Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi shpërndau të martën, më 6 tetor 2026, një fond librash didaktikë dhe jashtëshkollorë për Institucionin Publik Parashkollor “Nënë Tereza” në Tuz, të siguruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Drejtori i këtij institucioni edukativo-arsimor, David Junçaj, shprehu falënderim dhe mirënjohje për diplomaten e Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi, Enxhi Fusha, e cila ishte e pranishme për t’i dorëzuar librat dedikuar për fëmijët e kësaj parashkolloreje.
“Të gjithë këta libra janë të ndryshëm dhe janë të dedikuar për të gjithë fëmijët tanë që janë të regjistruar në kopshtin tonë këtu në Tuz si dhe për Njësinë Edukative në Dinoshë dhe për Njësinë Edukative ‘Foleja’ në Triesh”, tha ai.
Junçaj theksoi se libri është shoku më i mirë i fëmijëve, që i çon ata drejt dijes dhe imagjinatës, “e kur këta libra janë në gjuhën shqipe besoj se luajnë një rol edhe më të rëndësishëm e më të veçantë që të ruajmë e kultivojmë gjuhën tonë më të bukur – gjuhën shqipe, prej moshës së hershme”.
Kreu i këtij institucioni parashkollor shprehu besimin dhe uroi që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë, gjithmonë, në të mirë të zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve.
Ndërkohë, diplomatja Fusha u shpreh e lumtur dhe e emocionuar që nisma, siç tha ajo, nën kujdesin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po merr jetë.
Ajo u shpreh se kanë filluar shpërndarjen e librave në IPP “Nënë Tereza”, për të vazhduar më pas në të gjitha kopshtet dhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe në territorin e Malit të Zi.
“Librat përfshijnë grupmoshat nga një vjeç deri në moshat më të mëdha, pra përfshijnë kopshtet dhe shkollat”, tha Fusha.
Më tej, ajo theksoi se ata përpiqen me çdo kusht që Qeveria e Shqipërisë të jetë pranë të gjithë fëmijëve që mësojnë në gjuhën shqipe, për ta transmetuar dhe trashëguar gjuhën amtare.
“Kështu që, këta libra do të jenë një mjet ndihmës për të kultivuar edhe më tej gjuhën e tyre”, theksoi Fusha.
t. u.
