Mes humanizmit dhe kontrollit

Me këtë program, i njohur si “Operation Safe Haven”, Australia pranoi të evakuonte 4 000 kosovarë. Tetë zyrtarë australianë u dërguan në kampin e Blacës në Maqedoni për të përzgjedhur refugjatët. Zyrtarisht, kriteret synonin më të cenueshmit - të sëmurët, gratë në rrezik, të moshuarit, fëmijët e pashoqëruar. Në praktikë, u favorizuan ata që mund të përballonin një fluturim të gjatë pa mbikëqyrje mjekësore, një kontradiktë që shkaktoi kritika të hershme

Sami Flamuri

Në pranverën e vitit 1999, ndërsa bombardimet e NATO-s dhe fushata e spastrimit etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit shkatërronin Kosovën, mbi 840 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Ata u grumbulluan në kampe emergjente në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, në kushte të skajshme pasigurie, frike dhe varfërie. UNHCR, e mbingarkuar nga ky eksod masiv, iu drejtua vendeve perëndimore me një kërkesë të pazakontë: evakuimin e një numri të kufizuar refugjatësh, sidomos grupeve shoqërore më të ndjeshme.
Fillimisht, qeveria australiane e kryeministrit John Howard e refuzoi kërkesën. Ministri i Emigracionit, Philip Ruddock, argumentoi se transportimi me avion i refugjatëve drejt Australisë nuk ishte zgjidhja e duhur. Megjithatë, presioni publik, pamjet tronditëse të kampeve dhe solidariteti i shoqërisë civile ndryshuan klimën politike. Më 6 prill 1999, Howard njoftoi krijimin e vizës së përkohshme “Safe Haven” (“Vendstrehimi i sigurt”), duke e cilësuar pjesëmarrjen e Australisë si një detyrim moral të një vendi të pasur dhe të sigurt.
Me këtë program, i njohur si “Operation Safe Haven”, Australia pranoi të evakuonte 4 000 kosovarë. Tetë zyrtarë australianë u dërguan në kampin e Blacës në Maqedoni për të përzgjedhur refugjatët. Zyrtarisht, kriteret synonin më të cenueshmit – të sëmurët, gratë në rrezik, të moshuarit, fëmijët e pashoqëruar. Në praktikë, u favorizuan ata që mund të përballonin një fluturim të gjatë pa mbikëqyrje mjekësore, një kontradiktë që shkaktoi kritika të hershme.
Më 7 maj 1999, grupi i parë i refugjatëve mbërriti në Sidnei dhe u prit në mënyrë solemne nga kryeministri. Për disa ditë, kosovarët u shndërruan në figura qendrore të medias australiane – viktima tragjike, por edhe simbol i “bujarisë” kombëtare. Pas kontrolleve shëndetësore në East Hills, ata u shpërndanë në tetë baza ushtarake të braktisura, përfshirë Brighton në Tasmani, Puckapunyal në Victoria dhe Bandiana në New South Wales. Kushtet ishin spartane: baraka të vjetra, klimë e ashpër, izolim nga komunitetet dhe largësi e madhe nga diasporat shqiptare në Melburn dhe Sidnei.
Në të njëjtën kohë, Parlamenti miratoi Migration Legislation Amendment (Temporary Safe Haven Visas) Act 1999. Ky ligj iu hoqi refugjatëve të drejtën për ankim, ua ndaloi aplikimin për qëndrim të përhershëm dhe i dha ministrit kompetenca pothuajse të pakufizuara për të shkurtuar, zgjatur ose anuluar vizat. Juristë dhe organizata për të drejtat e njeriut e kritikuan ashpër këtë kornizë ligjore, duke e parë si një precedent të rrezikshëm për kufizimin e lirive civile.
Megjithëkëtë qasje restriktive, shumë australianë – veçanërisht komuniteti shqiptar – u mobilizuan për të ndihmuar refugjatët me ushqim, veshmbathje dhe mbështetje morale. Media lokale në disa shtete pasqyroi në mënyrë empatike historitë e tyre, duke krijuar një kontrast të fortë mes solidaritetit qytetar dhe kontrollit shtetëror.
Pas marrëveshjes së paqes mes NATO-s dhe Jugosllavisë më 9 qershor 1999, qeveria australiane filloi presionin për kthimin e refugjatëve. Shumë prej tyre refuzuan, duke argumentuar se siguria në Kosovë mbetej e brishtë. Në prill 2000, baza e Bandianës u shndërrua në qendër ndalimi dhe një grup refugjatësh e sfidoi qeverinë në High Court of Australia. Gjykata vendosi në favor të shtetit, duke i hapur rrugë kthimit të shumicës së tyre, ndërsa vetëm 121 persona u lejuan të aplikonin për qëndrim të përhershëm.
Operacioni “Safe Haven” (“Vendstrehimi i sigurt”) mbetet një episod thellësisht ambivalent: një ndërhyrje që shpëtoi jetë, por që njëkohësisht krijoi një model të mbrojtjes së përkohshme të bazuar më shumë në kontroll sesa në të drejtat e refugjatëve – një model që më vonë do të materializohej në regjimin e Temporary Protection Visa (TPV).

Të fundit

më të lexuarat