Sinonim i mjekësisë sonë

Dr. Selimi sot ka mbetur një ndër shtyllat kryesore të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin. Në ordinancën e tij pacientët shprehen të lirë si askund tjetër dhe kanë besim të madh tek ai për shkak të ruajtjes së privatësisë. “Trokitni” në derën e shtëpisë së tij, shihni dhe binduni që ai gjithmonë ju pret me buzëqeshje, me fjalët më të mira dhe më të ëmbla, duke ju dhënë gjithmonë shpresë. Një njeri i tillë është një pasuri e madhe për qytetin tonë të bukur të Ulqinit

Ismet Karamanaga

Gjithmonë është një sfidë e madhe të shkruash për mjekë pasi që ata, sipas mendimit tim, kanë një rol të veçantë në jetën tonë. Prandaj të shkruash një portret modest për një mjek siç është Dr. Selim Ismaili, pa dyshim që është një sfidë e madhe, në veçanti për ne të cilët e njohim më pak se të tjerët, me të cilët ai punon dhe shoqërohet më shumë. Megjithatë, jam më se i sigurt që edhe të gjithë ne, të cilët kemi dhënë një kontribut të vogël në edukimin e tij në shkollën e mesme, kemi qenë dhe ende jemi krenarë, në veçanti tash kur ky personalitet është bërë një ndër mjekët më të njohur në Ulqin dhe më gjerë.
Dr. Selimi është një mjek i njohur që ordinon si specialist i radiologjisë në kabinetin e tij në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, por edhe një humanist i rrallë. Jam më se i sigurt që një njeri i tillë është një pasuri i madhe për qytetin tonë të bukur të Ulqinit. Ai ka qenë një ndër nxënësit më të mirë në Shkollën e Mesme të Ulqinit, pastaj edhe një ndër studentët më të mirë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, kurse specializimi në Zagreb i ka dhënë vulë të veçantë formimit të tij si mjek, por edhe si personalitet. Prandaj nuk është për t’u çuditur që Dr. Selimi ka pasur dhe ka një karrierë të suksesshme. Natyrisht, nuk duhet të harrohet që Dr. Selimi ka qenë i suksesshëm edhe si udhëheqës i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin gjatë viteve 1998-2003. Pas kësaj është orientuar vetëm në profesionin e tij.
Ky humanist dhe ky njeri i rrallë u lind në fshatin Bojk, në Anë të Malit, në një shtëpi karakteristike dhe në një ambient piktoresk, me pamje në det deri tek Otrantoja. Kjo shtëpi, gjatë shkollimit, pastaj edhe shërbimit dhe jetës së tij në mjedise dhe ambiente të ndryshme, 10 vite në Cetinë, dhe tashmë mbi 24 vite në Ulqin, gjithmonë ka pasur dhe ka një rëndësi të madhe në jetën e tij. Vendlindja në Bojk, shtëpia e lindjes dhe guri i Anës Malit janë dhe kanë mbetur në kujtesën dhe në jetën e tij përgjithmonë. Dr. Selimi më tregon se sa mall të madh ka për shtëpinë e lindjes. Më thotë se të gjitha forcat e tij është duke i dhënë për rindërtimin e shtëpisë së tij në Bojk, duke i dhënë pamjen e dikurshme, me karakteristikat e saj nga koha e lindjes dhe fëmijërisë së tij. Më tregon se sa shumë mall të madh ka për fshatin e tij të lindjes, për kujtimet e fëmijërisë.
“Gjithë kohën e lirë shkoj në shtëpinë e lindjes dhe të fëmijërisë sime, përcjell punimet e rindërtimit të saj, që sot ngadalë po fiton pamjen e dikurshme”.
Pas kthimit nga Cetina, Dr. Selimi u punësua në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin dhe tash një kohë të gjatë, mbi 24 vite, vazhdon të punojë këtu. Me punën e tij po lë në mjekësinë në Ulqin dhe në rrethinë gjurmë të mëdha dhe të pashlyera në popull dhe te kolegët si njeri, por edhe si një mjek specialist i kërkuar dhe i lavdëruar. Dëgjoj nga shumë pacientë dhe kolegë të tij se Dr. Selim Ismaili gëzon respekt të madh te popullata e Ulqinit dhe e rrethinës. Shumë mendime dhe diagnoza të tij i kanë konfirmuar klinikat më të njohura në vend dhe jashtë. Dua të ceki që edhe si drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin ka treguar aftësitë e tij edhe si udhëheqës, kështu që kontributi i tij ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ai është dhe ka mbetur gjithmonë i sjellshëm, i edukuar dhe i qeshur, duke pasur një durim të pafund dhe një mirëkuptim për pacientë të shumtë, por edhe për kolegë.
Në katin e parë ku ordinon Dr. Selimi, gjithmonë sundon një heshtje dhe disiplinë e rrallë. Si mjek dhe si njeri është i qetë, i sinqertë dhe kurrë nuk ka ndodhur ta ngrejë zërin. Sipas mendimit tim, që nga fillimi i punës së tij në mjekësi ”Betimin e Hipokratit” e ka pasur të lindur në zemrën e tij të madhe për çdo pacient, për çdo njeri, pa dallim feje, kombi dhe race. Ai gjithmonë ka qenë i gatshëm që edhe në mesnatë të dalë nga shtëpia e tij për t’u ofruar ndihmë pacientëve.
Dr. Selimi edhe si personalitet dallohet nga shumë prej nesh, me vetitë e tij që e kanë karakteruzuar që prej fillimit të punës si mjek në Cetinë, ku ka punuar mbi dhjetë vite, duke u ballafaquar edhe me sfida që vetëm një njeri i tillë dhe personalitet i veçantë ka mundur t’i përballojë. Mirëpo, edhe atje ka gëzuar një respekt të veçantë te pacientët e shumtë si edhe te kolegët. Edhe më vonë, pas kthimit në qytetin e lindjes, ku ende edhe sot ordinon dhe shëron, ka mbetur njësoj i mirë dhe i vyeshëm, humanist dhe mjek i rrallë.
Vite me radhë punon në mjekësi në Ulqin dhe rrethinë, duke lënë gjurmë të mëdha në popull dhe te kolegët. Për një njeri të tillë dhe specialist në fushën e radiologjisë, siç është Dr. Selim Ismaili, duhet të shkruhet gjithmonë pasi që ai është një njeri i jashtëzakonshëm, i sinqertë, modest dhe një mjek në të cilin pacientët nga tërë viset e Malit të Zi, por edhe nga diaspora, kanë pasur dhe kanë besim të madh. Ka qenë gjithmonë i disiplinuar, me një autoritet dhe respekt të veçantë nga të gjithë. Mendoj se Dr. Selimi sot ka mbetur një ndër shtyllat kryesore të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin. Pavarësisht se unë nuk jam kompetent të vlerësoj shumë punën e tij si mjek, mirëpo ky është edhe mendimi i atyre që ditë për ditë qëndrojnë pranë ordinancës së tij në Shtëpinë e Shëndetit. Edhe shumë mjekë të tjerë dhe specialistë të kësaj fushe ndajnë këto vlerësime për të. Kjo më nxiti edhe më tepër që të shkruaj për këtë humanist kaq të vyeshëm, të mirë dhe të njohur në tërë Malin e Zi dhe më gjerë.
Duke e analizuar trekëndëshin ku ai u lind, është shkolluar dhe ka studiuar, duke filluar nga Ulqini, Prishtina, Cetina, pastaj specializimi në Zagreb, mund të vërehet se sa shumë këto mjedise kanë ndikuar në zhvillimin e personalitetit të tij. Këto mjedise të ndryshme kanë bërë dhe kanë formuar një mjek dhe një specialist, një radiolog kaq të mirë, por edhe një humanist të gjithanshëm.
Gjatë studimeve në Zagreb, Dr. Selimi ndoqi edhe ato pasdiplomike, por fillimi i luftërave të tmerrshme në ish-Jugosllavi nuk e lejoi që ato t’i përfundojë. Dr. Selimi është gjithmonë i hapur për çdo pacient dhe për çdo njeri i cili kërkon ndihmën e tij për çdo gjë. Asnjëherë nuk mund të ndodhë që ai mos t’ju pranojë. “Trokitni” në derën e shtëpisë së tij, shihni dhe binduni që ai gjithmonë ju pret me buzëqeshje, me fjalët më të mira dhe më të ëmbla, duke ju dhënë gjithmonë shpresë. Dr. Selimi është dhe ka mbetur sinonim i mjekësisë te ne. Prandaj mendoj se të gjithë ne, por edhe shoqëria më gjerë, duhet që këtij humanisti dhe mjeku të rrallë t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë, ta respektojmë shumë punën humane të tij dhe gjithmonë të flasin, dhe të gjithë ne të kemi gjithmonë fjalë të mira dhe të bukura për të.
Në ordinancën e tij pacientët shprehen të lirë si askund tjetër dhe kanë besim të madh tek ai për shkak të ruajtjes së privatësisë, pasi që gjithçka mbetet në ordinancën e tij.
Disa rreshta edhe për familjen e tij. Dr. Selimi ka një familje të shëndoshë, tre fëmijë të edukuar dhe të shkolluar. Mirëpo, sipas mendimit tim, bashkëshortja e tij Servetja është një personazh i veçantë, një zonjë “e rëndë” siç themi në Ulqin, e cila ka pasur dhe ende ka një rol të veçantë në jetën e tij. Me profesion, ajo është infermiere në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, një zonjë e cila gjithmonë dhe këdo e pret me buzëqeshje dhe me një durim të pafund. Jam i sigurt se ajo është pa dyshim shtylla, të them më mirë boshti i kësaj familjeje të ngritur dhe të veçantë në qytetin tonë të bukur. Të tre fëmijët janë fryt i një bashkëjetese, harmonie dhe dashurie që rrallë mund të ndeshet. Prandaj ky çift është një kombinim i rrallë në mjekësinë tonë, por mendoj edhe në shoqërinë tonë.
Një shembull i tillë, siç është Dr. Selimi, pa dyshim që meriton të përmendet, të shkruhet për të dhe kurrë të mos harrohet. Natyrisht, ai është ende relativisht i ri, në zenitin e punës dhe veprimit të tij në mjekësi, kështu që kurrë nuk guxojmë ta harrojmë punën e tij, por edhe të shumë të tjerëve të cilët kanë një rol të veçantë në jetën tonë. Prandaj ai dhe shumë shokë të tij duhet ta gëzojnë vendin e merituar në jetën dhe shoqërinë tonë, më vonë edhe në trashëgiminë tonë. Jam më se i sigurt që edhe emri i Dr. Selim Ismailit do të jetë në mesin e të gjithë atyre që kanë dhënë një kontribut të madh dhe të veçantë në mjekësinë tonë. Pa dyshim që edhe ai do të jetë në majën e piramidës së mjekësisë te ne.

Të fundit

më të lexuarat