Mbrojtja e trojeve shqiptare dhe vetëdija kombëtare në trajtesat shkencore

Dr. Dom Nikë Ukgjini tha se reagimi i Karlo Potenit për bashkimin e Tivarit dhe të Shkodrës ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve hodhi themelet politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, gjë që çoi, një dekadë më vonë, deri te shpallja e Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 1878, “si kundërshtim i vendimeve të Kongresit të Berlinit, ku Shqipëria, mjerisht, edhe më tej kishte mbetur vasal i Turqisë”

Me rastin e përvjetorit të 148-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, të mërkurën, më 10 qershor 2026, u organizua një simpozium shkencor, ku morën pjesë studiues e përfaqësues të fushave të ndryshme të jetës shoqërore.
Në emër të shoqatës “Penda”, si organizatore e këtij aktiviteti, përshëndeti nënkryetarja Sidorela Berishaj, e cila tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një dëshmi e vizionit, sakrificës dhe përgjegjësisë së brezave që punuan për të ardhmen e kombit.
“Duke kujtuar këtë ngjarje të madhe, ne njëkohësisht reflektojmë mbi përgjegjësinë që kemi sot për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat që na kanë përcjellë paraardhësit tanë”, u shpreh ajo.
Berishaj theksoi se aktivitetet e tilla janë të rëndësishme edhe për edukimin e brezit të ri në frymën e dijes, atdhedashurisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Ajo shpalosi aktivitetet që kjo shoqatë ka organizuar në fusha të ndryshme, që nga themelimi i saj në fillim të këtij viti e deri më sot.
Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza, theksoi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është jo vetëm një detyrim që të kujtohet, por edhe një shtysë për të ecur përpara në kushte krejt të tjera, “duke ditur kush jemi, duke ruajtur vlerat historike dhe duke i promovuar këto vlera historike për të garantuar përfshirjen e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”.
Studiuesi Dr. Dom Nikë Ukgjini u paraqit me kumtesën “Karlo Pooten – argjipeshkëv Tivar- Shkodër 1867-1886, kontribues i Lidhjes së Prizrenit”.
Ai tha se reagimi i Karlo Potenit për bashkimin e Tivarit dhe të Shkodrës ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve hodhi themelet politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, gjë që çoi, një dekadë më vonë, deri te shpallja e Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 1878, “si kundërshtim i vendimeve të Kongresit të Berlinit, ku Shqipëria, mjerisht, edhe më tej kishte mbetur vasal i Turqisë”.
Ukgjini tha, ndër të tjera, se çdo përvjetor i Lidhjes së Prizrenit, jubilar apo jo, e ka të domosdoshëm përkujtimin, gjykimin, vlerësimin apo nxjerrjen e mësimeve historike për gjeneratën e sotme.
Historiani Mark Junçaj, në kumtesën me titull “Mbrojtja e Malësisë së Madhe – dëshmi e nivelit të lartë të atdhetarizmit”, vuri në dukje se Malësia e Madhe, gjatë çerekut të fundit të shekullit XIX, kaloi në sprova tepër të vështira, saqë shpesh iu desh të luftojë kundër armikut për ekzistencë.
Ai tha se problemet e mëdha për Malësinë filluan që nga hyrja e Malit të Zi në luftë kundër Perandorisë Osmane në vitin 1876.
“Edhe Kongresi i Berlinit filloi copëtimin e Malësisë, duke i dhënë Malit të Zi, ndër të tjera, Trieshin dhe Kojën. Malësorët – nga paraqitja e rrezikut të copëtimit të viseve të tyre e shprehën pakënaqësinë përmes protestave të shumta. Njëkohësisht, atdhetarët shqiptarë vendosën të mbajnë kuvendin kombëtar në Prizren, në të cilin do të pajtohet e ardhmja e tokave shqiptare. Malësia e Madhe kishte caktuar përfaqësuesit e vet në këtë kuvend, që ishin: Çun Mula për Hot, Baca Kurti për Grudë, Nikë Gila për Kelmend, Gjel Vuksani për Kastrat dhe Marash Dashi për Shkrel”, u shpreh, mes tjerash, historiani Mark Junçaj.
Ndërkohë, Dr. Nexhat Avdiu u paraqit me kumtesën “Kriza e Ulqinit (1880) si pikë kthese në radikalizimin e programit politik të Lidhjes së Prizrenit”.
Ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën organizimin e parë politik mbarëkombëtar të shqiptarëve në fund të shekullit XIX.
Avdiu theksoi se kjo Lidhje u krijua në rrethana të ndërlikuara politike, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, të cilat parashikonin copëtimin e territoreve të banuara nga shqiptarët dhe kalimin e tyre në favor të shteteve fqinje.
“Në fazën e parë të veprimtarisë së saj, Lidhja kishte si synim kryesor mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare dhe ruajtjen e lidhjeve me Perandorinë Osmane duke besuar se interesat kombëtare mund të mbroheshin brenda kuadrit të saj institucional”, u shpreh Dr. Nexhat Avdiu.
Megjithatë, shtoi ai, zhvillimet politike ndërmjet viteve 1879-1880 treguan se Porta e Lartë nuk ishte e gatshme të kundërshtonte presionin e Fuqive të Mëdha në mbrojtje të trojeve shqiptare.
“Në këtë kontekst, kriza e Ulqinit e vitit 1880 shënoi një moment vendimtar në evolucionin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dorëzimi i Ulqinit Malit të Zi jo vetëm që shkaktoi pakënaqësi të madhe te shqiptarët, por ndikoi drejtpërdrejt në radikalizimin e programit politik të Lidhjes dhe në kalimin e saj nga një lëvizje mbrojtëse në një organizatë me synime të qarta autonomiste”, u shpreh, mes tjerash, Avdiu.
Ndërkaq, në kumtesën e tij “Lidhja e Prizrenit në veprën ‘Lahuta e Malcisë’ të autorit Gjergj Fishta”, Marjan Lulgjuraj tha se në kohën kur Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje synonin copëtimin e tokave shqiptare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shndërrua në simbol të bashkimit dhe të rezistencës kombëtare.
“Kjo ngjarje historike ka gjetur pasqyrim të fuqishëm edhe në letërsinë shqiptare, veçanërisht në kryeveprën ‘Lahuta e Malcisë’ të Gjergj Fishtës. Në këtë vepër epike autori përjetëson heroizmin e shqiptarëve, luftën për liri dhe përpjekjet për mbrojtjen e trojeve shqiptare”, u shpreh ai.
Lulgjuraj më tej tha se autori i kësaj vepre e përshkruan me emocion dhe krenari mobilizimin e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve nga copëtimi.
“Fishta përjetëson shumë luftëtarë dhe prijës shqiptarë që morën pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe në lëvizjen kombëtare të kohës”, theksoi ai.
Simpoziumi shkencor u organizua nga shoqata “Penda”, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat