
Kur mora së lexuari përmbledhjen me tregime për fëmijë “Aventurat e Dorartit”, pa mëdyshje më erdhi në mendje një tregim që kohë më parë në konkursin letrar me rastin e “Ditës së gështenjeve” në Krajë u shpërblye me çmimin e parë: “Labi dhe Arti mësojnë për Krajën”. Ky tregim, atëherë i dërguar me shifër, na doli se ishte krijim i Gazmend Çitakut. Sa shumë u ndieva mirë që së paku po shkruan dikush nga ne edhe për më të vegjlit, se disi më duket se shumë pak krijues shkruajnë sot për fëmijë.
Autori i këtyre tregimeve që po përurojmë, në secilin sish, në çdo kapitull e ka pasur parasysh dhe brenda në shpirt ka botën e fëmijëve, fantazinë e tyre… Rrënjët e qenies, rrënjët e koshiencës (vetëdijes) dhe subkoshiencës (ndërgjegjes së lartë) së autorit nxjerrin kokën në çdo tregim dhe janë aq të thella në shpirtin e tij, sepse vijnë nga thellësia e shekujve, e legjendave, ashtu si rrënjët tona, jo vetëm nga Valdanosi, Kraja, Shasi etj. apo bukuritë e detit, malit, liqenit. Janë si rrezet e diellit që gjithmonë kur lindin diku nga majat e malit shkrepin e përplasen së pari në Ulqin, pastaj në Anë të Malit, Shas, Bojk, Krajë… dhe bash prapa këtyre trojeve shkojnë e fshihen në thellësinë e detit, në shpatet e maleve, në muzgjet e përflakura.
Përmbledhja me tregime për fëmijë “Aventurat e Dorartit” e autorit Gazmend Çitaku nuk është thjesht një libër me tregime për fëmijë, por është një ftesë e hapur për të zbuluar shpirtin e pathyeshëm të Ulqinit dhe jo vetëm, por edhe të Krajës, Shasit, Anës së Malit etj. E kush më mirë se Gazmendi, një krijues shumëdimensional, mund ta bënte këtë?!
Autori përmes pesëmbëdhjetë tregimeve, përmes aventurave të grupit “Ilirët”, që në përbërjen e vet ka Dorartin dhe shokët e tij – Arianin, Lisën, Detin, Andrean, Erisin, Elisën, Benin, Adean, Pranverën etj., të cilët së bashku me gjyshen Dilë e gjyshin Lisi e ndonjë tjetër si këta janë personazhet që do të flasin me lexuesin e më së shumti me lexuesit vegjël, do t’i shihni për së afërmi ju dashamirë të artit të shkruar, ju fëmijë të dashur, kur ta lexoni librin që sot po na shtron autori në sofrën e dijes.
Janë këto personazhe, protagonistë të aventurave të Dorartit, shkruar me mjeshtëri e plot fantazi nga autori Gazmend Çitaku.
Përmes aventurave të grupit “Ilirët” shkrimtari na shpie në udhëtim magjik, ku historia antike, arkeologjia dhe legjendat gërshetohen natyrshëm me botën e vrullshme të fëmijëve. Këto ndërthurje me mjeshtëri letrare autori na i jep, gjegjësisht na i shtron përpara në tryezën e mbushur me fantazi fëmijërore për të na mësuar për shumë gjëra të bukura që mbase deri më sot nuk i kemi ditur sa duhet. Këtë ju do ta mësoni më mirë përmes aventurave të Dorartit dhe shokëve të tij.
Unë sot këtu po përmend vetëm disa tregime: “Ekspozita te kroni i mbretëreshës Teutë”, “Qyteti i humbur nën ujë”, “Ilirët në kërkim të thesarit”, “Labi dhe Arti mësojnë për Krajën” dhe njëmbëdhjetë të tjerë.
Krahas personazheve, autori këtu na mëson edhe për shumë toponime dhe mikrotoponime në Ulqin dhe më gjerë, si bie fjala Valdanosi, Mavriani, Kroni i Zanave, Krruçi, Kroni i Gjirit, Kroni i Dragoit, Kroni i Shtrigës, Kraja, Mali i Sumës, Ana e Malit, Bojku, Gaçi, Shasi, Zogajt, Mali i Brisë, Qerreti, Tumulat ilire etj.
Pastaj Dorarti na udhëheq nëpër livadhet Posidonia Oceanica. Posidonia oceanica (e njohur si bar i detit ose pjalmë deti) është një bimë detare jetike endemike në Mesdhe, që formon lëndina të dendura nënujore. Ajo luan një rol kyç si “mushkëria e Mesdheut”, duke prodhuar oksigjen, mbron bregun nga erozioni dhe shërben si habitat për shumë specie.
Këtu hasen bukurina me ngjyrat e saj vezulluese. Kërcimi i saj i ngjanë një kërcimi të një balerine, gushtaku – peshku i thjeshtë në dukje por shumë i shkathët. Peshkopi Arbanas – me pamje serioze dhe lëvizje të shpejta, arava – peshku i shpejtë si shigjetë që nuk ndalej kurrë, kallauzi – orientuesi për peshqit tjerë, lojba – peshk grabitqar. Janë këto disa lloje peshqish që për ata që kanë më pak njohuri për to do t’i njohin edhe më mirë duke lexuar “Aventurat e Doratit”.
Pra, me fjalë të tjera, “Aventurat e Dorartit” është një përmbledhje me tregime për fëmijë ku tregohen përjetimet dhe udhëtimet e grupit “Ilirët”. Ata janë fëmijë të guximshëm, kuriozë dhe gjithmonë të gatshëm për të zbuluar gjëra të reja. Gjatë aventurave përballen me sfida, hasin edhe në situata të papritura, por Dorarti dhe shokët e tij me zgjuarsi dhe këmbëngulje arrijnë t’i kapërcejnë.
Libri frymëzon lexuesin, më mirë të themi fëmijët, të jenë të fortë, kuriozë, kërkues dhe kurrë mos të dorëzohen përballë vështirësive.
Me këtë rast unë dua të shtoj edhe këtë: përmbledhja “Aventurat e Dorartit” është një libër me tregime për fëmijë që ia vlen të lexohet edhe nga të rriturit, sepse në brendinë e kopertinave të librit ka shumë mesazhe të rëndësishme për ne.
Me sa kam njohuri, e besoj se deri diku kam dhe i përcjell rrjedhat e kohës në këtë lëmi, mbase ka më shumë se njëzet vjet që nuk ka autor që ka lëvruar këtë gjini, pra ka shkruar tregime për fëmijë këtu te ne shqiptarët në Malin e Zi. Më herët tregime për më të vegjlit kanë shkruar: Nol Berisha, Hajro Ulqinaku, Ibrahim Bejashi, Asllan Bisha e ndonjë tjetër para tyre.
Andaj unë kam një porosi për mësuesit e gjuhës shqipe dhe të tjerët – që përmbledhja “Aventurat e Dorartit” e autorit Gazmend Çitaku patjetër duhet ta ketë vendin e vet në programet mësimore të gjuhës amtare dhe letërsisë, të paktën në pjesën e hapur të programit ose siç e njohim ndryshe “njëzet përqindëshi”.
Dhe në fund, dy fjalë për autorin. Gazmend Çiataku ka lindur më 1970 në Skenderaj (Kosovë). Jeton dhe punon në Ulqin. Është shkrimtar, fotograf dhe dokumentues i historisë dhe kulturës së Ulqinit. Ka botuar libra, fotoalbume, monografi për historinë, traditën dhe trashëgiminë kulturore të Ulqinit. Ka qenë i përfshirë edhe në gazetari dhe botime kulturore. Disa nga veprat e tij janë: “Fotoalbumi i Ulqinit” (2004), “Fotoalbumi i Ulqinit 2” (2009), “Tregime të çuditshme nga Ulqini”, “Udhëtim në kështjellat ilire në Mal të Zi”, “Busulla e artë”, “Ulqini – qytet misterioz” (në gjuhën malazeze) etj.
Pra, është personi që ka dokumentuar me fotografi dhe libra historinë, legjendat dhe kulturën materiale dhe shpirtërore të Ulqinit, duke mbledhur fotografi dhe dokumente të vjetra për t’i ruajtur si trashëgimi kulturore. Shpesh organizon edhe ekspozita fotografike dhe mbrëmje autoriale për artin dhe kulturën e rajonit. Për mua Gazmend Çitaku ka qenë dhe është njëri ndër bartësit e jetës kulturore në qytetin e Ulqinit. Konsideroj se së bashku me “Art Club”-in, Bibliotekën e Qytetit kanë qenë dhe sot e gjithë ditën janë strumbullarë të jetës kulturore në Ulqin. Gazmendi është edhe redaktor teknik i një mori librash, jo vetëm të autorëve shqiptarë por edhe të tjerëve.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Ostros, më 10 mars 2026, me rastin e Ditës së shkollës në Krajë; në shkollën fillore “Marshall Tito” – Ulqin, më 2 prill 2026, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë për Fëmijë; në Tuz, më 23 prill 2026, organizuar nga Shoqata “Penda” dhe në Ulqin, më 24 prill 2026, organizuar nga Biblioteka Popullore Ulqin, me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit)
