Me ndjenjë të thellë respekti e mirënjohjeje, përkujtojmë mësuesen e nderuar Hatixhe Alaj – Maxharri, e cila për dekada të tëra kontribuoi me përkushtim të veçantë në fushën e arsimit fillor në shkollën “Bedri Elezaga” në Katërkollë.
E lindur më 29 qershor 1946 në fshatin Katërkollë, ajo u rrit në një familje modeste, por me vlera të larta morale e njerëzore. Që në moshë të re u përball me sfida të shumta shoqërore dhe ekonomike, të cilat nuk e ndalën, por përkundrazi, e motivuan drejt rrugës së dijes dhe arsimimit.
Rruga e saj arsimore filloi në vendlindje, ndërsa shkollën normale e regjistroi në Ferizaj, ku në kushte të vështira jetësore dhe materiale ndoqi shkollimin. Ajo diplomoi për mësuese në vitin akademik 1967-1968, duke dëshmuar vendosmërinë dhe përkushtimin e saj të palëkundur për përgatitjen profesionale. Udhëtimet e saj drejt dijes ishin të gjata e të lodhshme, shpesh me tren, autobus e në këmbë. Asokohe, nga Mostari nisej me tren drejt Sarajevës e Beogradit, e më pas vazhdonte rruga drejt Prishtinës – një udhëtim i gjatë në hapësirë dhe kohë, por gjithnjë i ndriçuar nga etja për dije.
Pas përfundimit të studimeve, Hatixhe Alaj – Maxharri u kthye në vendlindje për t’i shërbyer komunitetit të saj si mësuese në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Përgjatë karrierës së saj të gjatë, ajo dha një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë, duke u shquar për metodologji të përparuara në mësimdhënie, përkushtim të pashoq ndaj nxënësve dhe komunikim të ngushtë me prindërit e tyre. Ishte mësuese e drejtë, kërkuese dhe e ndjeshme, që gjithmonë përpiqej të konkretizonte njohuritë përmes mjeteve didaktike dhe punës praktike.
Puna e saj edukative nuk mbeti vetëm brenda orëve të mësimit. Ajo organizonte aktivitete jashtëshkollore, si recitime, këndim, aktrim dhe pjesëmarrje në programe kulturore, duke i kthyer nxënësit në aktorë aktivë të procesit mësimor. Vlerësimi nga kolegët, drejtuesit institucionalë dhe inspektorët arsimorë ka qenë gjithmonë maksimal, ndërsa respekti dhe dashuria e nxënësve të saj mbeten të pashlyera.
Hatixhe Alaj – Maxharri doli në pension në vitin 2002, por lidhja e saj me shkollën dhe komunitetin nuk u ndërpre asnjëherë. Ajo vazhdoi të ishte figurë e respektuar në vendlindje, e dashur për të gjithë dhe shembull i gruas intelektuale që i qëndroi besnike profesionit dhe njerëzve të saj.
Në planin familjar ishte bashkëshorte e përkushtuar dhe nënë e dy fëmijëve: Teutës dhe Agronit, i cili jeton me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërroi jetë më 2 qershor 2025, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar arsimore e njerëzore. Kujtimi për të mbetet i gjallë në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, të mësojnë prej saj dhe të punojnë me të.
Emri dhe vepra e Hatixhe Alaj – Maxharrit do të kujtohen përherë me respekt dhe mirënjohje.
Luljeta Avdiu – Cura