Një udhëtim poetik mes historisë, kujtesës dhe ëndrrës

“Duke dëgjuar edhe rrëfimet për detarët e Ulqinit, rrëfime për Servantesin, për legjenda, balada, mite, gojëdhëna etj., kam ardhur në përfundim se çdo frymëzim më lidhi shumë me figurën e Servantesit”, theksoi autori, duke shpjeguar se pikërisht ky proces e çoi drejt një forme të veçantë të shkrimit, të cilën ai e përcakton si roman poetik

Në Librarinë “Ulqini” të shtunën mbrëma (3 tetor 2026) u promovua romani “Rikthimi i Servantesit në Ulqin” i shkrimtarit dhe profesorit universitar Sali Bashota. Veprimtaria u organizua nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”, në kuadër të projektit “Trashëgimia gjuhësore-letrare si pasuri e një qyteti”, të mbështetur nga Komuna e Ulqinit.
Promovimi mblodhi në Librarinë “Ulqini” autorë, studiues, intelektualë, dashamirës të librit dhe qytetarë të Ulqinit, të cilët patën rastin të njihen më nga afër me veprën e re të Sali Bashotës dhe mënyrën sesi autori e ka lidhur figurën e Servantesit me qytetin e Ulqinit.
Moderatore e mbrëmjes ishte Vediha Gjoni, e cila në hapje të aktivitetit e cilësoi romanin si një vepër që shkon përtej një rrëfimi tradicional.
“Ka libra që tregojnë një histori dhe ka libra që krijojnë një botë ku historia, kujtesa, ëndrra dhe imagjinata bëhen të pandashme. ‘Rikthimi i Servantesit në Ulqin’ është një prej këtyre librave”, tha Gjoni.
Ajo theksoi se romani është fryt i qëndrimit të Sali Bashotës si shkrimtar rezident në Ulqin, në kuadër të një projekti që ka filluar në vitin 2024 dhe është financuar nga Ministria e Kulturës e Kosovës.
Në hapje të aktivitetit, kryetari i “Art Club”-it, Ismet Kallaba, uroi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e organizimit të promovimit në fillim të muajit të librit.
“Tetori njihet në hapësirat shqiptare si muaji i librit dhe i letërsisë”, tha Kallaba, duke theksuar se “Art Club” e nisi këtë muaj me një vepër që i kushtohet pikërisht qytetit të Ulqinit, i cili ndër vite ka qenë burim frymëzimi për shkrimtarë dhe artistë.
“Ulqini vazhdon të frymëzojë autorët, qofshin ata shkrimtarë apo artistë të ndryshëm, me historinë apo të kaluarën e tij, legjendat dhe enigmat, trashëgiminë etj.”, u shpreh ai.
Duke folur për lidhjen e autorit me qytetin, Kallaba vuri në dukje se romani është fryt i një rezidence letrare dhe se zgjedhja e Ulqinit nga Sali Bashota nuk ishte e rastësishme.
“Autori – profesori universitar Sali Bashota – ka mundur të zgjedhë edhe qytete të tjera, jo vetëm shqiptare, por edhe evropiane. Megjithatë, ka zgjedhur Ulqinin për shkak të dashurisë që ka për këtë qytet dhe njerëzit e tij”, tha Kallaba.
Ai përmendi gjithashtu lidhjet e autorit me Ulqinin dhe veçanërisht miqësinë me poetin, studiuesin dhe profesorin universitar Basri Çapriqi.
“A ka dhuratë më të bukur sesa një vepër letrare apo artistike që i kushtohet qytetit tonë?!”, tha ai, duke shprehur edhe idenë që kjo përvojë të shërbejë si nxitje për krijimin e një rezidence të përhershme letrare e artistike në Ulqin.
Vetë autori, Sali Bashota, duke folur për procesin e krijimit të romanit, shprehu kënaqësinë që promovimi zhvillohej në Ulqin, në mesin e miqve dhe dashamirëve të librit.
“Unë jam sonte shumë i nderuar që këtu, në këtë mbrëmje, kam shumë miq. Me miqtë është vështirë edhe të zgjedhësh fjalët”, u shpreh Bashota.
Ai tregoi se idetë dhe frymëzimi për romanin kanë ardhur gradualisht gjatë qëndrimit të tij në Ulqin, përmes njohjes me qytetin, historitë e tij dhe rrëfimet që lidhen me të.
“Gradualisht, gjatë qëndrimit tim në Ulqin, më kanë ardhur idetë, mendimet dhe frymëzimet për të shkruar këtë roman”, tha Bashota.
“Duke dëgjuar edhe rrëfimet për detarët e Ulqinit, rrëfime për Servantesin, për legjenda, balada, mite, gojëdhëna etj., kam ardhur në përfundim se çdo frymëzim më lidhi shumë me figurën e Servantesit”, theksoi autori.
Bashota shpjegoi se pikërisht ky proces e çoi drejt një forme të veçantë të shkrimit, të cilën ai e përcakton si roman poetik.
“Duke e rikrijuar një pozicion timin krijues midis asaj që është historike dhe asaj që është mitike, kam bërë atë që unë e kam quajtur roman poetik”, tha ai.
Kjo ndërthurje mes historikes dhe mitikes është një nga tiparet kryesore të veprës. Në roman, figura e Servantesit zhvendoset në hapësirën e Ulqinit dhe bëhet pjesë e një bote ku bashkëjetojnë imagjinata dhe kujtesa kolektive.
Në pjesën analitike të promovimit, kritiku letrar Qazim Muja u ndal në veçoritë letrare dhe estetike të romanit, duke e cilësuar atë si një vepër të veçantë në letërsinë shqipe.
Sipas Mujës, “Rikthimi i Servantesit në Ulqin” nuk është roman historik, biografik apo dokumentar në kuptimin tradicional, por një roman poetik që ndërthur prozën, poezinë, eseistikën dhe diaristikën.
“Bashota ndërton një narrativë ku e kaluara historike ndërthuret me fantazinë, ku biografia e shkrimtarit të madh evropian, Servantesit, zhvendoset në Ulqin, ndërsa koha ngurtësohet në një kohë poetike, të çliruar nga lineariteti kronologjik”, theksoi Muja.
Në qendër të romanit, sipas Mujës, qëndrojnë tri bërthama narrative: kthimi i Servantesit, dashuria dhe legjendat e gojëdhënat e Ulqinit.
Një element i rëndësishëm i veprës është edhe figura e dorëshkrimit të humbur, të cilin Servantesi e kërkon në rikthimin e tij në Ulqin.
Një vend të veçantë në analizë zuri edhe përdorimi i nëntë intermexove në roman.
Ai e cilësoi romanin si një vepër ku “historia, mitologjia, kujtesa kolektive, poezia dhe proza bashkohen në një rrëfim”, duke krijuar një lidhje mes traditave letrare evropiane dhe mitologjisë së Ulqinit.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte leximi i disa fragmenteve nga romani. Nxënësja e shkollës së mesme, Harisa Mehmeti, lexoi para të pranishmëve pjesë të zgjedhura nga vepra, duke sjellë për publikun atmosferën poetike dhe gjuhën e veçantë të romanit.
Promovimi i romanit të Sali Bashotës ishte një tjetër veprimtari që e vendosi Ulqinin në qendër të një diskutimi letrar, duke e paraqitur qytetin jo vetëm si hapësirë historike e kulturore, por edhe si një vend frymëzimi dhe krijimi letrar.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat