Të shtunën, më 1 gusht 2026, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ostros u organizua turneu përkujtimor i shahut “Hajdar Mujeziqi.
Ky aktivitet, i cili për herë të parë u mbajt në fund të korrikut të vitit të kaluar, siç duket po bëhet tradicional. Kujtojmë se ky turne në Krajë mbahet në shenjë kujtimi të shahistit të njohur të kësaj ane Hajdar Mujeziqi, i cili ndërroi jetë tri vjet më parë. Me këtë rast u bë edhe një homazh për të kujtuar veprën jetësore të Hajdarit.
Në fillim të turneut u lexua një biografi e shkurtër për jetën dhe veprimarinë shumëvjeçare të mësuesit dhe shahistit Hajdar Mujeziqi. Në të njëjtën kohë u shpalosën kujtime të shokëve të punës, garuesve dhe miqve të Hajdarit.
Po kush ishte Hajdar Mujeziqi, përveçse mësues?
Ai ka qenë një lojtar i shquar në lojën e lashtë me figura të shahut. Është konsideruar shahisti më i mirë i të gjitha kohëve në Krajë. Loja e tij në tabelën e shahut ka qenë pjesë e jetës së tij. Këtë e pohojnë me plot gojë edhe rivalët e tij ndër vite në këtë lojë me figura.
Pas homazheve dhe ceremonisë së hapjes, turneu vazhdoi me garën mes shahistëve të shumtë që morën pjesë në të. Pas një gare të ashpër, fitues i turneut përkujtimor doli Kasem Lubani, vendin e dytë e zuri Zijadin Pera, ndërsa të tretin Myzafer Koliqi.
Organizator dhe mbështetës kryesor i turneut këtë vit ishte Bashkësia Vendore Ostros.
Organizatorët kanë thënë se shpresojnë që ky turne tashmë tradicional në të ardhmen do të ketë përmasa jo vetëm lokale.
Ali Gjeçbritaj
