
Javën që lamë pas, më 25 qershor, bota mbarë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Detarëve. Për një qytet si Ulqini, ky shënim nuk është thjesht një datë formale në kalendarin e festave, por një udhëtim i gjatë në memorien kolektive, një prekje në plagët e vjetra dhe të reja, dhe mbi të gjitha, një pyetje e madhe që rri pezull mbi dallgët e Adriatikut: Çfarë po ndodh me të vërtetë me shpirtin detar të këtij qyteti?
Për shekuj me radhë, Ulqini dhe deti kanë qenë një trup i vetëm. Detaria ka qenë shtylla kurrizore e zhvillimit tonë, dritarja nga ku ky qytet shihte botën dhe rruga e vetme përmes së cilës familjet ulqinake ndërtonin mirëqenien e tyre. Dikur, pothuajse çdo shtëpi në Ulqin kishte një kapedan, një inxhinier apo një marinar. Sot, peizazhi ka ndryshuar. Anijet me vela të tregtarëve tanë me nam janë zëvendësuar nga anijet gjigante të mallrave të korporatave të huaja, ndërsa djemtë e rinj ulqinakë po e kthejnë shikimin gjithnjë e më shumë nga toka.
Për të zbërthyer këtë transformim të heshtur, morëm rrugën drejt skelës për të biseduar pa doreza me pesë detarë të njohur të qytetit tonë: veteranin e respektuar Mahmut (Dudi) Tivari, dhe detarët Valon Suliq, Dritan Peku, Alban Peku e Rade Shofranac. Rrëfimet e tyre, të mbledhura në këtë reportazh, janë një dëshmi e pastër e sakrificës, humbjes së romantizmit, por edhe e një dashurie të pashuar për detin e hapur.
Ndryshimi më i madh nga ajo që konsiderohet si “koha e artë” e detarisë është konteksti shoqëror dhe ekonomik. Mahmut (Dudi) Tivari, një nga detarët më të vjetër dhe më të respektuar në qytet, kujton kohën kur rrugët e jetës ishin të kufizuara.
“Dikur detaria ishte ndër të paktat mënyra që një njeri nga Ulqini të ngrihej ekonomikisht. Thuajse çdo familje kishte dikë në anije dhe deti ishte pjesë e identitetit të qytetit. Sot të rinjtë kanë shumë më tepër zgjedhje – që nga turizmi dhe hoteleria, e deri te puna në sektorin IT apo jashtë shtetit. Jeta bashkëkohore vendos një theks më të madh te familja dhe cilësia e kohës së lirë, ndaj mungesat me muaj të tërë larg shtëpisë nuk janë më aq tërheqëse për shumë njerëz sa ishin përpara”, shprehet ai.
Këtë tranzicion drejt komoditetit të tokës e sheh me sy kritik edhe Valon Suliqi, një nga detarët më të rinj në moshë në Ulqin për momentin.
“Zhvillimi i turizmit i ka bërë të rinjtë që mos të shkojnë në det. Shikojnë që të vijnë te të ardhurat më lehtë dhe mos të mundohen shumë. Thjesht, duan që mos të derdhin djersë dhe të vijnë te paratë pa u lodhur. Çdokush bën zgjedhjen e vet, por kjo po ndikon në rënien e interesit”, mendon ai.
Iniciativa për të dalë në det po zbehet edhe për shkak të këputjes së zinxhirit të traditës. Detari Rade Shofranac shpjegon se kjo rënie e kontinuitetit po pakëson edhe modelet që ndjekin të rinjtë tanë.
“Kur një gjeneratë shkon më pak në det, çdo gjeneratë pasardhëse ka më pak modele apo shembuj për të ndjekur. Dikur pothuajse çdo familje ulqinake kishte dikë që ishte kapiten, mekanik apo marinar, ndërsa sot ky kontinuitet është më i dobët, prandaj edhe interesimi bie natyrshëm. Deti nuk e ka humbur thirrjen e tij, thjesht ky profesion sot është bërë një zgjedhje e lirë dhe jo më një domosdoshmëri ekzistenciale siç ishte dikur”, vlerëson ai.
Për Alban Pekun, ky tranzicion lidhet ngushtë me faktin që bota në tokë po ecën përpara me hapa të shpejtë.
“Ndryshimi më i madh është ekonomik: dikur kjo ishte një nga të paktat punë të sigurta e të paguara mirë. Sot tradita familjare po zbehet, të rinjtë duan ta zgjedhin vetë rrugën e tyre. Nuk është se deti e ka humbur vlerën, por toka ka fituar më shumë alternativa”, thekson ai.
Përtej analizës sociale, detari Dritan Peku nxjerr në dritë një barrierë mjaft specifike dhe të mprehtë që prek drejtpërdrejt të rinjtë shqiptarë në Ulqin: problemin e shkollimit profesional.
“Një barierë shtesë krijon edhe gjuha. Fëmijët e lindur në Ulqin, që i kanë kryer shkollat në gjuhën shqipe, e kanë më të vështirë të vendosin të regjistrohen në shkollën e mesme të detarisë apo në fakultete në një gjuhë joamtare”, pohon ai.
Ky ngushtim i rrugës arsimore, i kombinuar me të ardhurat që shpesh nuk e ndjekin dot më inflacionin dhe kostot e larta të jetesës, e bën fillimin e karrierës një malore të vërtetë. Por problemet nuk mbarojnë me shkollimin. Mungesa e një strategjie shtetërore për mbrojtjen e detarëve mbetet një plagë e hapur. Siç dëshmon Rade Shofranac, shteti nuk ofron asnjë plan apo siguri për këtë kategori.
“Shteti ynë nuk ka një strategji të qartë për detarët. Shpesh, detarët e ardhshëm duhet t’i kërkojnë vetë kontratat e punës, si dhe t’i financojnë vetë trajnimet dhe certifikatat e shtrenjta. Kur një i ri e krahason këtë rrugëtim me profesionet e tjera në tokë, detaria thjesht pushon së qeni aq tërheqëse”, shprehet ai.
Detarët sot ndiejnë se janë të lënë plotësisht në mëshirë të fatit. Dritan Peku shton se në rast të humbjes së punës apo periudhave të gjata mes kontratave, ata nuk gëzojnë asnjë lloj sigurimi institucional që do t’u garantonte mbijetesën apo mbrojtjen sociale.
Dikur imagjinata popullore e shihte detarin si një aventurier që shëtiste botën dhe zbulonte porte ekzotike, por realiteti i sotëm i anijeve të mallrave e ka zhveshur plotësisht këtë romantizëm. Sot, një anije është një industri e ftohtë ku njeriu shpesh kthehet në makineri.
Valon Suliq e thotë këtë me një fjali të prerë.
“Romantizmi në anije nuk ekziston fare dhe shumë pak ka vlerë jeta e detarit. Atje ku punon je vetëm një numër. Të bësh punën e detarit duhet të jesh njeri me karakter të fortë”, thotë ai.
Ndryshimi i dinamikës së porteve të sotme ka bërë që detarët të mbeten të izoluar brenda mureve të hekurta të anijes. Dritan Peku dhe Rade Shofranac shpjegojnë se automatizimi dhe logjistika moderne e kanë reduktuar qëndrimin në tokë në minimum. Anijet nuk qëndrojnë më me ditë të tëra në porte si dikur, por qëndrimi i tyre matet me orë të pakta dhe në porte që ndodhen dhjetëra kilometra larg qyteteve.
Rade Shofranac e përshkruan kështu këtë ritëm të egër pune.
“Anijet sot nuk qëndrojnë më gjatë nëpër porte; ajo kohë tani matet me orë, jo me ditë. Ekuipazhet janë më të vogla se përpara, që do të thotë se i njëjti numër njerëzish duhet të kryejë shumë më tepër punë. Ditët e punës në anije shpesh shkojnë nga 12 deri në 16 orë, nën një përgjegjësi të tmerrshme për sigurinë e njerëzve dhe të ngarkesës. Presioni psikologjik, vetmia dhe ndjenja e izolimit janë bërë tema alarmante në këtë industri”, shpjegon ai.
Për Alban Pekun, ky izolim sjell një kosto të lartë që nuk matet dot me rrogë.
“Kushtet e punës mund të jenë ekstreme. Interneti dhe komunikimi sot ekzistojnë në anije, por ata nuk mund ta zëvendësojnë praninë fizike. Sfida më e madhe mbetet çmimi emocional i vetmisë”, thotë ai.
Megjithatë, pyetja që rri si peshë mbi çdo detar është ajo që lidhet me tokën. Çfarë humb njeriu kur ikën në det? Përgjigjja e përbashkët e të gjithëve është e njëjtë: koha me njerëzit e dashur. Detarët pranojnë se paratë mund të blejnë shumë gjëra, por nuk blejnë dot ditëlindjet e humbura të fëmijëve, festat familjare apo rritjen e fëmijëve përmes një ekrani telefoni.
Dritan Peku ndan një frazë që të bën të reflektosh thellë.
“Unë jam i mendimit se në tokë, më pak është gjithmonë më shumë. Familja është gjithmonë në vend të parë. Fëmijët në rritjen e tyre kanë nevojë për të dy prindërit. Momentet e humbura nuk mund të zëvendësohen më”, shprehet ai.
Rade Shofranac tregon se pikërisht ky mall dhe kjo lodhje shpirtërore është ajo që i shtyn shumë njerëz të dorëzohen dhe të zbresin përfundimisht në tokë.
“Gjëja më interesante është se shumica e ish-detarëve nuk thonë se u larguan nga deti për shkak të vështirësisë fizike të punës. Ata thonë se u lodhën nga ‘çmimi jetësor’ i këtij profesioni – vitet e tëra të kaluara larg prej të dashurve. Paratë mund të zëvendësojnë shumë gjëra, por nuk e kthejnë dot kohën e humbur. Prandaj, sot vendimi për të shkuar në det nuk merret më nga tradita, por përmes një pyetjeje shumë praktike: ‘A jam i gatshëm të ndërroj një pjesë të jetës sime për këtë lloj fitimi?’”, pohon ai.
Për të përballuar këtë distancë dhe presion të tmerrshëm, Valon Suliqi thekson se detari ka nevojë për një shtyllë të fortë mbështetjeje morale në shtëpi, një forcë që i mban të lidhur me tokën kur gjithçka rreth tyre është vetëm ujë.
Pavarësisht kësaj pasqyre të pastër dhe shpesh të hidhur, ky shkrim nuk mund të mbyllet me pesimizëm. Deti ka një forcë magjike që të hyn në gjak dhe që vështirë se mund të shkulet nga shpirti i një ulqinaku.
Për Valon Suliqin, deti mbetet një mbret i pazëvendësueshëm.
“Vetë detaria është magji. Deti është mbret në vete, ka diçka që të tërheq, që nuk e gjen në profesion tjetër. Nuk ka para që të jep atë çfarë e përjeton në det. Varet si kush e mendon dhe e koncepton”, mendon ai.
Rade Shofranc e përshkruan magjinë e këtij profesioni përmes gjerësisë së horizontit dhe zyrave pa mure.
“Kur je atje, e gjithë bota të bëhet zyrë pune! Ndjenja e lirisë në det të hapur, lindja e diellit në mes të oqeanit, hyrja në porte të kontinenteve të ndryshme dhe vetëdija se je pjesë e një tradite që zgjat prej shekujsh… Deti të mëson durimin, disiplinën dhe respektin ndaj natyrës në një mënyrë që asnjë punë në tokë nuk e bën dot”, thekson ai.
Në fund të këtij rrugëtimi, ajo që kuptojmë është se detaria në Ulqin nuk po vdes, por po kalon nëpër një transformim të pashmangshëm. Ajo nuk është më një domosdoshmëri ekonomike si dikur, por po kthehet në një zgjedhje të vetëdijshme shpirtërore.
“Nuk besoj se detaria po vdes, por me siguri po ndryshon. Një traditë që zgjat prej shekujsh nuk zhduket brenda natës. Nëse të rinjve u tregojmë pasqyrën reale – si avantazhet, ashtu edhe sfidat – besoj se gjithmonë do të ketë nga ata që do të zgjedhin detin. Detaria mbase nuk do të jetë më profesioni dominues si dikur, por do të mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit të Ulqinit”, shprehet veterani Mahmut (Dudi) Tivari.
Dhe këtë shpresë e vulos më së miri Alban Peku, duke na kujtuar se e ardhmja e traditës mbetet në duart e brezave të rinj.
“Për ata që e ndiejnë lidhjen me detin, ky nuk është thjesht një profesion, është një thirrje që vazhdon të ketë vlerë. Traditat nuk zhduken brenda natës – ato ndryshojnë, përshtaten dhe presin gjeneratat e reja për t’i ridizajnuar”, pohon ai.
Ulqini do të vazhdojë të lagë këmbët në Adriatik dhe për sa kohë që në këtë qytet do të ketë qoftë edhe një fëmijë të vetëm që ulet në skelë dhe ëndërron lundrimet e largëta, shpirti i detarëve tanë do të mbetet i gjallë. Detarëve tanë kudo që ndodhen sot nëpër oqeane, u bëftë udha mbarë dhe paçin gjithmonë det të qetë!
