Në komunën e Tuzit, deri tani afro 1 700 kërkesa

“Në territorin e Malësisë kemi dy zona për legalizim: zonën fushore dhe zonën malore. Kjo e fundit është e liruar nga taksat për legalizim, kurse zona fushore obligohet të paguajë taksën për legalizim, e cila është 26.28 euro për metër katror. Kjo taksë ka disa zbritje të caktuara me ligj, në varësi të situatës”, shprehet Lekë Ivezaj, sekretar i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Tuzit

Ligji për legalizimin e objekteve të paligjshme, i miratuar në fund të muajit korrik të vitit 2025 dhe i cili ka hyrë në fuqi më 14 gusht 2025, ka sjellë disa lehtësira në aspektin e dokumentacionit për pronarët e objekteve të ndërtuara pa leje.
Sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Tuzit, Lekë Ivezaj tregon mbi kushtet që duhet të plotësojnë pronarët e shtëpive apo objekteve të tyre për t’i legalizuar ato.
“Kushti kryesor për legalizimin e objekteve është evidentimi nga xhirimi satelitor, i cili është bërë në korrik të vitit 2025. Kushti i dytë është regjistrimi i objektit në evidencën kadastrale. Kushti i tretë është pronësia e pakontestueshme, sepse kemi objekte të cilat janë ndërtuar në pronat shtetërore dhe private. Pra, në të dyja rastet, objektet e paligjshme duhen të legalizohen. Këtu ka një dallim, pasi që në tokën shtetërore prona duhet t’i blihet shtetit dhe të gjithë pronarët e objekteve të paligjshme të ndërtuara në pronë shtetërore duhen t’i regjistrojnë objektet në kadastër deri më 14 shkurt 2026”, shprehet ai.
Ivezaj shton se objektet që nuk do të regjistrohen në evidencën kadastrale deri në këtë afat të përcaktuar, do të kalojnë në pronësi të shtetit ose të komunës.
Ndërkohë, sa i përket interesimit të qytetarëve në territorin e komunës së Tuzit për të kryer këtë obligim ligjor, Ivezaj thotë se interesimi është i madh, ku deri tani janë dorëzuar rreth 1 700 kërkesa dhe se po vijojnë punën për legalizimin e tyre.
“Në territorin e Malësisë kemi dy zona për legalizim: zonën fushore dhe zonën malore. Kjo e fundit është e liruar nga taksat për legalizim, kurse zona fushore obligohet të paguajë taksën për legalizim, e cila është 26.28 euro për metër katror. Kjo taksë ka disa zbritje të caktuara me ligj, në varësi të situatës”, shprehet Lekë Ivezaj, sekretar i Sekretariatit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.
Ndërkaq, ai shton se objektet që i tejkalojnë 500 metra katrore nuk janë në kompetencë të komunës për legalizim, por në kompetencë të Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Rajonit Verior.
Xhirimi i fundit ortofoto, një incizim ajror dhe satelitor i territorit në Mal të Zi u bë në vitin 2025, ndërsa autoritetet shtetërore flasin për dhjetëra mijëra objekte të ndërtuara pa leje, pa një shifër përfundimtare dhe zyrtarisht të konsoliduar.
Sipas Ligjit për legalizimin e objekteve të paligjshme, objekt i paligjshëm konsiderohet ndërtesa ose pjesa e ndërtesës që është rikonstruktuar, ndërtuar, zgjeruar ose shtuar pa leje ndërtimi, respektivisht pa akt tjetër që e lejon ndërtimin, ose në kundërshtim me këtë akt.
Objekt i paligjshëm nga paragrafi 1 i këtij neni konsiderohet edhe pjesa e objektit që përfaqëson tejkalim të sipërfaqes së objektit të përcaktuar me kushtet teknike-urbanistike, lejen e ndërtimit ose me akt tjetër.
Gjithashtu, objekt i paligjshëm konsiderohet edhe objekti ndihmës, i cili përbën një njësi funksionale me objektin e banimit, biznesit ose banim-biznesi, si dhe objekti që është në funksion të kryerjes së aktivitetit bujqësor, mbrojtjes dhe valorizimit të të mirave kulturore të paluajtshme dhe rregullimit të hapësirave të gjelbra publike, si dhe llojet e tjera të objekteve ndihmëse sipas ligjit që rregullon ndërtimin e objekteve, të cilat janë ndërtuar, rikonstruktuar, zgjeruar ose shtuar pa leje ndërtimi, respektivisht pa akt tjetër që e lejon ndërtimin, ose në kundërshtim me këtë akt.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat