Qani Osmani (1960-2025)

Qani Osmani ka lindur në Gostivar, më 5 shtator 1960. Aty ka kryer shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në vitin 1983 ka përfunduar studimet për Fiolozofi-Sociologji, duke qenë ndër studentët e dalluar të gjeneratës së tij. Pas studimeve ka punuar si profesor në gjimnazin e përgjithshëm dhe në shkollën e mesme ekonomike në Gostivar, ndërsa në vitin 1986 u zhvendos në Ulqin. Këtu ai themeloi Ndërmarrjen Private “Qani Comerc”, duke punuar deri në vitin 2013.
Jeta në mjedisin e ri ishte plot sfida, por në saje të angazhimit të tij në veprimtari private arriti t’i përballojë vështirësitë ekonomike dhe ato shoqërore. Nga angazhimi profesional ka qenë kryeredaktor i gazetës “Koha javore” (2022-2024).
Vdiq më 10 tetor 2025, ndërsa është varrosur më 11 tetor 2025 në Ulqin.
Qani Osmani ishte ndër të vetmit sociologë shqiptarë në Malin e Zi që me studime, artikuj, ese e vështrime është dëshmuar me qasje profesionale e intelektuale. Arikujt e tij, të botuar në mediat e shkruara dhe elektronike, ishin të veçantë për nga qasja mbi rrjedhat shoqërore të hapësirës shqiptare por edhe më gjerë. Ai me kompetencë profesionale ishte kritik ndaj devijimeve politike e shoqërore nga subjektet politike që janë pjesë e qeverisjes lokale dhe shtetërore. Ai ka vlerësuar profesionalizmin e dëshmuar, meritokracinë, përkatësisht sistemin e vlerave dhe ishte kundër antivlerave, servilizmit e militantizmit, si dukuri me pasoja shoqërore.
Në fushën e botimeve, për tetë vite arriti të botojë pesë libra, duke dëshmuar se gjatë kësaj kohe nuk ka qenë statik, por me guxim dhe qasje intelektuale ka trajtuar sfidat e tranzicionit, çështje e cila ende mbetet e hapur duke marrë parasysh të kaluarën si pjesë e ish-kampit socialist. Ai nuk ka vuajtur nga paragjykimet e qasjet lokaliste, përkundrazi çështjet i ka trajtuar në dimensionin mbarëkombëtar.
Duke lexuar librat e Qani Osmanit lexuesi konkludon se vetëm qasja intelektuale i eliminon konformizmin dhe servilizmin, dukuri të njohura për shoqëritë në tranzicion, të cilat nuk janë të panjohura edhe në hapësirën shqiptare. Andaj intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës dhe individët e guximshëm, pa hipoteka nga e kaluara, ku bënte pjesë edhe Qani Osmani, në saje të kritikave konstruktive kanë ofruar ide për zgjidhje të çështjeve kontestuese.
Vdekja e tij e parakohshme është humbje e madhe për familjen, por edhe për miqtë e kolegët dhe lexuesit të cilët kanë lexuar artikujt e librat e botuar. Me vdekjen e tij mediat dhe publicistika shqiptare ka humbur sociologun i cili ishte i veçantë dhe si i tillë do t’i mungojë shumë opinionit shqiptar.

Nail Draga
Esat Mehmeti

Të fundit

më të lexuarat