Dhjetëvjetori i kalimit në amshim të piktorit të madh nga Malësia, Gjelosh Gjokaj, u shënua të enjten mbrëma, më 1 tetor 2026, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, me organizimin e ekspozitës së titulluar “Një dekadë, një gjurmë e përjetshme”, ku mori pjesë një publik i konsiderueshëm nga fusha të ndryshme të jetës.
Fillimisht, nga ky institucion kulturor iu referuan fillimit të rrugëtimit artistik të maestros Gjelosh Gjokaj në vitin e largët 1968, nisjes së tij nga Prishtina drejt Italisë dhe takimit atje me Ibrahim Kodrën, “të cilin vetë maestro e cilësonte si pararendës shqiptar me artin evropian, sepse tashmë ishte piktor i provuar në Milano, Romë dhe Evropë dhe pas prezantimit me të, nis rrugëtimi i maestros”.
“Pikërisht në këtë takim, ai e prezanton maestron me Pablo Pikason dhe më pas me shkrimtarin e madh amerikan, Ernest Heminguej, dhe kështu, profesioni i krijon mundësi që të ketë miqësi edhe me skulptorin e madh kroat, Anton Augustiniq”, u theksua nga ky institucion.
Më tej, ata shpalosën njohjen e mëtejshme që kishte pasur piktori Gjelosh Gjokaj me artistë të tjerë botërorë, siç ishin Renato Gatuzo (Renato Gattuso), Franko Xhentilini (Franco Gentilini), Mario Martini, si dhe aktoren ikonë të kinematografisë holivudiane, Sofia Loren (Sophia Loren), takimin me aktorin e madh shqiptar, Bekim Fehmiu etj.
Ndërkohë, mbi veprimtarinë artistike të maestros foli Sead Gjokaj, i cili tha se piktori Gjelosh Gjokaj ka qenë njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të artit pamor që ky shtet ka pasur.
“Një dekadë pa praninë e tij fizike, nuk e ka zvogëluar shkëlqimin e veprave të tij. Përkundrazi, koha veç e ka konfirmuar atë që kemi ditur: se Gjeloshi ka qenë dhe ka mbetur qytetar i botës, krijimtaria e të cilit përbën krenari për kulturën shqiptare, malazeze dhe evropiane”, u shpreh ai.
Gjokaj theksoi më tej se, nga vendlindja e tij, Mileshi, deri në Beograd, Romë dhe Augsburg, Gjelosh Gjokaj ka ndërtuar ura midis kulturave.
“Bota e mban mend si mjeshtër të fantazisë lirike, të vizioneve surrealiste dhe të grafikave të pakrahasueshme. Pikturat e tij në të cilat shpeshherë koka e njeriut është qendër e kujtimeve dhe dëshmitare e epokës, kanë bartur mesazh universal të njeriut, të vështirësive të tij por dhe të forcës së tij të pathyeshme”, theksoi ai.
Edhe pse ka ekspozuar në të gjitha kontinentet, shtoi ai, dhe ka fituar çmimet më të larta botërore, Gjeloshi asnjëherë, as emocionalisht, as në krijimtarinë e tij, nuk u shkëput nga vendlindja e tij.
“Ai gjithmonë është kthyer në atelienë e tij në Milesh, duke përsëritur se vendlindja ishte për të lidhja më e madhe frymëzuese me botën”, u shpreh Gjokaj.
Ndërkaq, dhjetë vjet më vonë, nënvizoi ai, Gjelosh Gjokaj nuk është vetëm kujtim, por ai jeton nëpërmjet secilës pikturë dhe grafikë të tij dhe nëpërmjet secilit abstraksion asociativ, “edhe në këtë takim emocional me publikun e tij”.
Gjokaj tha se artistët si ai nuk vdesin, por ata vetëm e ndryshojnë botën që vëzhgojnë, duke na lënë neve dritaret e tyre drejt përjetësisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 tetor 2026.
T. Ujkaj
