Udhëtimi i radhës Danimarka, përkatësisht Kopenhageni. Në këtë qytet të qetë por plot jetë, çdo rrugicë, muze, kishë apo kanal mbart një histori. Nga trashëgimia mbretërore te dizajni nordik dhe komunitetet alternative, Kopenhageni ofron një përvojë të balancuar mes së kaluarës dhe së ardhmes.
Dita 1 – Zbulimi i qytetit të vjetër dhe ikona të Kopenhagenit
Pas mbërritjes dhe akomodimit në hotel, dita nis me një shëtitje në lagjen Indre By, zemra historike e Kopenhagenit. Në rrugët me kalldrëm, afër Kishës së Shën Nikollës, ndien aromën e qytetit të vjetër. Më pas, ndalesa klasike te Nyhavn – kanali me shtëpitë me ngjyra – të sjell para kartolinave të gjalla, ndërsa më tej, një shëtitje deri te Sirena e Vogël, simboli më ikonik i Danimarkës, mbyll për bukuri paraditen.
Pasdite, vizituam Rundetårn – një kullë e rrumbullakët e shekullit XVII me një rampë spirale që të çon në majë për pamje panoramike. Dita përmbyllet me një darkë tradicionale dhe një shëtitje përgjatë Strøget, rruga më e gjatë pedonale në Evropë.
Dita 2 – Historia mbretërore dhe perlat kulturore
Kjo ditë iu kushtua kulturës dhe trashëgimisë daneze. Filluam në Nationalmuseet (Muzeu Kombëtar i Danimarkës), ku zbulohen thesare arkeologjike, kostume vikingësh dhe objekte nga kolonitë daneze. Pastaj vizituam Christiansborg Palace, selia e Parlamentit danez, ku mund të shihen sallat mbretërore, kuzhina e pallatit, kullat dhe shkatërrimet e pallateve të mëhershme. Pas një dreke në kafenenë e muzeut, ndalesa e radhës ishte Kisha e Shpëtimtarit tonë (Vor Frelsers Kirke) në Christianhavn, e famshme për shkallët e jashtme spirale që të çojnë në majë të saj – një sfidë për ata që nuk u frikësohen lartësive!
Pas drekës, u kthyem për një pushim relaksues në Kopshtin Botanik të Kopenhagenit, një oaz gjelbërimi pranë qytetit të vjetër. Sera tropikale, koleksioni i bimëve alpinistike dhe liqenet me zambakë krijojnë një qetësi të rrallë mes zhurmës urbane.
Në mbrëmje, një shëtitje e qetë në Østre Anlæg, parku që lidhet natyrshëm me kopshtin botanik dhe SMK – Galerinë Kombëtare të Arteve, për ata që kanë ende energji për artin.
Dita 3 – Dizajn nordik dhe zbavitje në stilin danez
Kopenhageni është shtëpia e dizajnit skandinav, prandaj dita nis në Designmuseum Danmark, ku ekspozohen kryevepra të Arne Jacobsen dhe brandet më të njohura daneze. Më tej, ndalohet në Kirkegården Assistens, varreza historike e kthyer në park ku prehen Hans Christian Andersen dhe Søren Kierkegaard.
Pas një dreke të lehtë, ndalesa e radhës Tivoli Gardens, parku i famshëm i argëtimit në qendër të qytetit. Ky park argëtues të kthen shpirtin fëmijëror, ky vend të magjeps me atmosferën e tij retro dhe ndriçimet magjike në mbrëmje.
Dita 4 – Eksplorime alternative dhe pamje nga lart
Kjo ditë iu kushtua atmosferave joformale. Nisi në Christianhavn, me një ngjitje në Kishën e Shpëtimtarit tonë (Vor Frelsers Kirke), për një pamje të paharrueshme të qytetit. Më pas, eksplorohet Christiania, komuniteti alternativ me art muralesh dhe frymë të lirë. Një xhiro me varkë të vogël përgjatë kanaleve të Christianhavn ofron këndvështrime të reja mbi qytetin, veçanërisht mbi ndërtesa si Det Kongelige Bibliotek – Diamanti i Zi, biblioteka kombëtare me fasadë të zezë xhami që reflekton ujin. Më pas, vizituam Muzeun e Arkitekturës Daneze (Dansk Arkitektur Center) në BLOX, një qendër multifunksionale kulturore ku ndërthuren ekspozitat, dizajni urban dhe një kafene me pamje të jashtëzakonshme. Vazhduam me një vizitë në Lagjen Nordhavn, një zonë industriale e transformuar në lagje ekologjike, përgjatë bregut, të shohësh shtëpitë lundruese dhe të ndalosh për një kafe.
Mbrëmjen zgjodhëm ta kalojmë në një prej klubeve xhaz të lagjes Nørrebro.
Dita 5 – Kultura lokale
Dita e fundit, e rezervuar për zhytjen në jetën lokale daneze dhe për të thithur atmosferën e fundit të Kopenhagenit në mënyrë relaksuese dhe autentike.
Paraditja vazhdoi me një shëtitje në lagjen Østerbro, një nga zonat më të qeta dhe më elegante të qytetit. Ndaluam në Fælledparken, një park i madh dhe i gjelbër ku shëtisin vendasit, bënin joga ose ecin me fëmijët. Më tej, një vizitë në Katedralen e Shën Anës, një kishë monumentale pak e njohur nga turistët, por shumë e dashur për banorët. Dhe sigurisht që vizituam pastiçerinë-kafenenë Buka dhe nga emri e kuptuam që ka rrënjë shqiptare. Buka, një kafene artizanale me bukë dhe ëmbëlsira të bëra vetë, që ofron një atmosferë autentike, pa zhurmë komerciale. Nga aty u nisëm në drejtim të Kopshtit Botanik për të shijuar edhe një herë paqen dhe gjelbërimin – një vend ideal për reflektim para largimit.
Kopenhageni nuk është qyteti që të rrëmben me madhështi, është ai që të mbetet brenda me thjeshtësinë e tij. Është një përjetim që nuk bërtet, por që pëshpërit në çdo cep, në një kafe të ngrohtë të shijuar pranë një dritareje, në një biçikletë që rrëshqet heshturazi buzë liqeneve, në një park ku koha ndalon.
Është qyteti që të mëson si të jetosh më ngadalë por më thellë. E ndërsa largohesh, nuk ke ndjesinë se po e lë pas – por se po merr diçka prej tij me vete.
Donika Lulgjuraj
