Dua Lipa fiton çmimin “Grammy” për albumin më të mirë pop

Këngëtarja nga Kosova, Dua Lipa, është nderuar me çmimin “Grammy” në kategorinë për albumin më të mirë në zhanrin pop, me “Future Nostalgia”.
Ky është çmimi i saj i parë në edicionin e 63-të të ndarjes së çmimeve prestigjioze. Më 2018 kishte fituar dy çmimet e para “Grammy” në karrierë, atë për artisten më të mirë të re dhe për incizimin më të mirë dance.
Në këtë edicion, Lipa ishte e nominuar në gjashtë kategori.
Secila nga njëmbëdhjetë këngët e këtij albumi shpërndan një ndjenjë euforike që rritet nga tingujt e parezistueshëm. Sigurisht, albumi për suksesin e vet i ka borxh të madh së kaluarës nostalgjike e veshur me shkëlqimin e këngëve në disco dhe muzikës së viteve ’80. Këngët e Lipës janë të paturpshme në dëshirat e tyre, qoftë për të dalë me ish të dashurin apo për të takuar dikë të ri.
Dua me këtë album mori epitetin “alfa e discos”.
“Future Nostalgia” u lansua në mars të vitit të kaluar.
Situata me koronavirusin i kishte shkaktuar pasiguri për gjithçka. Dilemë kryesore e kishte pasur nëse duhej ta lansonte albumin e saj. Me shpresë që albumi i saj i dytë t’u japë njerëzve pak lumturi, kishte vendosur që ta lansonte.
“Faleminderit shumë, kjo është një çmenduri. ‘Future Nostalgia’ më ka ndryshuar jetën në shumë mënyra, por një gjë që e kam kuptuar është se sa e rëndësishme është lumturia. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi dhe jam mirënjohëse dhe e nderuar pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, ka thënë Lipa pasi pranoi çmimin.

Të fundit

më të lexuarat