Dëmtuesit e indit kombëtar

Jetojmë në një kohë të pakohë, në një shtet pa shtet, në një shoqëri pa respekt, në një vend ku gjithçka e keqe po lulëzon dhe e mira, e ndershmja, njerëzorja, humania, patriotikja, po përbuzet e nëpërkëmbet nga të gjitha anët dhe me të gjitha mënyrat. Nuk ka ndërgjegje, nuk ka sinqeritet, nuk ka respekt, asgjë nuk ka vlerë, as edhe ajo që po e bëjmë me mund e me djersë, me sakrifica e me vullnet të madh nuk respektohet nga se është koha e maskave të atyre që nata i gjen analfabet e dita i zbardhë magjistra, doktorë shkencash, patriotë, atdhetarë, të vetëquajtur bashkërisht si intelektualë

Qani Osmani

Definicion të prerë për intelektualin nuk ka. Intelektuali mund të jetë një njeri që ka përgatitje të lartë profesionale dhe kulturë qytetare, që vret mendjen vazhdimisht për të sjellë diçka të re dhe me vlerë në shoqëri. Ka disa që mendojnë se intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa për një të ardhme të ndritur. Disa të tjerë mendojnë se një intelektual ka për mision të nxjerrë në pah edhe thelbin e çështjes, rëndësinë që merr një çështje e caktuar në të gjitha kontekstet në të cilat mund ta përcjellin rrethanat. Ai përcakton raportin e një çështjeje, kauze, shkence etj., me shoqërinë dhe kohën përmes një analize neutrale në emër të parimeve profesionale dhe të vërtetës, ashtu siç edhe e percepton.
Por, ka edhe të tillë që vlerësojnë se jo çdo diplomë universiteti na qenka pasaporta që të bën intelektual. Tash shtrohet pyetja: në cilën nga këto vlerësime duhet vënë intelektualin shqiptar? Të jesh apo të mos jesh? Kjo është pyetja kyçe që më del përballë. Shpesh herë jemi dëshmitarë të sjelljeve të dobëta të “klasës së ngritur” apo të intelektualëve. Kjo kategori e njerëzve mbi vete ka shumë përgjegjësi të cilat duhet t’i mishërojë në forma dhe në nivele të ndryshme. Përderisa dikur i diplomuari dhe i shkolluari gëzonin një privilegj të veçantë në mesin e shoqërisë sonë (shumë nga këta kanë keqpërdorur mosvigjilencën e masës) e cila vuante për universitet, sot, kur këto i kemi me bollëk, vuajmë për edukim dhe shkollim të mirëfilltë dhe intelektual, i cili ka të ngulitur thellë në mendjen e tij përgjegjësinë e të qenit më i informuar ose më ditur se të tjerët.
Pra, me të drejtë shumëkush nga ne njerëzit e rëndomtë kemi menduar se udhëheqësi, lideri, ministri, profesori, mjeku, arsimtari, etj., janë njerëz të “ngritur, më të dalluar se të tjerët, të dëshmuar në profesionin e tyre, të ndershëm etj., pra të “zgjedhurit e popullit”. Ky është një gjykim i drejtë, sepse kështu duhet të jetë, kështu duhet të funksionojë!
Por, de fakto gjendja është shumë dëshpëruese dhe degraduese. S’di nëse gabohem të them se edhe de jure situata është alarmante. Sistemi i kurdisur legjislativ dhe plotësim-ndryshimet ligjore të mëvonshme janë bërë më tepër në favor të të regjurve, hajdutëve, kusarëve, bandave, interesave klanore etj., se sa në favor të nevojave reale të vendit dhe të qytetarëve. Dhe pikërisht kjo gjë është përgatitur dhe hartuar nga “intelektuali injorant” që na del përballë çdo kund dhe po na zë frymën sot si “politikan që gëzon funksion, si lider partiak, si analist politik, ekonomik”… etj.. Shumë nga ata që dështuan (por xhepat i zmadhuan) në profesionin që ushtruan në të kaluarën, sot “shesin mend” nëpër mediat vendore dhe rajonale për interesa të caktuara. Kjo racë intelektualësh, ka bërë kërdinë në të gjitha nivelet e funksionimit të shoqërisë dhe shtetit.
Nga kjo klasë intelektualësh injorantë sot si produkt kemi një “masë të hutuar” dhe një “rini që mendon vetëm për Facebook”. Kjo mendësi e pacipë, i shndërroi shkollat dhe universitetet në vende ku shfaqet moda, pallatet e kulturës në qendra të amoralitetit, shtëpitë e Zotit në qendra formalitetesh, spitalet në qendra biznesi, kafenetë në qendra debati, institucionet shtetërore në shtëpi të tyre… etj.. Thënë pak më ndryshe, shfrenimi i intelektualit e shndërroi qenien njerëzore në mall tregtie, keqpërdori aftësitë dhe mirësjelljen e tij, përdhunoi vlerat që ai i çmon lart, e bëri atë të ndjehet i huaj në shtëpinë e tij, e largoi atë nga prona dhe atdheu i tij…Por, çështja që na bën të ndjehemi edhe më të trishtuar është këmbëngulja e kësaj klase intelektuale për të vazhduar kjo mendësi!
Sot, të paktë janë ata intelektualë që me shumë respekt e meritojnë këtë titull, por që janë të ndrydhur prej të lartpërmendurve, prej atyre që bajgën e reklamojnë si ëmbëlsirë e zërin e korbit e paraqesin si zë bilbili. Puthadorë sa të duash e pakurrizorë që as skraja e shiut nuk ua kalon, bile ua ka lakminë. Kjo që themi është shumë më pak përballë atyre veprimeve të pista që po bëjnë. Eh, sa të çuditshëm janë disa “intelektualë”. Nëpër tavolinat e kafeneve të ndryshme nuk lënë pushtetar dhe zyrtar shqiptar pa i sharë dhe ofenduar për keqpërdorimin e pushtetit dhe për qeverisjen e tyre të dobët!
Nga ana tjetër, po këta persona që veten e quajnë “intelektualë” i shikon duke u fotografuar dhe duke i lavdëruar zyrtarët e njëjtë shqiptarë në rrjetin social Facebook. Çfarë dyfytyrësie dhe demagogjie?! A thua vallë pritet gjë nga këta “intelektualë” demagogë të etur për karrige?! Fatkeqësisht asgjë! Përpos ambicieve të tyre të sëmura! Shqiponja e kishte pyetur kërmillin se si arrite deri në maje? Ai ishte përgjigjur: DUKE U LIGAVITUR!
Miq të dashur, nuk arrihet çdo gjë në jetë si puna e kërmillit. Për të arritur në piedestal dhe të lësh gjurmë të mira në jetë nevojitet: dituri, ndershmëri, dinjitet, guxim, dhe vizion! Kjo kategori e “intelektualëve” u përngjanë plepave që rriten shumë lart dhe pothuajse nuk kanë rrënjë fare, e kështu një erë sado e lehtë, i shkulë nga toka. Këta intelektualë do të zhduken sikur ajo bora e pranverës. Dhe kjo shumë shpejtë do të ndodhë. Vlerat nuk ka mundur t’i zhbëjë askush dhe as ju nuk do ta bëni këtë. Të jeni të bindur se fundi është i afërt, por turpi do t’u përcjellë gjatë tërë jetës.

Të fundit

më të lexuarat