Lidhje e kujtesës historike me gjuhën vizuale të sotme

E pashë si një mundësi për të reflektuar mbi historinë dhe për të rishikuar rolin e gruas në lëvizjet e rezistencës. Doja të krijoja diçka që lidh kujtesën historike me gjuhën vizuale të sotme. Ishte një sfidë, por edhe një mënyrë për të treguar se sa aktuale mbeten temat e drejtësisë dhe barazisë

Koha javore: Indrit, urime për Çmimin e parë! Mund të na tregoni pak më shumë rreth konceptit të veprës suaj?
I. Çitaku:
Faleminderit shumë! Detyra jonë ishte të krijonim një homazh për Stana Tomasheviq, një figurë të rëndësishme të rezistencës antifashiste dhe të forcës femërore. Unë krijova dy posterë me titujt “Pobuna je oblik ljubavi” dhe “Voice of Resistance”. Përmes tyre, përpiqem të bashkoj estetikën e propagandës klasike me një ndjeshmëri bashkëkohore, duke e paraqitur rebelimin jo si akt dhune, por si një shprehje dashurie ndaj lirisë dhe drejtësisë.

Koha javore: Si e keni realizuar teknikisht këtë ide?
I. Çitaku:
Punimet janë krijuar në formë ilustrimi digjital. Kam përdorur ngjyra të forta dhe kontraste të theksuara për të përçuar energjinë dhe vendosmërinë e gruas që ndodhet në qendër të kompozimit. Për mua ishte e rëndësishme që çdo element vizual të mbante një ngarkesë emocionale – që fuqia, rezistenca dhe dashuria të ndiheshin njëkohësisht.

Koha javore: Pse vendosët të merrni pjesë në këtë konkurs?
I Çitaku:
E pashë si një mundësi për të reflektuar mbi historinë dhe për të rishikuar rolin e gruas në lëvizjet e rezistencës. Doja të krijoja diçka që lidh kujtesën historike me gjuhën vizuale të sotme. Ishte një sfidë, por edhe një mënyrë për të treguar se sa aktuale mbeten temat e drejtësisë dhe barazisë.

Koha javore: Si ishte procesi i punës për ju?
I. Çitaku:
Shumë intensiv emocionalisht. Duhej të kuptoja thellë simbolikën e figurës së Stanës – jo vetëm si heroinë e luftës, por si grua që mishëronte idealet e dashurisë dhe sakrificës. Gjatë punës ndihesha sikur po dialogoja me një figurë historike që ende frymëzon. Ishte një proces i thellë reflektimi mbi forcat e brendshme që nxisin ndryshimin shoqëror.

Koha javore: Çfarë do të thotë për ju ky çmim?
I. Çitaku:
Është një ndjenjë shumë e bukur dhe një konfirmim që arti që flet për drejtësi, guxim dhe dashuri ende ka fuqi të prekë njerëzit. Ndihem shumë mirënjohës për mundësinë dhe i frymëzuar për të vazhduar të krijoj vepra që ndërthurin historinë, identitetin dhe emocionin njerëzor.

Koha javore: Faleminderit Indrit dhe suksese në krijimet e ardhshme!
I. Çitaku:
Faleminderit juve!

Të fundit

më të lexuarat