
Në historinë e antikës së vonë, Ballkani nuk është periferi e Perandorisë Romake të lindjes, por një hapësirë nga e cila dalin individë me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë botërore të mesjetës. Midis tyre, një vend të veçantë zë perandori bizantin Justiniani I dhe bashkëkohasi i tij, kryekomandanti ushtarak Belisari.
Sipas Prokopit të Cezaresë, i cili shërbeu si sekretar dhe këshilltar juridik i Belisarit, ky lindi në vendin Germania në provincën e Dardanisë. Vendndodhja e saktë e këtij lokaliteti nuk është përcaktuar me siguri deri më sot, gjë që lë hapësirë për hipoteza të ndryshme shkencore dhe kërkon kujdes në interpretim.
Në këtë kontekst, herë pas here ngrihet edhe çështja e vazhdimësisë në hapësirën e Kosovës, ku Gërmia në afërsi të Prishtinës së sotme fonetikisht i ngjanë Germanisë antike. Megjithatë, pa dëshmi arkeologjike, një lidhje e tillë mbetet në nivel supozimi.
Nga ana tjetër, perandori Justinian vjen nga e njëjta hapësirë më e gjerë dardane. Vendlindja e tij, Tauresium, zakonisht identifikohet me lokalitetin arkeologjik Taor, pranë Shkupit të sotëm.
Shikuar së bashku, Justiniani dhe Belisari përfaqësojnë dy figura plotësuese të një momenti historik të fuqisë politike dhe ushtarake të Bizantit. Dardania në shekullin VII dha një vizionar politik dhe një strateg ushtarak të lartë.
Justiniani I, si sundimtar, përcaktoi kornizën politike dhe juridike të rimëkëmbjes së Perandorisë, ndërsa Belisari e zbatoi këtë strategji në praktikë, në fushatat nga Afrika e Veriut deri në Itali.
Në këtë kuptim, ata nuk mund të shihen të ndarë: rëndësia e tyre buron nga marrëdhënia e ndërsjellë midis vizionit politik dhe realizimit ushtarak. Justiniani dhe Belisari përbëjnë një dyshe që shënoi periudhën e fundit madhështore të historisë së Bizantit.
Në interpretimet bashkëkohore, figurat si Justiniani I dhe Belisari bëhen objekt i përvetësimit në kuadër të narrativave kombëtare, veçanërisht në kontekstin e nevojave identitare në Ballkan. Qasje të këtilla, që e përshtasin të kaluarën me korniza bashkëkohore, çojnë në trivializimin e historisë në funksion të politikës së ditës. Pikërisht për këtë arsye, njohja e burimeve dhe e kontekstit historik nuk është vetëm çështje akademike por një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e besueshmërisë shkencore mbi kuptimin e së kaluarës duke shmangur konstruktet ideologjike.
