Edicioni jubilar i manifestimit tradicional “Pranvera në Anën e Malit 2026” u mbajt nga 12 deri më 14 qershor 2026, duke mbledhur banorë, mërgimtarë, studiues, sportistë dhe dashamirë të kulturës në një program të larmishëm që ndërthurte shkencën, traditën, sportin dhe argëtimin.
Manifestimi nisi në Muzeun Etnografik në Draginë, ku u promovua libri “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”, një përmbledhje e kumtesave të sesionit shkencor të organizuar nga Shoqata “Ora”. Në këtë mbrëmje morën pjesë studiues, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të shumtë, të cilët vlerësuan rëndësinë e botimit si një kontribut të çmuar për dokumentimin e historisë, kulturës dhe identitetit të Anës së Malit. Programi u pasurua edhe me interpretimet muzikore të grupit vendas “Espressivo Band”, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë të veçantë kulturore.
Dita e dytë e manifestimit u karakterizua nga aktivitetet me karakter zhvillimor dhe sportiv. Në restorantin “Panorama” në Rashtishë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë “Zhvillimi i turizmit në Anën e Malit – perspektivat dhe sfidat”, e organizuar në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit. Gjatë diskutimeve u trajtuan potencialet turistike të zonës, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm.
Po atë ditë, në fushën sportive të Katërkollës u zhvillua turneu tradicional i futbollit, i cili mblodhi ekipe dhe sportdashës nga zona, duke krijuar një atmosferë konkurrence dhe bashkimi komunitar.
Aktivitetet vazhduan edhe në ditën e tretë me garën në vrapim, e cila nisi nga Shtëpia e Shëndetit në Katërkollë, si dhe me turneun e shahut të organizuar në ambientet e Fondit Humanitar “Trojet Tona”. Këto aktivitete sollën pjesëmarrjen e të rinjve dhe sportistëve të grupmoshave të ndryshme.
Kulmi i manifestimit u zhvillua në Hajdari Family Public Park në Zenelaj, ku qindra pjesëmarrës ndoqën programin e pasur artistik dhe kulturor. Mbrëmja përfshiu program për fëmijë, paraqitje të grupeve folklorike, mini-panair me produkte vendore dhe prezantim të ushqimeve tradicionale të Anës së Malit.
Atmosfera festive arriti kulmin me koncertin e këngëtares së njohur Albina Kelmendi, e cila u prit me duartrokitje të shumta nga publiku dhe i dha një përmbyllje të denjë këtij edicioni jubilar.
Përgjatë tri ditëve, “Pranvera në Anën e Malit 2026” dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, historike dhe sportive të kësaj treve, duke shërbyer si një pikëtakim i rëndësishëm për komunitetin vendas dhe diasporën. Manifestimi konfirmoi rolin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shoqërore të Anës së Malit, duke bashkuar breza të ndryshëm rreth vlerave të përbashkëta të identitetit dhe traditës.
Në përmbyllje të manifestimit, kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të edicionit jubilar, duke theksuar se organizimi i një manifestimi të tillë është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërmjet institucioneve, biznesit lokal dhe diasporës.
“Ky edicion dëshmoi edhe një herë se Ana e Malit ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor, sportiv dhe turistik. Falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në aktivitetet e organizuara gjatë këtyre ditëve, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme për realizimin e programit. Mirënjohje të veçantë për Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike të Ulqinit, sponsorët tanë dhe mërgatën, e cila vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e çdo nisme që synon promovimin dhe zhvillimin e vendlindjes. Falë këtij bashkëpunimi, ‘Pranvera në Anën e Malit’ vazhdon të ruajë traditën e saj dhe të mbetet një ngjarje që bashkon njerëzit rreth vlerave tona kulturore, historike dhe shoqërore”, u shpreh Kurti.
Ajo falënderoi gjithashtu familjen Hajdari për mikpritjen dhe vënien në dispozicion të hapësirës ku u zhvilluan aktivitetet përmbyllëse të manifestimit, duke vlerësuar se mbështetja e komunitetit mbetet çelësi i suksesit të kësaj ngjarjeje tradicionale.
D. Teliqi
