetësi të natës. Kur zemra ime dhemb, është edhe një dëshmi se dashuria është aq e fortë, saqë kalon edhe vdekjen. Por me ty në zemrën time do të vazhdoj të eci përpara deri ditën kur të takohemi sërish”.
I përjetshëm kujtimi për ty, Dritan!

Bilal Alaj

Të fundit

më të lexuarat