Ulqin – Për dy ditë me radhë, të enjten dhe të premten, Ulqini ishte mikpritës i rreth 120 gazetarëve sportivë nga pesë vende të rajonit: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, që morën pjesë në Turneun e futbollit në rërë “Pro Beach Soccer – Ulqini 2021”.
Turneu u organizua nga Organizata Turistike e Ulqinit dhe ndeshjet u zhvilluan në plazhet “Tampico Beach” dhe “Safari Beach & Camping” në Plazhin e Madh.
Fitues i turneut u shpall ekipi i gazetarëve sportivë nga Bosnja e Hercegovina, që në finale fitoi ekipin e gazetarëve sportivë nga Mali i Zi.
Gazetari Jasmin Hukiq u shpall lojtari më i mirë i turneut, ndërsa Adnan Nezirov u zgjodh portieri më i mirë, të dy nga Bosnja e Hercegovina.
Krahas ekipeve të gazetarëve sportivë në këtë aktivitet sportiv morën pjesë edhe emra të njohur të sportit nga rajoni dhe përfaqësues të federatave të futbollit të këtyre vendeve.
Në mbyllje të turneut, në një ceremoni të posaçme në mjediset e kompleksit hotelier “Holiday Village Montenegro” janë ndarë mirënjohje për personat që kanë kontribuar në rritjen e cilësisë së sportit.
Turneu “Pro Beach Soccer – Ulqin 2021” u organizua në kuadër të aktiviteteve që OTU organizon para fillimit të sezonit turistik dhe përbën rikthimin e traditës së dikurshme kur në Ulqin zhvilloheshin turne në futbollin në rërë, në prag të sezonit turistik veror apo në përfundim të tij. Ky aktivitet sportiv ka për qëllim, ndër të tjera, promovimin e Ulqinit dhe turizmit në këtë qytet.
(Kohapress)