
Në atë kohë, kur mungonte edhe vajguri për llambat dhe kandilat që u jepnin ndriçim nxënësve, ata sërish përpiqeshin t’i përfundonin detyrat e shtëpisë. Të nesërmen i priste mësuesi në shkollë me pyetjen e tij të zakonshme: ”I keni kryer detyrat?”
Shpeshherë ndodhte që nxënësit të vinin në shkollë të lagur deri në palcë nga shiu apo bora, të drobitur nga i ftohti, pasi kishin udhëtuar me orë të tëra në këmbë. Por edhe pas gjithë këtyre vuajtjeve, përgjigjja e tyre ishte: “Po, shoku mësues, i kam kryer detyrat”.
Nëse përpiqemi t’ia tregojmë këto përvoja brezit të sotëm, vështirë se mund ta kuptojnë si një realitet i së kaluarës. Për ata, këto duken si tregime përrallore.
Është për t’u habitur se si, në kushte aq të vështira, nxënësit ishin të përgatitur për mësim. Librat që i mbanin në çantë i ruanin me kujdes, i mbështillnin me letër bezhë, të prerë nga thasët e miellit që familjarët i ruanin posaçërisht për këtë qëllim. Librat përdoreshin me radhë, duke kaluar te nxënësit brez pas brezi. Prindërit, jo rrallëherë, shkonin në shkollë për të pyetur mësuesit rreth përparimit të fëmijëve të tyre. Dhe kështu, brezat rriteshin njëri pas tjetrit, duke u arsimuar dhe edukuar.
Nga ato shkolla dolën kuadro të përgatitur në shumë fusha profesionale. Shoqëria po ngritej, askush nuk mbetej anash pa u shkolluar. E sot na gjeti një kohë tjetër, e vështirë për ta përshkruar, një kohë që na zuri të papërgatitur, të pambrojtur. Po kërkojmë përgjigje. Po t’i kishim menduar këto zhvillime pesë dekada më parë, do të na dukeshin të paimagjinueshme. Teknologjia, me ritmin e saj të shpejtë dhe me risitë që sjell çdo ditë, na mori peng mendjen e papërgatitur. Gjithçka që dikur e quanim tradicionale, sot po shembet bashkë me kufijtë e saj, të cilët dikur nuk guxoje t’i shkelje pa u paragjykuar nga rrethi yt.
Shkrimin tim e nisa me qëllimin për të bërë një krahasim mes dy periudhave kohore: së kaluarës dhe së tashmes, me synimin për të shprehur se si e imagjinoj të ardhmen e shoqërisë sonë. Tradicionalisht, baza e edukimit të një brezi të ardhshëm ishte e lidhur ngushtë me librin. Libri ishte burimi kryesor i dijes, një mjet i pazëvendësueshëm që pasuronte trurin tonë dhe na përgatiste për sfidat e shumta të jetës. Ishte ai bagazhi intelektual që na ndihmonte të formësoheshim si profesionistë dhe qytetarë të denjë të shoqërisë.
Po t’i kishim menduar këto zhvillime pesë dekada më parë, do të na dukeshin të paimagjinueshme. Teknologjia, me ritmin e saj të shpejtë dhe me risitë që sjell çdo ditë, na mori peng mendjen e papërgatitur. Gjithçka që dikur e quanim tradicionale, sot po shembet bashkë me kufijtë e saj, të cilët dikur nuk guxoje t’i shkelje pa u paragjykuar nga rrethi yt
Po sot? Ku ndodhet burimi i dijes? A është ende libri në qendër të edukimit?
Teknologjia ka ndryshuar gjithçka – përfshirë edhe mënyrën se si edukohen fëmijët tanë. Celularët dhe pajisjet digjitale kanë zëvendësuar në shumë raste librin, duke u kthyer në “mësuesit” e rinj, të cilët shpesh i tërheqin fëmijët drejt përmbajtjes që jo gjithmonë është e përshtatshme. Kjo liri e pakufizuar e informacionit, pa filtra dhe pa kritere, ka krijuar pasoja të dukshme: truri ushqehet me gjithçka që i serviret, shpesh në mënyrë jo të shëndetshme, duke ndikuar negativisht në formimin e brezave të rinj.
Nëse duam të kuptojmë të ardhmen e një shoqërie, mjafton të shohim ku qëndron sot baza e edukimit të saj. Dikur ajo fillonte me librin; sot, ajo po zbehet, duke na treguar qartazi drejtimin në të cilin po lëvizim. Në një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i së kaluarës, çdo informacion na ofrohet në çdo çast, në pëllëmbë të dorës. Dhe shumica e të rinjve e marrin “dijen” nga këto burime të pakontrolluara, pa ndonjë kriter pedagogjik apo moshor. Është njëlloj sikur të gjithë të ushqehen me të njëjtën “ushqim”, pa marrë parasysh moshën, nevojat, apo kapacitetin për ta përpunuar atë informacion.
Kjo situatë po e vështirëson gjithnjë e më shumë edukimin e brezave të rinj. Truri i fëmijës nuk është në gjendje të përpunojë me saktësi dhe me filtër informacionin e pakufizuar që merr. Kjo është arsyeja pse disa shtete tashmë po mendojnë seriozisht të ndalojnë përdorimin e celularëve në shkolla dhe në jetën e përditshme të fëmijëve, për të mbrojtur shëndetin mendor dhe zhvillimin e tyre normal.
Tradicionalisht, baza e edukimit të një brezi të ardhshëm ishte e lidhur ngushtë me librin. Libri ishte burimi kryesor i dijes, një mjet i pazëvendësueshëm që pasuronte trurin tonë dhe na përgatiste për sfidat e shumta të jetës. Ishte ai bagazhi intelektual që na ndihmonte të formësoheshim si profesionistë dhe qytetarë të denjë të shoqërisë
Dikur, librat ishin të ndarë sipas moshës dhe nivelit arsimor, nga klasa e parë e deri tek arsimi i lartë, dhe kjo strukturë ndihmonte në formimin gradual dhe të qëndrueshëm të nxënësit. Sot, po lëvizim drejt një shoqërie ku gjithçka është e përzier, pa sistem, pa orientim, pa kontroll. Nëse nuk e rimendojmë rrënjësisht rolin e dijes dhe mënyrën e përçimit të saj, rrezikojmë të krijojmë një shoqëri të paorientuar, ku informacioni nuk shërben më si forcë ndërtuese, por si barrë që e rëndon mendjen dhe e shpërqendron njeriun nga thelbi i jetës dhe zhvillimit të tij të vërtetë.
