Kontribut për ndriçimin e të kaluarës së Malësisë

Në ditët e fundit të vitit 2016, në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” doli libri “Pak histori nga kohët e zjarrta” i autorit Pjetër N. Ivezaj.
Libri është në vazhdën e studimeve kushtuar Malësisë dhe përbën një kontribut për ndriçimin e së kaluarës së kësaj treve.
Në parathënien e librit, autori tregon se si nxitje për shkrimin e këtij libri i ka shërbyer fakti se historia jonë vazhdon të jetë e karakterit folkloristik, e mbështetur më tepër në gojëdhëna dhe legjenda.
Libri trajton një periudhë pothuajse njëqind vjeçare, e cila mund të ndahet në tri etapa: deri në vitin 1900, prej vitit 1900 deri në vitin 1916, dhe prej vitit 1916 deri në vitin 1943. Pra, është periudha që i paraprinë Kryengritjes së Malësisë, gjatë dhe pas kësaj kryengritjeje, të cilën vetë malësorët e kanë quajtur kohë e luftërave dhe kohë e zjarrtë, nga e ka marrë titullin edhe libri.
Në libër janë përmbledhur, në rend të parë, memorandume, protesta, kërkesa, thirrjet e malësorëve drejtuar Fuqive të Mëdha, institucioneve ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike në Shkodër, Cetinë e gjetiu të një periudhe tejet të vështirë për shqiptarët, me pak komente dhe më tepër sqarime dhe shpjegime. Autori po ashtu ka shënuar disa ngjarje me rëndësi.
Libri ofron të dhëna të ndryshme, duke u mbështetur në një literaturë të bollshme dhe burime dokumentare. Ai shquhet për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të qartë.
Redaktorë të librit janë Leon Gjokaj dhe Anton Lulgjuraj, kurse redaktor teknik dhe artistik Qazim Muja. Libri është shtypur në shtypshkronjën “Spectar Group” në Podgoricë.
Ky është libri i parë i autorit Pjetër Ivezaj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat