Në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, më 22-24 prill 2026 është mbajtur edicioni V i Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, një nismë e përbashkët e ASHSH-së dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që organizohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Duke folur në ceremoninë e hapjes, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Vasil Tole ka thënë se ky panair “nuk është vetëm një pasqyrë e librit shkencor, as thjesht një festë e një botimi të veçantë në një treg të vështirë, siç e dini, të librit, por një moment reflektimi e promovimi i faktit se në Shqipëri e Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët shkenca dhe shkencëtarët janë tashmë pjesë integrale e zhvillimit”.
Ai ka thënë se “si rrallë organizim tjetër, ky panair vendos në fokus figurën e merituar të kërkuesit dhe të produktit shkencor të tyre – të botimeve, projekteve dhe të gjithçkaje tjetër që lidhet me kërkimin shkencor”.
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Justina Shiroka – Pula ka thënë, ndër të tjera, se ky panair, tashmë i konsoliduar, si një traditë e rëndësishme, përfaqëson shumë më tepër sesa një ekspozitë botimesh.
“Ai është një dëshmi e gjallë vitaliteti të mendimit shkencor shqiptar, një urë bashkëpunimi ndërinstitucionale dhe një hapësirë ku dijet, idetë dhe kërkimi shkencor bashkohen përtej kufijve administrativë”, është shprehur ajo.
Sipas kryetares së ASHAK-ut, në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta dhe komplekse, roli i shkencës dhe i dijes bëhet edhe më thelbësor.
“Pikërisht për këtë arsye, promovimi i librit akademik dhe shkencor nuk është vetëm një akt kulture, por një investim strategjik në të ardhmen tonë të përbashkët”, ka thënë Shiroka – Pula.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku ka folur për rolin dhe rëndësinë e njerëzve të shkencës në jetën shoqërore, duke bërë thirrje për njohjen e kontributit të tyre.
“Midis kësaj peshe të padiskutueshme që keni në jetën njerëzore dhe hijes, apo asaj perdes që ju mbështjellë, mendoj se duhet krijuar një ekuilibër. Mendoj se duhet hedhur prozhektorët edhe te njerëzit e shkencës dhe duhet dëshmuar, jo thjesht duhet njohur puna e tyre por duhet dëshmuar mirënjohja ndaj tyre”, ka thënë ajo, duke shtuar se bashkëpunimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me ASHSH-në dhe ASHAK-un, në thelb ka pikërisht këtë, mirënjohjen ndaj njerëzve të shkencës dhe aktivitetit të tyre.
Inaugurimi i shtypshkronjës dhe Entit Botues “Akademia”
Në ditën e parë të Panairit u bë edhe përurimi i shtypshkronjës “Akademia”, që u cilësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e infrastrukturës botuese akademike dhe shkencore në hapësirën mbarëkombëtare.
Kjo u bë e mundur falë mbështetjes financiare të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Zëvendëskryetari i ASHSH-së, Vasil Tole, duke falënderuar TIKA-n vlerësoi se ky ent botues do të sigurojë një pavarësi në botimet akademike, jo vetëm për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë por për të gjithë kërkuesit shqiptarë.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i TIKA-s, Yahya Coşkun, në fjalën e tij theksoi se që nga viti 1992 kur është themeluar TIKA e deri tani ka realizuar rreth 800 projekte në Shqipëri dhe se ky është projekti i dytë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se ky është kontributi më i madh që është bërë për kërkimin shkencor dhe normalisht edhe për Akademinë e Shkencave. Sipas informacionit që më kanë përcjellë kolegët e mi, kam marrë vesh se këtu prodhohen rreth 6 milionë faqe në vit. Shpresoj që të vazhdojnë të prodhohen edhe më shumë”, ka thënë ai.
Ndahet Çmimi për veprën më të mirë studimore
Në ditën e tretë të Panairit është ndarë Çmimi për veprën më të mirë studimore. Ky çmim prestigjioz, i cili jepet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit iu dha akademikut të asociuar Rrapo Ormëni për përgatitjen e kolanës madhore me katër volume “Akademik Eduard Sulstarova – Vepra të zgjedhura në fushën e sizmologjisë”.
I kthyer tashmë në traditë, edhe në këtë edicion të pestë, panairi mblodhi së bashku botime shkencore, autorë, ente botuese, universitete, institute dhe qendra kërkimore nga e gjithë hapësira shqiptare, duke krijuar një platformë të rëndësishme për promovimin e librit akademik dhe afrimin e tij me lexuesin.
Gjatë tri ditëve, përpos ekspozimit të botimeve në stenda, u zhvilluan një sërë aktivitetesh promovuese përmes prezantimit të botimeve të reja dhe diskutimeve shkencore.
Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare.
i. k.
