Tuz – Klubi futbollistik “Deçiq” me ndeshjen që zhvilloi me Klubin “Sutjeska” në Nikshiq me rezultatin 2:1, ka arritur që t’ia sigurojë vetes daljen në skenën evropiane të futbollit për të parën herë në historinë 95-vjeçare të këtij klubi.
Ky rezultat i shkëlqyeshëm, është pritur jashtëzakonisht mirë nga tifozët e Klubit Futbollistik “Deçiq”.
Si rezultat i kësaj fitoreje, të dielën në mbrëmje në Sheshin e Tuzit u bë një festë e vërtetë, ku drejtuesit e klubit, trajnerët dhe lojtarët u pritën nga tifozët e tyre, për të festuar këtë fitore vërtetë historike të këtij klubi të cilin po e ndjekin sukseset e njëpasnjëshme.
Rikujtojmë se Klubi futbollistik “Deçiq” është një klub sportiv i hershëm me një traditë mbi nëntëdhjetë-vjeçare. Ky klub ndër vite krijoi një emër të spikatur në futboll, falë talentëve dhe mjeshtrave të mëdhenj të futbollit të cilët nëpër ndeshje të ndryshme brenda dhe jashtë vendit shënuan rezultate të rëndësishme. Nga ky klub dolën lojtarë cilësorë – ikona të futbollit, të njohur në të gjitha vendet e ish- Jugosllavisë.
t. u.