Skulptori dhe profesori universitar, Sabri Shaqiri, hapi të premten mbrëma, më 9 tetor 2026, ekspozitën me skulptura të titulluar “Klithja” në hollin e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, ku u paraqit me një cikël veprash të punuara në gur, të transformuara në forma moderne dhe me një qasje bashkëkohore.
Kuratori i ekspozitës, Genc Reznici, për gazetën “Koha javore” tha se në ciklin e parë të tij janë disa portrete (figura), të cilat shfaqen në formë, siç tha ai, sa potente aq poetike dhe bashkëkohore dhe me një qasje impresive.
Sipas tij, cikli i dytë i figurave paraqitet në botën e faunës, kryesisht të zogjve, por edhe me një figurë femërore “e cila e ngërthen komplet ciklin poetik të figuracionit, prej formës deri te vija që pasqyron një prej pjesës më të begatë të krijimtarisë së profesor Shaqirit”.
Ai tha se profesor Shaqiri i takon gjeneratës së dytë të artistëve të brezit më interesant të skulpturës në Kosovë “çfarë e karakterizon edhe në forma dhe punime të gurit, si një prej formave më arkaike të artit”.
Kuratori tha se kjo ekspozitë është ndër më interesantet në mediumin e skulpturës, për arsye se, siç u shpreh ai, Sabri Shaqiri i takon artistëve të paktë edhe në Kosovë që kanë një qasje bashkëkohore në përpunimin e gurit.
“Prandaj besoj se është një prej ekspozitave mjaft interesante që ia vlen të shikohet jo vetëm prej artdashësve por prej të gjithë popullit shqiptar në Mal të Zi”, tha ai.
Ndërkohë, autori i ekspozitës, profesori Sabri Shaqiri tha se ekspozita të tilla në skulpturë paraqesin disa peripeci, për shkak se bëhet fjalë për materiale më të rënda dhe, rrjedhimisht, më problematike edhe për shkak të transportimit të tyre. Megjithatë, siç u shpreh ai, skulpturat e kësaj ekspozite u takojnë atyre minimaliste, për shkak të formatit më të madh që të tjerat kanë.
“Unë këtu jam përpjekur që të përfaqësoj krijimtarinë time në disa teknika, për arsye se unë bëj shumë hulumtime, pra eksperimentoj me materialin e gurit”, tha autori.
Ai shtoi se këtu paraqet diku pesë mënyra të punës, dhe kjo, siç tha ai, e identifikon atë si skulptor ndryshe prej të tjerëve.
I pyetur se çfarë e frymëzon që të merret me këtë lloj krijimtarie artistike, skulptori Shaqiri tha se ai do që ta sfidojë veten me materiale të ndjeshme, për shkak se, siç tha, guri do shumë precizitet dhe është më specifik sesa materialet e tjera.
“Ka pak skulptorë, edhe në të kaluarën por edhe sot, që munden ta përpunojnë gurin, sepse është teknikë më e rëndë, kërkon më shumë kohë dhe precizitet”, theksoi Shaqiri.
Ai u shpreh se sot arti ka më shumë mjete për t’u realizuar krahasuar me të shkuarën, kur janë përdorur mjetet klasike, pra se ai ka avancuar në teknikë dhe mjete, si dhe është reduktuar koha e punës për të bërë një vepër arti të tillë.
Sipas autorit, guri me qëndrueshmërinë, rezistencën dhe kujtesën e tij materiale, shndërrohet në një hapësirë ku fytyra njerëzore merr kuptim përtej ngjashmërisë fizike, duke bartur brenda vetes tensione, përjetime dhe klithma të pathëna.
“’Klithja’ është një përpjekje për ta bërë të dukshme atë që shpesh mbetet e pashprehur – për ta nxjerrë në sipërfaqe, përmes gjuhës së skulpturës, atë që fshihet në thellësinë e qenies njerëzore”, thotë Shaqiri.
Kjo ekspozitë, përmes skulpturës, me theks të veçantë në portretin dhe përpunimin e gurit si medium artistik, përpiqet të depërtojë përtej formës së dukshme, duke eksploruar marrëdhënien mes materies, gjurmës njerëzore dhe emocioneve të heshtura.
Ekspozita qëndroi e hapur deri sot (e enjte), më 15 tetor 2026.
Skulptori Sabri Shaqiri ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku punon si profesor i asociuar. Ai dallohet si një nga të paktit skulptorë për hulumtimet dhe eksperimentet me materialin e gurit. Krijimtaria e tij karakterizohet nga një qasje minimaliste dhe bashkëkohore.
T. Ujkaj
