Tuz – Klubi i Taekwondosë “Besa” me një proteste paqësore përpara godinës së Komunës së Tuzit me pankarta në duar dhe slogane të ndryshme ka paralajmëruar pezullimin e aktiviteteve sportive, nga data 1 qershor, për shkak të siç kanë thënë, keqtrajtimit nga ana e komisionit për ndarjen e mjeteve financiare dedikuar këtij klubi sportiv me një përvojë gati tridhjetëvjeçare.
“Me ato mjete të cilat i kishte caktuar komisioni sigurisht se nuk janë marrë parasysh vlerat apo puna jonë në mënyrë serioze dhe dinjitoze. Prandaj, kjo mënyrë proteste është që të shohin të gjithë këshilltarët, politikanët dhe organet komunale që ne duam përkrahje konstante dhe serioze, sepse jemi klub serioz, me punë e rezultate serioze dhe ashtu do të mbetemi”, është shprehur trajneri i Klubit të Taekwondosë “Besa”, Nikollë Gegaj në një prononcim për televizionin lokal “Boin”.
Gegaj më tutje ka shtruar pyetjen, se a mund të vazhdojmë nëse nuk kemi përkrahje?
“Ato mjete janë të qytetarëve tonë dhe duhet të gjithë që t’i gëzojmë dhe të mos kemi diskriminime sepse shohim që Klubi “Deçiqi” i gëzon të gjitha të drejtat dhe mundësitë, mirëpo ne jo. Pse? Me rezultate evropiane dhe që na i njeh bota. Edhe para vitit të ri kam dërguar një shkresë, sygjerime se çfarë të bëhet për klubin “Besa”, mirëpo kemi pas heshtje dhe asnjë përgjigje. Përpara se u përshëndetëm me kryetarin ai bëri një pyetje politike, mirëpo ne nuk merremi me politikë, ne merremi me çështje sporive dhe ashtu do të jemi. Sporti duhet të përkrahet”, është shprehur Gegaj.
Trajneri i klubit “Besa” duke shprehur mburrje dhe krenari për sportistat e “Besës” të cilët siç tha ai, e kanë afirmuar Malësinë dhe kombin shqiptar, tha se kërkojnë që “Besa” të ketë një mbështetje konstante dhe që rezultatet e tyre të vlerësohen në mënyrë të duhur.
“Sportisti Zinedin Beqaj për këtë vit i cili ishte kandidat për Lojërat Olimpike e që u radhit i pesti në kualifikime dhe ishte ndoshta shumë afër që të kualifikohet, kishte mbështetje zero. A është kjo e drejtë? A është kjo në rregull, a është kjo një strategji e zhvillimit të sportit? Unë them jo”, theksoi Gegaj.
Ai ka shprehur kaqardhjen e tij që, siç tha, është detyruar të bëjë këtë protestë.
“Ne kërkojmë përkrahje dhe jo duartrokitje. Ne do të pëzullojmë aktivitetet tona nga data 1 qershor, deri në një zgjidhje, me shpresë se do te kemi mirëkuptim. Fatkeqësisht në duar të politikanëve është e ardhmja e sportistëve tonë”, është shprehur në mes tjerash Gegaj, duke shtuar se ata do t’ia dalin me krenari edhe kësaj beteje.
Nga Komuna e Tuzit është njoftuar se nga buxheti i komunës për vitin 2021 në bazë të konkursit publik për Klubin Taekwondo “Besa” janë ndarë 11 mijë euro, shifër të cilën sipas trajnerit të klubit, nuk e kishin imagjinuar as në ëndërr, dhe si rrjedhojë e kësaj, ky klub nuk ka firmosur kontratën në ditën e ndarjes së mjeteve financiare për klubet sportive në vend.
Ndërkaq, në njërin ndër sloganet e shumta që mbanin në duar sportistët e “Besës”, thuej: “Bota dhe Evropa na njeh e Tuzi dhe Malësia jo! Pse?”. Ndërsa, në pankartën që mbante në duar trajneri i klubit “Besa”, Nikollë Gegaj shkruhej: “Të gjithë jetën e sakrifikova për Malësinë, kombin e komunitetin tonë e çka përfitova –000. Por jo, përfitova shumë. Jam malësori më i pasur”.
Ai ka thënë se Komunën e Tuzi e kanë përkahur me aktivitete edhe gjatë situatës së pandemisë në Malësi.
“Klubi “Besa” ka ndihmuar atëherë me 7-8 veta këtu pranë Komunës, kurse klubet e tjera nuk i kam vërejtur të kenë qenë të organizuara dhe nuk e bënë këtë”, u shpreh Gegaj.
Ai gjatë prononcimit të tij është shprehur se nevojitet të organizohet një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar mbi zhvillimin e sportit, e sidomos për sportet të cilat e kanë ngitur këtë vend në mënyrë kulminante.
“Dhe jo të merremi me politikë se çfarë ka bërë pushteti i mëparshëm. Por unë them, çfarë jemi duke bërë tani dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Ato mjete financiare nga buxhetit, janë mjetet tona dhe duam që në mënyrë transparente të dihet se si ato shpenzohen, dhe të mbështeten edhe disa sporte të tjera në mënyrë të duhur”, është shprehur trajneri i Klubit të Taekwondosë “Besa”, Nikollë Gegaj.
t. u.