“Prej Dulcigno në Dinoshë” titullohet libri i autorit, studiuesit dhe publicistit, Sami Flamuri, i promovuar të martën mbrëma (9 qershor 2026) në QKI “Malësia” në Tuz, në prani të admiruesve të fjalës së shkruar.
Njëri ndër panelistët, historiani Mark Junçaj u shpreh se libri përbëhet nga një përmbledhje artikujsh, të botuar kryesisht në gazetën “Koha javore”, të paraqitur kronologjikisht, ku zënë vend edhe temat historike mbi figura të shquara kombëtare, udhëpërshkrime etj.
Historiani tha se për lexuesin do të jetë me interes pjesa që ka të bëjë me varrin e Mara Kastriotit (motrës së madhe të Skënderbeut) dhe të dhëna të tjera historike që autori i ka dokumentuar, duke filluar nga antikiteti, të cilat siç theksoi ai, përbëjnë informacione të rëndësishme mbi Malësinë, Ulqinin dhe viset e tjera shqiptare, qoftë për publikun apo edhe për studiuesit.
Ai u shpreh se autori iu bën apel historianëve dhe shkencëtarëve për t’u marrë më shumë, veçanërisht me Shasin, i cili është lënë në harresë, por duke apeluar edhe vetë ndaj institucioneve përkatëse, të cilat, siç tha, shpesh nuk e vlerësojnë sa duhet trashëgiminë kulturore.
Publicisti Robert Camaj tha se çdo dokument, gjurmë, botim e qasje ndryshe mbi të kaluarën tonë është lëvizje drejt zbardhjes dhe sqarimit të nyjeve historike.
“Libri i Sami Flamurit na kthen në një nga periudhat më të dhimbshme të historisë shqiptare, në kohën kur fatet e trojeve tona vendosen në tavolinat diplomatike të Evropës, pa praninë dhe pa pëlqimin e shqiptarëve”, u shpreh ai.
Camaj tha, ndër të tjera, se autori ka në fokus ngjarjet që lidhen me dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi në vitin 1880, ku sipas tij, autori e paraqet këtë ngjarje si një nga momentet më dramatike të historisë shqiptare në fund të shekullit XIX.
Autori në këtë libër, siç theksoi Camaj, paraqet mes tjerash edhe rezistencën shqiptare, duke përshkruar organizimin e forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mobilizimin e popullsisë së Ulqinit kundër dorëzimit të qytetit.
“Në analizën e autorit, kjo rezistencë shihet si dëshmi e vetëdijes kombëtare shqiptare që po forcohej në fund të shekullit të XIX”, u shpreh ai.
Më tej publicisti tha se në libër mund të lexohet edhe mbi mënyrën se si autori e kritikon politikën osmane, duke e paraqitur marrëveshjen turko-malazeze si një akt të imponuar dhe se sipas autorit, Ulqini nuk u dorëzua nga vullneti i popullit të tij por nga presioni i diplomacisë evropiane dhe dobësia e Perandorisë Osmane.
Panelisti Muhamed Gjokaj foli mbi artikullin e botuar në këtë libër, të titulluar: “Dinosha si lokalitet me rëndësi arkeologjike”, i nxitur të hulumtojë më shumë se kush jemi ne, më konkretisht për Hotin dhe Grudën, duke pyetur se pse nuk ka informacione të mjaftueshme për zonën e Malësisë, sidomos për objektet antike që përbëjnë gjurmë të lashtësisë?
Gjokaj në artikullin e tij shkruan për një monedhë të gjetur në pronën e Brahim Dukajt në Dinoshë, e cila mund të datojë nga viti 270 kur Marko Aureli Klaudije Gotik ishte perandor romak.
“Është interesant fakti se në mikrolokalitetin ku u gjet monedha, ka gjurmë të ekzistencës së një vile të lashtë, e cila 1800 vjet më parë posedonte ujësjellësin që gjendej në këtë lokalitet. Kurse Dinosha, pas 1800 vitesh, ende pret të fitojë ujin. Dukaj shprehet se në afërsi të këtij lokaliteti janë zbuluar shumë antikitete, si shtiza qeramike, medaljone të ndryshme, mburoja dhe armë etj. Të gjitha këto tregojnë gjurmët e një civilizimi të lashtë dhe rëndësinë e Dinoshës si një nga qendrat më me rëndësi të kohës antike”, theksohet ndër të tjera në artikullin e Gjokajt, të botuar në librin “Prej Dulcigno në Dinoshë” të autorit Sami Flamuri.
Moderatori i mbrëmjes, Idriz Gjokaj zhvilloi një bashkëbisedim më të detajuar me panelistët lidhur me të gjithë kapitujt dhe temat që trajtohen në libër.
Ndërkohë, autori i librit “Prej Dulcigno në Dinoshë”, Sami Flamuri, në prononcimin për gazetën “Koha javore” tregon se ky libër për herë të parë e rikthen vëmendjen te shqiptarët në Malin e Zi, sidomos tek Ulqini, me një titull, siç tha ai, sinjifikativ: “Prej Dulcigno në Dinoshë”.
“Sepse me Dinoshën unë e nënkuptoj edhe Malësinë. Për herë të parë Malësia trajtohet me një qasje serioze, sidomos çështja e fiseve shqiptare dhe çështja e zbulimeve më të fundit të ADN-së shqiptare rreth lashtësisë së fiseve shqiptare”, shprehet autori.
Ai vë në dukje se me këtë libër i qaset drejtpërdrejt dorëzimit të Ulqinit nga Perandoria Osmane Malit të Zi më 1880, por edhe qasjes së Ulqinit kur ai ishte nën Shqipërinë, në vitet 1940-1945, kur për herë të parë në viset tona hapen shkollat në gjuhën shqipe, e në veçanti, tha ai, shpaloset kontributi i Ernest Koliqit, i cili ka bërë një punë vendimtare që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në vendet ku deri atëherë nuk ishte e tillë.
Ai theksoi se në këtë libër ka edhe disa qasje interesante, udhërrëfime të studiuesve të huaj, kushtuar disa njerëzve që kanë lënë gjurmë në viset tona, sidomos atë të Mary Edith Durham e cila përmend qasjen e saj ndaj fisit të Hotit, Marash Ucin dhe të gjitha fiset tjera me një gjenealogji, duke treguar një mos përzierje të gjakut shqiptar.
“Kam edhe një udhëpërshkrim të botanistëve të njohur të kohës, Baldacci dhe Hasselquist, të cilët shkojnë në viset e Krajës që sot janë thuajse të shpopulluara, ku ata përmendin edhe çështjen e Kishës që nuk ka ekzistuar dhe që tregon se sa interesante ka qenë Rumia si majë në atë kohë, por ka edhe disa tekste rreth Tivarit si qytet me histori jashtëzakonisht interesante”, u shpreh autori Sami Flamuri.
Në fund të përurimit autori ka ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
Libri “Prej Dulcigno në Dinoshë”, me redaktor Jaho Kollarin dhe lektor Ismet Kallabën, i botuar vitin e kaluar në Cetinë, është një vepër voluminoze prej 336 faqesh.
Sami Flamuri ka lindur më 20 shtator 1969 në Sidnej të Australisë. Studimet universitare i ka përfunduar në University of Queensland në Australi. Është autor dhe bashkautor i disa veprave kushtuar kulturës dhe historisë shqiptare, ndërsa mbetet aktiv në promovimin e trashëgimisë shqiptare përmes veprimtarisë së tij letrare dhe kërkimore.
t. u.
