Zemra e ekonomisë së dikurshme të Malësisë

Mullinjtë e ujit në Malësi nuk janë thjesht rrënoja apo gurë të kalbur; ata janë dëshmi e një kohe kur jeta rridhte në harmoni me natyrën. Në çdo gur mulliri dhe në çdo kanal uji, ruhet historia e punës së palodhur, e solidaritetit dhe e urtësisë së brezave

Gjekë Gjonaj

Përhapja gjeografike dhe tipologjia e tyre
Mullinjtë e ujit kanë qenë për shekuj me radhë pjesë e pandashme e jetës ekonomike dhe shoqërore të Malësisë. Ata përbënin një nga objektet më të rëndësishme të ekonomisë tradicionale, pasi përpunimi i drithit ishte kusht themelor për mbijetesën e popullsisë. Mielli dhe buka ishin baza e ushqimit të përditshëm, prandaj edhe mulliri kishte një rol të veçantë në jetën e banorëve të kësaj treve.
Mullinjtë në Malësi kishin një përhapje të gjerë gjeografike. Ata shtriheshin nga brigjet e liqenit të Shkodrës deri në zonat më të thella malore. Nga Vitoja si pika më jugore e deri në Muzheçk në viset e larta malore, mullinjtë ishin të pranishëm pothuajse kudo ku ekzistonin kushtet minimale hidrologjike për funksionimin e tyre.
Ndërtimi i tyre nuk përcaktohej nga kufijtë territorialë, por prania e ujit. Mjaftonte një burim, një përrua apo një rrjedhë e vogël uji që banorët të ndërtonin një mulli për bluarjen e drithit.
Mulliri si objekt përbëhej nga struktura ndërtimore dhe arkitektonike, ku vendoseshin gurët e mullirit dhe mekanizmat e tjerë përcjellës. Funksionimi i tij bazohej në energjinë kinetike të ujit, e cila vinte në lëvizje rrotat e mullirit dhe mekanizmin e bluarjes.
Në bazë të burimit të ujit që i furnizonte, mullinjtë e Malësisë mund të klasifikohen në këto kategori kryesore: mullinjtë e lumit Cem, mullinjtë e përroit Urrela, mullinjtë pranë liqenit të Shkodrës, mullinjtë e zonave kodrinore dhe malore.

Mullinjtë e lumit Cem
Grupi më i madh dhe më i rëndësishëm i mullinjve në Malësi lidhej me lumin Cem. Këta mullinj ishin zakonisht më të mëdhenjtë dhe më të qëndrueshmit, sepse lumi siguronte sasi të konsiderueshme uji gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Shtrirja e tyre fillonte nga hyrja e lumit Cem në territorin e komunës së Tuzit dhe vazhdonte deri në kufijtë e Malësisë, nga Cemi i Trieshit deri në Bogiq në zonën e Niagarës.
Nëpër kanionin e Cemit kalonte dikur edhe një rrugë e rëndësishme karvanesh që lidhte pellgun e liqenit të Shkodrës me brendësinë malore dhe viset kontinentale. Për këtë arsye, mullinjtë e kësaj zone shërbenin jo vetëm për popullsinë vendase, por edhe për udhëtarët dhe tregtarët që kalonin nëpër këtë rrugë.
Nga Cemi i Trieshit deri në zonën e Dheut të Zi shtriheshin një numër i madh mullinjsh, ndër të cilët po përmendim: mullinjtë e Tërgajës, të Dinoshës, të Grykës së Lulanit, të Dhamëgjarprit, të Rrogathit dhe mullirin e Bogiqit. Këta mullinj përbënin një rrjet të dendur ekonomik, i cili mbështeste jetesën e banorëve të kësaj zone për një kohë të gjatë.

Mullinjtë e përroit Urrela
Këta mullinj furnizoheshin nga përroi Urrela dhe degët e tij. Më i rëndësishmi ndër ta ishte mulliri i Tuzit, i njohur edhe si mulliri i Kërniqëve, i cili për nga madhësia konsiderohej i dyti në Malësi, pas mullirit të Bogiqit.
Në kujtesën e banorëve të vjetër ruhet edhe ekzistenca e një mulliri tjetër nën fshatin Vranë. Struktura e përroit Urrela dikur ndahej në dy degë pranë rrugës së Shipshanikut, afër ndërtesës së sotme të komunës. Një degë vazhdonte drejt Tuzit, ndërsa dega tjetër përcillte ujin drejt fshatrave Dushiq dhe Vranë.
Një mulli tjetër ndodhej pranë rrugës Tuz-Vuksanlekaj-Hot, në afërsi të varrezave islame, megjithëse sot nuk kanë mbetur gjurmë të tij. Një tjetër mulli ndodhej në Vuksanlekaj dhe kishte dy rrota mulliri.
Dikur përroi Urrela nuk shterej siç ndodh sot. Deri para disa dekadash ai rridhte deri rreth festës së Shën Antonit, në muajin qershor, e ndonjëherë edhe më vonë. Kjo sasi uji ishte e mjaftueshme për funksionimin e disa mullinjve përgjatë degëve të tij.

Mullinjtë pranë liqenit të Shkodrës
Një mulli i veçantë ndodhej në brigjet e liqenit të Shkodrës, në fshatin Vitojë. Sot ruhen vetëm skeletet e këtij objekti.
Ky mulli funksiononte në bazë të ujit që grumbullohej në një rezervuar të vogël artificial. Popullsia vendase kishte ndërtuar një mur rrethues për të krijuar një lloj akumulim uji, i cili mbushej nga burimet e shumta karstike të kësaj zone.
Përmes një rënieje të kontrolluar të ujit, energjia e tij vihej në shfrytëzim dhe vinte në lëvizje rrotat e mullirit. Ky mekanizëm përbën një shembull tipik të përdorimit racional të burimeve natyrore, duke e shndërruar ujin në një faktor të rëndësishëm prodhues në jetën ekonomike të banorëve të kësaj zone.

Mullinjtë e zonave kodrinore dhe malore
Mullinjtë e këtyre zonave funksiononin kryesisht mbi bazën e burimeve karstike dhe rrjedhjeve të përkohshme të ujit, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt as me lumin Cem, as me përroin Urrela, e as me liqenin e Shkodrës. Këto burime ujore, ndonëse më të kufizuara në sasi dhe kohëzgjatje, përbënin një bazë të mjaftueshme për ndërtimin dhe funksionimin e mullinjve në këto hapësira. Shembuj të tillë hasen në Lerzë, Rrasa të Tisës dhe nën Muzheçk, ku banorët, të përshtatur me kushtet natyrore, kishin ngritur struktura të thjeshta, por funksionale për përpunimin e drithit.
Mulliri nën Muzheçk furnizohej nga një rrjedhë e vogël uji, të cilën banorët e kishin kanalizuar me mjeshtëri përmes rrasave të gurit, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm drejtimi të ujit drejt mekanizmit të mullirit. Kjo mënyrë ndërtimi dëshmon për një njohuri praktike të trashëguar ndër breza dhe për një shfrytëzim racional të burimeve të kufizuara ujore.
Në përgjithësi, mullinjtë e kësaj kategorie ishin më të vegjël dhe kishin karakter kryesisht familjar ose vëllazëror, duke shërbyer për plotësimin e nevojave të ekonomive lokale. Ata nuk kishin kapacitetin e mullinjve të mëdhenj pranë lumenjve, por luanin një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të banorëve, duke siguruar përpunimin e drithit në mënyrë të vazhdueshme dhe të afërt. Njëkohësisht, këta mullinj përfaqësojnë një traditë të hershme të jetesës në harmoni me natyrën, ku shfrytëzimi i burimeve bëhej me masë, me kujdes dhe në përputhje me ritmet natyrore të mjedisit.

Gjurmët e fundit të mullinjve në Malësi
Në disa zona, si në Gurrec apo në Traboin, ruhen ende gjurmë të mullinjve të vjetër. Në Traboin, për shembull, kanë ekzistuar dy mullinj që funksiononin nga uji i Kroit të Traboinit, ndërsa muret e tyre ruhen ende pjesërisht. Fatkeqësisht, shumica e mullinjve të Malësisë sot janë rrënuar ose kanë humbur plotësisht. Megjithatë, mbetjet e tyre dhe kujtesa historike që lidhet me ta përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike të kësaj treve.

Kohë të vështira, por të bukura
Jeta rreth mullirit nuk ishte e lehtë. Puna ishte e rëndë, kushtet shpeshherë të vështira, por njerëzit i përballonin me dinjitet dhe shpresë. Mulliri ishte jo vetëm vend pune, por edhe vend takimi, ku njerëzit shkëmbenin lajme, rrëfenin për jetën dhe forconin lidhjet e tyre shoqërore. Në pritje të radhës për bluarje, burrat dhe pleqtë bisedonin për hallet dhe gëzimet e përditshme, ndërsa të rinjtë mësonin prej tyre urtësinë dhe zakonet e vendit.
Kështu, përveç miellit që dilte nga guri i mullirit, aty ruhej dhe përcillej edhe fryma e bashkësisë dhe e solidaritetit mes njerëzve.

Përfundim
Mullinjtë e ujit në Malësi nuk janë thjesht rrënoja apo gurë të kalbur; ata janë dëshmi e një kohe kur jeta rridhte në harmoni me natyrën. Në çdo gur mulliri dhe në çdo kanal uji, ruhet historia e punës së palodhur, e solidaritetit dhe e urtësisë së brezave.
Ata na kujtojnë se buka nuk është vetëm ushqim, por dhe fryt i bashkësisë; se çdo rreth i gurit të mullirit bart në vetvete një mësim për durim, për respekt dhe për lidhjen e njeriut me tokën e tij.
Edhe sot, kur mullinjtë heshtin, kujtesa dhe peizazhi i tyre flasin për një kulturë të gjallë dhe të qëndrueshme, që meriton të kujtohet, të studiohet dhe të përcillet me krenari te brezat e ardhshëm. Ruajtja dhe dokumentimi i kësaj trashëgimie është detyrim ndaj së kaluarës dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes.

Të fundit

më të lexuarat