
“Kushdo që vjen nga Plava e Gucia, del nga krahina që në historinë më të re ka një emër të veçantë të nderit të kombit. Tashmë dihet se këto dy qyteza me rrethinat e veta janë simbole të qëndresës në vitet e Rilindjes Kombëtare, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këtu kanë vepruar edhe gjeneralët e shquar të mbrojtjes së Shqipërisë, Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri. Nga këtu i kemi edhe gjeneralët e famshëm të dijes, Rexhep Qosjën e Jashar Rexhepagiqin. Këtu i kanë rrënjët edhe poetët e njohur, Esad Mekuli e Qerim Ujkani”, janë këto fjalë me të cilat e ka filluar recensionin e vet Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri në librin me titull “Gjurmë në kohë dhe refleksione”, të autorit të këtij portreti (Sh.H.)
Jashar Rexhepagiqi u lind në Plavë, më 16 janar të vitit 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953. Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.
Jashar Rexhepagiqi ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim, si profesor i Shkollës Normale dhe i Gjimnazit në Prizren, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Në këtë institucion si profesor i rregullt veproi deri në vitin 1990, kur edhe u pensionua.
Që nga themelimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK, Prof. Dr. Jashar Rexhepagiqi, ishte anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i saj.
Akademiku Prof. Dr. Jashar Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakëta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi Sad. Ka bashkëpunuar në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, redaktor i revistës shkencore “Studime”, të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i “Vjetarit” të ASHAK; anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II; kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore “Përparimi” etj.
Akademiku dhe orientalisti shqiptar, Jashar Rexhepagiqi ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime” të ASHAK, të revistës “Edukata Islame”, kryetar i Këshillit redaktues të Buletinit të Titinit dhe anëtar i Këshillit botues të revistës “Univerzitetska misao” (Mendimi universitar) të Universitetit të Novi Pazarit (Pazarit të Ri). Akademiku Prof. Dr. Jashar Rexhepagiqi është marrë edhe me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Në kohën më të re është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit.
Akademiku Rexhepagiqi është marrë edhe me poezi. I janë botuar pesë vëllime (libra) me poezi. Po ashtu është marrë edhe me kritikë shkencore dhe letrare. Është autor i mbi 20 librave dhe më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit ka botuar disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritike dhe kontribute të tjera. Ka qenë bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre.
Akademiku i nderuar dhe i mirënjohur Jashar Rexhepagiqi për punën e vet të denjë dhe të paepur shkencore, pedagogjike e shoqërore, është laureat i shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve prestigjoze me peshë dhe vlerë të lartë, ndër të cilat: Shpërblimi i Drejtorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji në vitin 1972; është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë në vitin 1980, dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë në vitin 1988.
Akademiku Jashar Rexhepagiqi ndërroi jetë më 28 janar të vitit 2010 në Prishtinë, ku dhe u varros me nderimet më të larta.