Gjurmë të veçanta te publiku dhe kritikët

“Buongiorno” fitoi çmimin “Best Play - Student’s Choice”, duke konfirmuar suksesin dhe ndikimin që pati te publiku i ri. Një tjetër vlerësim i rëndësishëm shkoi për aktorin Armend Zeqiri, i cili u shpërblye me çmimin “Best Supporting Role” për interpretimin e tij të fuqishëm dhe emocional në këtë produksion

Në atmosferën festive të edicionit të dhjetë jubilar të Prishtina International Theater Festival (Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Prishtinë), një nga shfaqjet që la gjurmë të veçantë te publiku dhe kritikët ishte “Buongiorno” nga Teatri “Teuta” i Ulqinit.
Në një festival që për gjashtë ditë e shndërroi Prishtinën në qendër të rëndësishme të artit skenik rajonal dhe evropian, produksioni nga Mali i Zi arriti të dallojë me interpretimin emocional, energjinë skenike dhe mënyrën autentike të trajtimit të marrëdhënieve njerëzore.
E realizuar nën regjinë e Edina Mustafiq – Avdiut, shfaqja “Buongiorno” u prezantua më 22 maj 2026 në skenën e festivalit dhe solli para publikut historinë e një darke mes miqsh, e cila nga një takim i zakonshëm shndërrohet gradualisht në përballje të forta emocionale, zbulim sekretesh dhe tradhtish të fshehura. Përmes dialogëve dinamikë, humorit inteligjent dhe tensionit dramatik që rritej nga skena në skenë, publiku mbeti i përfshirë emocionalisht gjatë gjithë performancës.
Shfaqja u mirëprit me duartrokitje të gjata dhe reagime shumë pozitive nga audienca, ndërsa juria dhe publiku studentor e vlerësuan si një nga produksionet më të arrira të festivalit. “Buongiorno” fitoi çmimin “Best Play – Student’s Choice”, duke konfirmuar suksesin dhe ndikimin që pati te publiku i ri. Një tjetër vlerësim i rëndësishëm shkoi për aktorin Armend Zeqiri, i cili u shpërblye me çmimin “Best Supporting Role” për interpretimin e tij të fuqishëm dhe emocional në këtë produksion.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes finale ishte paraqitja e regjisores Edina Mustafiq – Avdiu gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve. E prekur nga vlerësimi, ajo ndau me publikun një rrëfim personal dhe simbolik për rrugëtimin e saj artistik.
“Para dhjetë vitesh u ktheva në Ulqin si femra e parë shqiptare në Mal të Zi e diplomuar për regji. Sot, pas një dekade pune dhe përkushtimi, marr çmimin e parë për Teatrin ‘Teuta’ pikërisht në Prishtinë, në qytetin ku kam studiuar, ku kam krijuar miqësi të mëdha dhe ku gjithmonë jam ndier si në shtëpi. Ky është një moment që e mbaj në zemër, sepse dëshmon se arti nuk njeh kufij dhe se puna gjithmonë e gjen rrugën drejt publikut”, tha ajo mes emocionesh.
Regjisorja falënderoi trupën e shfaqjes “Buongiorno”, bashkëpunëtorët, familjarët dhe ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj teatrit dhe kulturës shqiptare në Ulqin.
Përmes këtij suksesi në PITF, Teatri “Teuta” konfirmoi edhe një herë rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e skenës teatrore shqiptare në Mal të Zi, duke sjellë në Prishtinë një produksion që bashkoi emocione, reflektim dhe cilësi artistike. “Buongiorno” nuk ishte vetëm një shfaqje teatrore, por një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur njerëz, kultura dhe histori përtej kufijve.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat