Njësia edukativo-arsimore për fëmijët parashkollorë “Dallëndyshet” në Katërkollë rihapi të enjten (1 tetor 2026) kuzhinën në objektin e posarinovuar, duke bërë që ky institucion parashkollor të fillojë përsëri punën me qëndrim tërëditor.
Kopshti i fëmijëve në Katërkollë u ndërtua falë donacionit të shtetit holandez në vitin 1985, në afërsi të shkollës së vjetër të Katërkollës si dhe në vendin e ish-Komunës së dikurshme Katërkollës.
Me hapjen e Fabrikës së Tepihëve ”Ultep” numri i fëmijëve rritej çdo ditë, u formuan dy grupe edukativo-arsimore, objekti ishte i ri, i pajisur me mjete didaktike, kënde për lojë, oborr e rekuizita sportive, funksiononte edhe kuzhina dhe qëndrimi ishte tërëditor.
Nënat e reja që punonin në fabrikë i kishin mundësitë ideale t’i strehonin fëmijët në vend të sigurt dhe me kushte bashkëkohore për kohën. Por me mbylljen e së vetmes fabrikë që kishte Ana e Malit, shpërnguljes së popullatës nga këto troje, numri i fëmijëve u zvogëlua, vite të tëra objekti funksionoi vetëm me një grup edukativo-arsimor.
Menaxhimi jo i mirë si dhe vitet e bënë të veten, objekti doli jashtë funksionit më 14 janar 2021. Ekspertët konstatuan ekzistencën e problemeve në instalimet elektrike dhe rrufepritëse, prandaj me vendim të tyre u mbyll objekti i kopshtit të fëmijëve në Katërkollë.
Dyert për vogëlushët që mbeten pa kopsht i hapi përsëri shkolla fillore ”Bedri Elezaga”, deri ditën e përfundimit të punimeve për rinovimin e objektit. Më 1 shtator 2025 fëmijët u kthyen në objektin e rinovuar dhe sot arritëm ta rihapim kuzhinën dhe të formojmë tre grupe me qëndrim tërëditor.
Në hapjen soleme morën pjesë vogëlushët e kopshtit, prindërit, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu me stafin e tij si dhe shumë afaristë nga Ana Malit e Ulqini, drejtoresha e Kopshtit ”Solidariteti” – Ulqin, në kuadër të të cilit funksionon Njësia Edukative-Arsimore ”Dallëndyshet” me një numër të stafit nga objekti qendror etj.
Ishte kënaqësi e veçantë të ishe në inagurimin solemn të kuzhinës së Kopshtit të Fëmijëve në Katërkollë. Stafi i Njësisë Edukativo-Arsimore ”Dallëndyshet” me mikpritjen e Anës së Malit si çdoherë janë për lëvdatë. Gëzimi vërehej në fytyrat e fëmijëve, prindërve si dhe çdo individi që ishte i pranishëm, duke vërtetuar thënien popullore se ”Bashkimi bën fuqinë“.
Drejtoresha e IP ”Solidariteti”, Elmadije Maraj falënderoi të pranishmit për kontributin dhe praninë.
”Është ky një kurorëzim i solemnitetit se sot realizuam pikësynimin që ia kishim vënë vetes – të rinovojmë njësinë edukative ’Dallëndyshet’ në Katërkollë dhe të rihapim kuzhinën. Kopshti të punojë me orar të plotë”, theksoi ajo.
Maraj shprehu falënderim të veçantë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Komunën e Ulqinit, Shoqatën ”Ana e Malit” – Nju Jork, Fabrikën ”Kurti”, ndërmarrjen ”Cungu&Co” si dhe donatorët e shumtë nga diaspora: Miradin Haxhicani, Isa Çapriqi, Lan Pali, Nerim Çapriqi, Zejadin Pali, Ruzhdi Pali, Toni Pali, prindërit e shumë e shumë donatorë të tjerë.
”Ju prindër ishit këmbëngulës, luajtët rolin kyç në realizimin e këtij projekti më se të nevojshëm e të shumëpritur, stafin e shkëlqyer të kopshtit dhe çdo individi që ka kontribuuar për të mirën e fëmijëve. Ta gëzojmë të gjithë së bashku, le të gumëzhijnë zërat e vogëlushëve në këtë ambient të bukur e me kushte normale pune”, ka thënë drejtoresha e Kopshtit ”Solidariteti”.
Fjalën në vazhdim e mori kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili përshëndeti të pranishmit dhe ceku se kjo është një ditë e veçantë për të gjithë ne.
”Komuna e Ulqinit prioritet të punës gjithmonë ka dhe do të ketë mirëqenien e fëmijëve, përmirësimin e kushteve në çerdhe, kopshte e objekte shkollore. Ky është një investim i qëlluar, sepse fëmijët meritojnë kushte dhe objekte me standarde bashkëkohore pune. Falënderoj donatorët që kontribuuan për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.
Koordinatori i prindërve, Arben Tagani, theksoi se kanë pasur shumë mirëkuptim dhe gatishmëri nga diaspora jonë për të kontribuuar.
”Ata ishin të gatshëm të kontribuonin sa ua prezantuam problemin. Falë tyre dhe koordinimit të punës me drejtorinë e Kopshtit, Ministrinë e Arsimit, Shkences dhe Inovacionit ia arritëm qëllimit të realizojmë projektin në fjalë. E gëzofshi fëmijë, e gëzofsh Anë e Malit!”, u shpreh ai.
Lumnije Bisha
