Plavë – Në seancën e pestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, e mbajtur më 30 dhjetor 2024, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në të cilën ishin të pranishëm 25 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozime vendimesh, programesh e planesh të punës së organeve të vetëqeverisjes lokale, institucioneve e ndërmarrjeve publike dhe të organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës, ndër të cilat kryesore ishin Propozimi i vendimit mbi Buxhetin e Komunës dhe Plani i investimeve për vitin 2025.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit Allen Balliq, këshilltarët e pranishëm njëzëri (25 sish) miratuan procesverbalin nga seanca e katërt e rregullt, e mbajtur më 1 nëntor 2024, por me vërejtjen e këshilltarit të Partisë Boshnjake, Mirza Medunjanin në përmbajtjen e tij.
Seanca pastaj vazhdoi punën me shqyrtimin e rendit të ditës prej 14 pikash, të propozuar nga kryetari Balliq, i cili me kërkesë të organeve relevante të qeverisjes lokale u plotësua me dy pika të reja: 1. Propozimin e vendimit mbi vërtetimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për ndërtimin e rrugës së re, e cila u radhit pikë e tretë e rendit të ditës, dhe 2. Propozimi i vendimit mbi miratimin e Planit të veprimit lokal për të rinj të Komunës së Plavës për periudhën kohore 2025-2026, e cila u radhit pikë e 16-të (e fundit) e rendit të ditës. Këto pika këshilltarët me shumicë votash “për” i miratuan për shqyrtim.
Rendin e plotësuar të ditës këshilltarët e miratuan me 24 vota “për” dhe 1 “të përmbajtur”.
Në fillim të punës së seancës sipas rendit të ditës, këshilltarët u pajtuan që dy pikat e para: Propozimi i Vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2025 dhe Plani i investimeve për vitin 2025, të trajtohen dhe shqyrtohen së bashku.
Propozimin e Vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2025 e parashtroi dhe në mënyrë koncize dhe analitike e argumentoi sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Sullejman Deshiq, i cili gjatë elaborimit ndër të tjera theksoi se buxheti në fjalë vërtet është zhvillimor e investues, i projektuar në shumën 7 milionë euro, i ndarë në shpenzimet rrjedhëse në shumën 3 237 200 euro, shpenzimet kapitale në shumën 3 254 050 euro, pagesën e borxhit në shumën 458 750 euro dhe në rezervat në shumën prej 50 mijë euro.
Planin e investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2025, në shumën prej 3 254 050 euro, të cilat financohen nga mjetet e buxhetit kapital, në mënyrë koncize dhe kronologjike e konstruktive e parashtroi dhe e argumentoi drejtori i Drejtorisë për Investime dhe Rregullim Hapësinor, Fazllija Krciq.
Në trajtimin dhe shqyrtimin e buxhetit dhe planit të investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2025, që zgjati rreth dy orë, morën pjesë kryesisht këshilltarët e subjekteve politike në opozitë: Amilla Pupoviq, Esad Bajraktareviq, Boris Turkoviq, Ervin Kandiq, Sabina Kollashinac, Rasim Osmançeviq, Aida Kollashinac dhe Ranko Stijoviq, të cilët shprehën lëvdata por edhe vërejtje, sugjerime dhe kritika në përpilimin dhe koncipimin e tyre.
Në fund të shqyrtimit dhe para miratimit, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, nënvizoi se buxheti është vërtet zhvillimor dhe garantoi se do të realizohet siç është planifikuar.
Edhe për planin e investimeve kryetari Canoviq tha se është plan i cili do të mundësojë realizimin e zhvillimit të projekteve infrastrukturore, por edhe të planeve e projekteve të tjera të qeverisjes lokale.
Ai në fund falënderoi këshilltarët për lëvdatat, por edhe për vërejtjet dhe sugjerimet e shprehura në diskutimet e veta dedikuar buxhetit dhe planit të investimeve.
Me votim të hapur, buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2025 u miratua me 20 vota të këshilltarëve, 3 vota kundër dhe një të përmbajtur, kurse Plani i investimeve u miratua me 20 vota “për” dhe 4 “të përmbajtur”.
Gjatë punës së mëtejme të seancës së Kuvendit, e cila zgjati më se katër orë, këshilltarët me shumicë votash ose njëzëri, me ose pa pjesëmarrje në shqyrtim, trajtuan dhe shqyrtuan temat e 14 pikave të tjera të rendit të ditës.
Dy pikat e radhës së rendit të ditës: Propozimin e vendimit mbi vërtetimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për ndërtimin e rrugës se re dhe Propozimin e vendimit mbi planin strategjik për territorin e Komunës së Plavës në periudhën kohore 2025-2032, u shqyrtuan së bashku. Të parën e prezantoi dhe e argumentoi kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, kurse të dytën Emro Feratoviq, të cilat pas pjesëmarrjes në shqyrtim të ca këshilltarëve u miratuan me shumicë votash.
Edhe tri pikat tjera të radhës të rendit të ditës (5, 6 dhe 7): Propozimi i vendimit mbi përcaktimin e lokalitetit me elementet e kushteve urbanistiko-teknike për ndërtimin e objektit lokal STS në KK Nokshiq – Propozimi i vendimit mbi përcaktimin e lokalitetit me kushtet elementare urbanistiko-teknike për ndërtimin e objektit lokal me interes të përgjithshëm të sipërfaqes së gjelbër dhe publike e shëtitores me fortifikim bregu ujit përpjetë dhe tatëpjetë prej urës së lumit Lim – Murinë dhe Propozimi i vendimit mbi përcaktimin e lokalitetit me elementet e kushteve urbanistike-teknike për ndërtimin e objektit lokal me interes të përgjithshëm, objektit të zhvillimit ekonomik – Qendrës Zejtare Prodhuese në Murinë, Komuna e Plavës, pas elaborimit të tyre në pako nga sekretari për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Hamid Feratoviq, u miratuan njëzëri.
Pikën e radhës të rendit të ditës (8) – Propozimi i Vendimit mbi financimin e përmirësimit të fasadës, e argumentoi drejtori i Drejtorisë për Investime dhe Rregullim Hapësinor, Fazllija Krciq.
Edhe dy pikat tjera të radhës të rendit të ditës – Propozimi i programit të punës për SHPK “Veprimtaritë Komunale” Plavë për vitin 2025 dhe Propozimi i rregullores mbi organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të SHPK “Veprimtaritë Komunale” Plavë, u shqyrtuan në pako, të cilat i argumentoi drejtori Ervin Toshiq, të cilat pas pjesëmarrjes në shqyrtim të ca këshilltarëve, u miratuan njëzëri.
Programi i punës së Kuvendit të Komunës së Plavës, të cilin e argumentoi kryetari Allen Balliq, u miratua njëzëri pa pjesëmarrje në debat.
Propozimi i planit dhe programit të punës me planin e punës financiare dhe vjetore të investimeve për vitin 2025 të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, të cilat i argumentoi drejtori Vlladimir Knezheveiq, po ashtu u miratuan njëzëri.
Edhe Plani dhe programi i punës me Planin financiar të Organizatës Turistike në Plavë për vitin 2025, të cilat i argumentoi drejtori Elldin Feratoviq u miratuan njëzëri.
Dy pikat e parafundit të rendit të ditës – Propozimi i planit dhe programit të punës së Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Lipa” dhe Propozimi i vendimit për dhënien e pëlqimit në Vendimin mbi ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Lipa” në Plavë, të argumentuara nga drejtori Jasmin Jevriq, janë miratuar njëzëri pa pjesëmarrje të këshilltarëve në debat, ndërsa në fund të punës së seancës u shqyrtua dhe u miratua pika shtesë (plotësuese) e rendit të ditës – Propozimi i vendimit mbi miratimin e Planit të veprimit lokal për të rinj të Komunës së Plavës për periudhën kohore 2025-2026, të cilën e argumentoi sekretari i Komunës Fikret Canoviq.
Shaban Hasangjekaj